Komisioni i Venecias ka publikuar raportin për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thotë se Komisioni i Venecias ka konfirmuar se qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetuese ndaj shtetit ligjor.
Deputeti i PD-së, nënvizon më tej se “qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
“Përshëndes me mirënjohje Komisionin e Venecias për opinionin profesional që konfirmon edhe njëherë që qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor. Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare”, shkruan Bardhi.
Sipas Bardhit, Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance.
“Edhe një herë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedent”, shkruan Bardhi.
