Rama: Mosveprimi i policisë vjen nga korruptimi dhe bashkëpunimi në krim

Në Tiranë, kryeministri Edi Rama i kërkoi policisë së shtetit që brenda 100 ditëve t’i japë fund pa-ndëshkueshmërisë brenda radhëve të saj.

 

Zoti Rama tha në një takim me drejtues të policisë se në radhët e forcave të rendit nuk mund të ketë më bashkëpunëtorë të krimit, që korruptohen nga kriminelët dhe lejojnë të shkelen ligjet në kurriz të qytetarëve.

Kreu i qeverisë kërkoi nga policia e shtetit, që brenda 100 ditëve të riorganizojë punën përballë kërkesave në rritje të opinionit publik për shërbime me standarte europiane.

Kryeministri Edi Rama tha në takimin me drejtuesit e policisë se është i patolerueshëm korruptimi dhe bashkëpunimi i policëve me njerëz që shkelin ligjet e ndërtimit, kërkimi i rryshfeteve shoferëve në rrugë, apo indiferenca ndaj dhunës në familje.

Kryeministri Rama citoi disa herë Kodin Penal në masat e forta që ai parashikon ndaj ndërtimeve pa leje, ndaj dëmtimit të natyrës, për të cilat policia nuk ndërhyn, edhe pse ato janë krime që vazhdojnë me ditë e javë të tëra, e jo incidente me armë që zgjatin pak minuta.

“Për cilën arsye në botë, ne duhet të kemi akoma shfaqje, sado sporadike, të ndërtimeve pa leje? Për cilën arsye në botë? Vetëm për një arsye, korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit. Asnjë arsye tjetër nuk ka, bashkëpunimi në krim, ndërkohë që në Parlament, në muajt e fundit ka kaluar një tjetër paketë përforcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët shqiptar nuk kanë arsye të paguajnë për to” – tha zoti Rama.

Në takimin me drejtuesit e policisë së shtetit, ai tha se qytetarët duhen trajtuar të barabartë në shkeljet dhe të drejtat e tyre, ndërsa forcat e rendit i kanë të gjitha mundësitë të kontrollojnë territorin dhe të ndëshkojnë shkelësit e ligjit.

Zoti Rama tha se pritshmëria e qytetarëve është shumë e lartë, dhe policia i ka fuqitë njerëzore dhe pajisjet elektronike që të përmirësojë jetën e banorëve me veprime energjike në zbatim të ligjit.

Madje ai shtoi se aty ku ajo nuk ndërhyn është e qartë se e kanë kompromentuar ata që shkelin ligjin nga lokalet e bregdetit e deri te betonieret nëpër ndërtime të paligjshme.

“Ne jemi përballë edhe disa faktesh të ekspozuara nga veprimtaria e disa eksponentëve të Policisë së Shtetit në të shkuarën jo të largët, të implikuar në veprimtari kriminale. Është shumë pozitive, që këta individë ekspozohen dhe marrin atë që meritojnë, por është shumë domethënëse për të kuptuar se nga çfarë duhet të mbrojmë, ruajmë dhe parandalojmë në trupin e Policisë së Shtetit” – tha kryeministri Rama.

Ai foli me shqetësim për nënvlerësimin nga policia të dhunës në familje, dhe kërkoi që cdo strukturë e policisë të përcaktojë njësi të posacme për të ndërhyrë në sinjalizimet për dhunë në familje, të mbrojë gratë e fëmiët në ato skena dhune dhe të mundësojë nxjerrjen para ligjit me prova të dhunuesve, e jo ata të shpëtojnë të nesërmen dhe t’i kthehen sërish dhunës në familje.

Një seri incidentesh me humbje jetësh njerëzore si në trafikun e autostradave dhe në përdorimin e armëve të zjarrit nga grupe në konflikt e kthyen sërish vëmendjen tek reagimi i policisë në vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit.

Vlerësimet ndaj policisë prej organizatave të ndryshme janë shpesh kontradiktore; një pjesë vlerësojnë reagimin e saj ndaj disa dukurive, e pjesa tjetër theksojnë mosveprimin e saj ndaj krimit.

Emra policësh e ish shefa policie dalin shpesh në përgjimet telefonike të grupeve kriminale, teksa ndihmojnë në trafikimin e bimëve narkotike dhe në shkelje të tjera ligjore, herë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, e herë me indiferencën e tyre, duke mbyllur sytë para abuzimeve të dukshme.

Related posts

“…Ne po dalim të bllokojmë rrugën dhe as kosovarët mos të vijnë dhe as ne mos të shkojmë më” , reagojnë ashpër shqiptarët që u kthyen mbrapsht

D V

Braçe apel shqiptarëve: Vaksinohuni, virusi po qarkullon vetëm mes të pavaksinuarve

D V

Rrëfimi emocionues i 26-vjeçares afgane që erdhi në Shqipëri

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com