Rama: Shqipëria nuk është një vend në tranzicion, jemi pak hapa larg anëtarësimit në BE

nga D V

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria nuk është më një vend në tranzicion, por është vetëm pak hapa larg nga hyrja me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Gjatë përurimit të dy godinave në Qytetin Studenti, Rama vlerësoi se kjo zonë në njëfarë mënyre, nga pikëpamja fizike e ka mishëruar transformimin e shtetit dhe të gjitha aspekteve të jetës sonë gjatë gjithë këtyre viteve.

“Kjo zonë ka mishëruar fizikisht të gjitha dhembjet dhe të gjitha deformimet e një tranzicioni që tani e kemi lënë pas. Këtu në këtë qytet, mund ta shohësh fizikisht se Shqipëria nuk është më në tranzicion. Shqipëria është një vend që ka ende plot për të adresuar, por është ekzaktësisht siç duket këtu, pak hapa larg nga hyrja me të drejta të plotë në BE dhe në këtë qytet sot mund të shohësh fizikisht edhe si është ndërtuar dhe është e dukshme, e prekshme, e jetueshme e nesërmja edhe si e shkuara vazhdon të jetë e pranishme përmes një sërë objektesh, një sërë shëmtirash që duhen edhe ato adresuar dhe që duhen edhe ato zëvendësuar,” tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë jo thjesht një vend në Evropë, por një vend i Evropës së bashkuar.

“Dhe këto shëmti janë fizike, janë po ashtu edhe pjesë e jetës institucionale të vendit në formën e mosmbarëvajtjes së një sërë gjërash, në formën e korrupsionit apo të të gjitha tyre gjërave, të cilat ne i kemi adresuar dhe do vazhdojmë t’i adresojmë si askush tjetër dhe njësoj siç do të jetë ky qytet, shumë më shpejt sesa vonë, kur i thonë fjalës, një destinacion ku asgjë nuk do të të lërë shijen e keqe të të shkuarës që qëndron mesh nesh, kështu qëndron edhe vendi ynë në kohën kur ne do t’i kthejmë dhe këto pak hapa dhe do të jemi jo thjesht një vend në Europë, por një vend i Europës së bashkuar,” tha ai.

Kreu i qeverisë shtoi më tej se, “nuk jemi një vend në tranzicion përderisa negociojmë anëtarësimin dhe përderisa kemi derën e BE-së që shihet dhe mund të arrihet tanimë. Që nuk është më si horizonti i detit ku nuk duket asgjë matanë.”

Kryeministri u ndal edhe te opozita, ndërsa u shpreh se “na motivojnë 1 mijë herë më shumë që të bëjmë 1 mijë herë më shumë punë të mira”.

“Por edhe për faktin më të thjeshtë akoma, një përballje, e cila lidhet edhe me një përndjekje të së ligës, me një përndjekje të së keqes, me një përndjekje të një shpirti të keq që e ka bërë Shqipërinë të humbasë shumë shanse dhe të futet në shumë qorrsokakë, duke filluar qysh kur një grup njerëzish vizionarë dhe kurajozë shpallën pavarësinë dhe sapo ngritën flamurin, panë t’iu ngrihen dhe t’iu qepen këmba-këmbës edhe “shejtanët” e Shqipërisë, “shejtanët” që për fat të keq në më shumë se një rast, arritën edhe ta dominojnë Shqipërinë, para dhe prapa rënies së regjimit komunist, por tanimë kemi mundësinë që të ndihemi të çliruar në sensin që “shejtanët” aty janë, por në rastin më të keq luajnë rolin e hudhrës që na mbajnë larg syrit të keq dhe në rastin më të mirë na motivojnë 1 mijë herë më shumë që të bëjmë 1 mijë herë më shumë punë të mira dhe të jemi 1 mijë herë më shumë kritike me vetveten”, shtoi ai.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More