Kryeministri Avdullah Hoti ka takuar Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorin e Shtetit pas të gjeturave në raportin e BE-së për sistemin e drejtësisë në Kosovë, raporton Gazeta Express.
Hoti ka thënë se procesi i Vettingut do të bëhet me ekspertët e fushës.
“Takimi rezultoi me pajtimin e përbashkët që Qeveria e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe akterët tjerë të përfshirë në këtë proces do të përgatisin plane veprimi për adresimin e sfidave në fjalë, me qëllim që të bëhet më e mira për vendin dhe qytetarët. Po ashtu, u diskutua edhe çështja e Vettingut, proces i cili do të bëhet me ekspertë të fushës, shoqërinë civile dhe partnerët tjerë”, ka thënë Hoti.
Në gjetjet e raportit të Komisionit Evropian thuhet se Kosova ka shënuar progres të kufizuar në sistemin e drejtësisë dhe ai akoma cenohet nga ndërhyrjet politike.