Rasti në Ferizaj, gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabilizuar
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është stabilizuar gjendja e vajzës 10-vjeçare që është një nga katër të plagosurit në sulmin e të hënës me thikë në Ferizaj.
Vitia ka thënë se falë intervenimit të mjekëve është shpëtuar jeta e vajzës, ndërsa ai ka thënë se në sulm dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë.
“Na lajmëruan për rastin që ka ndodhur në Ferizaj, ku një person ka plagosur 4 persona. Dy prej tyre në gjendje të rëndë. Një vajzë e cila ka qenë jashtëzakonisht rëndë, pas intervenimit nga mjekët, e futjen në sallë të operimit, gjendja e saj është stabile tash dhe jashtë rrezikut për jetë. Personi tjetër është në gjendje më të rëndë. Është duke u trajtuar, reanimuar dhe rehabilituar në Klinikën Emergjente. Mund të ndodhë të ketë nevojë edhe ai për intervenim kirurgjik. Një tjetër person është transferuar në Klinikën Maksilofaciale, gjendja është stabile. Një tjetër person ka marrë ndihmën e parë në Spitalin e Ferizajt.
Gjendja është stabile dhe është lëshuar në shtëpi”, ka thënë Vitia, që ka falënderuar mjekët për intervenimin e shpejt.
Lidhur me rastiin ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka falënderuar po ashtu mjekët për intervenimin e shpejt. Ai ka thënë se agresori është arrestuar dhe me të po merren hetuesit policorë.
Aliu pas therjes së katër personave në Ferizaj: Lutemi për shërimin e tyre
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e ka quajtur tronditës lajmin për therjen e katër personave sot në këtë qytet.
“Tronditës, lajmi për therjen e 4 qytetarëve – kalimtarë rasti në Ferizaj, dy prej të lënduarve të moshës minore e dy të tjerë të moshës madhor. Kryesi i këtij akti kriminal, brenda pak minutave është vënë nën prangat e Policisë. Tani drejtësia do të thotë fjalën e saj. Lutemi për shërimin e shpejt të të lënduarve!”, ka shkruar Aliu.
Aliu e ka përgëzuar reagimin e Policisë së Kosovës për të cilët tha se treguan profesionalizëm të lartë, “duke e shmangur zgjerimin e krimit”.
Një 10-vjeçare në gjendje të rëndë pas rastit në Ferizaj
Një vajzë 10-vjeçare është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në Emergjencë në QKUK pas sulmit me thikë në Ferizaj të hënën.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë.
Një 59 vjeçar në Ferizaj, dyshohet se theri me thikë katër kalimtarë
Një burrë në Ferizaj ka therur me thikë katër persona (kalimtarë rasti), përfshirë edhe dy të mitura. Rastet kanë ndodhur në rrugët ” Enver Topalli” , ” Halim Spahija” dhe ” Ejup Statovci”.
Për rtv21.tv rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
I dyshuar është një 59-vjeçar me inicialet E.S, i cili tashmë është arrestuar.
Veseli ka njoftuar se të lënduarit janë dërguar për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, 2 persona janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa 2 të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj.
Ekipe të shumta të policisë, pëfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Besim Rexhepi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit. Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Veseli.