Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

Ramadan Sokoli, personaliteti i një profesori në një fotograf! Takimet me muzikologun e shquar përpara një filxhani kafeje

QERIM VRIONI/ Profesor Ramadan Sokoli (Shkodër, qershor 1920 – Tiranë, mars 2008), miku im i vyer, në vizitat e shpeshta që i bëja në shtëpinë ku banonte (kati -1), pas pyetjes sime, më kishte thënë se nuk e shqetësoja nëse do ta fotografoja edhe duke biseduar.

Ashtu edhe kisha vepruar disa herë, duke vërejtur se aparati dhe zhurmërima e shkrepjes së tij nuk i bënin ndonjë përshtypje. Natyrisht, fotot e tij nga objektivi im përbëjnë një nga faqet e zgjedhura të arkivit tim fotografik. Rëndom kafen e pinim në studion e tij, e cila me pikturat, librat, partitura të vjetra dhe të reja, dorëshkrimet, fotografitë, skulpturat, armët e moçme në mure, objektet historike etj., ishte vetvetiu një muze i vogël, por i larmishëm dhe mbresëlënës. Për çdo artefakt, ai tregonte me kënaqësi një ngjarje interesante dhe vlerësuese.

Atë ditë vere të vitit 2006, biseda me profesorin qëndroi edhe në kohëra disi të turbullta për të, ato nisnin fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e, një tis trishtimi i ra mbi fytyrë. Kur erdhën kafetë, ai ishte ende nën ato përshtypje dhe kujtime. E shkrepa disa herë aparatin ndërsa ai, me filxhanin në duar, po vështronte diku, veçse jo me sy, por me mendje. Kishte shumë për të kujtuar, mbase edhe plagë të vogla e të mëdha, mbase edhe ndonjë mbështetës në kohë kritike (p.sh., Llazar Siliqi), duke pahtësuar vazhdimisht mirënjohjen. Dallgët e ashpra të fatit, vetjake dhe familjare (ndër to dhe privimi i lirisë për të dhe dy vëllezërit) ai i kishte përballuar me nder dhe dinjitet.

Sidoqoftë, profesor Ramadani, matanë filxhanit të kafesë, si në një film me xhirim të shpejtuar, mund të shikonte mjaft gjera. Ato i kishin dhënë kënaqësi krijimi, por njëkohësisht ngërthenin vlera të veçanta për historinë dhe kulturën e vendit. Po ashtu, përqendrimi i vështrimit të tij plot mendim tregon se fotografimi nuk e ka prekur në rrjedhën e kujtimeve.

Kështu, me gjithë vështirësitë para tij për më shumë se gjysmë shekulli (veçanërisht ato psikologjike), ai arriti të zbulojë nëpër mjegullat e dendura të historisë sonë, figura të shquara, por fare të panjohura arbërore (p.sh. Niket Dardani), duke kryer kësisoj një shërbim shumë të veçantë ndaj botës shqiptare, sidomos etnomuzikologjisë së vendit tonë, një nga themeluesit kryesorë të së cilës ishte. Po ashtu, ai është autor i mbi 20 botimeve të ndryshme të natyrës shkencore (p.sh. “Figura e Skënderbeut në muzikë”), divulgative (si “Përtej 16 shekujve”) dhe mësimore (“20 miniatura pianistike”), mjaft të vlefshme për studiuesit, mësuesit dhe nxënësit e shkollave të muzikës.

Gjatë kohës së punës si arsimtar në Liceun Artistik në Tiranë, ai ka dhënë aty me përkushtim disa lëndë mësimore, si folklor muzikor, flaut, harmoni, histori muzike, teori solfezhi etj. Profesor Ramadani kishte drejtuar edhe ekspedita eksploruese ndërkombëtare për muzikën popullore nëpër Shqipëri (p.sh. me shkencëtarë gjermanë dhe rumunë), sidomos për atë të krahinës së Çamërisë.Ai ishte pjesëmarrës në disa kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare për çështje të etnomuzikologjisë shqiptare, duke folur në to me fakte dhe argumente të mprehta bindëse. Po ashtu, profesor Ramadani ishte një nga ideuesit e organizimeve të festivaleve folklorike kombëtare dhe drejtues edhe i atyre në Berat e Gjirokastër pas vitit 1992. Gjithmonë, pas fillimviteve ’90, profesori ynë ka dhënë leksione edhe për etnomuzikologjinë shqiptare, i ftuar në disa universitete të huaja (Romë, Stamboll. Athinë, Bolonjë, Bratislavë etj.). Me skenarë të tij janë xhiruar disa dokumentarë me karakter njohës dhe studimor të Kinostudios “Shqipëria e Re” për jetën dhe veprimtarinë e dy kompozitorëve të hershëm, Jan Kukuzeli e Niket Dardani, të arbëreshit Lorenzo Tardo, i dalluar në muzikën kishtare dhe të muzikantit shkodran Gjon Kujxhia.

Ndoshta, kujtonte edhe një studim shkencor të tij për muzikën popullore shqiptare, mundet i pari i llojit në historinë tonë, të botuar në shtyp në vitin 1944, në dy pjesë, por ende pa gjurmë pjesa e dytë (sipas shkrimtarit Pandeli Koçi). Edhe kompozimi ishte një nga veprimtaritë krijuese mjaft origjinale të profesorit, ai ishte autor i disa pjesëve për muzikë dhome dhe i këngës së njohur “Turtulleshë”, së cilës për shumë kohë nuk i bëhej i ditur emri i autorit. Siç u cek edhe më sipër, e vyer mbetet ndihmesa e tij në vite si mësues i palodhur muzike, çka bënte që shpesh të ngazëllehej, ndërkohë që dëgjonte për ndonjë ish-nxënës i tij instrumentist të shkëlqente në skena koncertesh të vendit dhe të huaja. Së fundmi, por jo nga rëndësia, mbase shkonte nëpër mend edhe sjelljen e vet dashamirëse e të një fisnikërie të rrallë me të tjerët, pavarësisht moshës dhe nivelit të tyre kulturor.

Me të gjithë veprimtarinë e tij të shumanshme, ai mbetet një Patriark Historik i Kulturës Shqiptare. Me këtë foto dhe këto rreshta i bëhet homazh figurës emblematike dhe të paharruar të muzikologut të shquar, profesor Ramadan Sokoli.

Postime të ngjashme

ITSHKSH dhe QSPA nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Zekirija Haxhiu

Doli nga shtypi libri “Xhamia simbol i Shkupit”

Zekirija Haxhiu

Lule në Lumbardh e thirrje për të mos e harruar figurën e Bekim Fehmiut

Lea Muslija

“Piedestal”, libri me personalitete që sjell një pjesë të historisë shqiptare

Lea Muslija

Prej të enjten kinemaja “Milenium” sërish fillon me punë

Dafina Vidishiqi

Stefoska: Kemi dërguar një letër interesi për programin e ri të BE-së për kulturë

Zekirija Haxhiu

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...