Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë lajmin e mirë se aksi strategjik Bunavi – Kërkovë ka hyrë në fazën e dytë të ndërtimit, një projekt që pritet të sjellë një perspektivë të re zhvillimi për shtatë fshatra të njësive Qendër dhe Llakatund në Vlorë.
Ky investim do të ofrojë mundësi të mëdha për rritjen e potencialeve ekonomike dhe infrastrukturore të rajonit, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e sigurisë dhe emergjencave civile.
Aksi do të shërbejë si një rrugë kyçe për Bazën Ushtarake të Bunavisë, një strukturë që do të mbajë gjithashtu forcat e emergjencave.
Kryeministri Rama theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, duke i uruar qytetarëve një ditë të mbarë me energjinë pozitive të njerëzve të kësaj zone.
“MIRËMËNGJES, dhe me një tjetër investim çlirues për potencialet e Vlorës, aksin Bunavi – Kërkovë, i cili ka hyrë në fazën e dytë të ndërtimit, për të hapur një perspektivë të re zhvillimi për shtatë fshatra të njësive Qendër dhe Llakatund, e njëkohësisht për t’i shërbyer Bazës Ushtarake të Bunavisë, që do të ketë edhe forcat e emergjencave civile, duke ju dhënë kënaqësinë ta nisni ditën me energjinë e njerëzve të paepur të kësaj zone, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.