Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

Reformë apo shuarje e partive të (para)luftës?

Shkruan: Fadil Lepaja

Skena e sotme politike e Kosovës është një kombinim i emrave, interesave, emocioneve të para luftës me ato të luftës. Në skenë është edhe faktori i tretë, i ndërkombëtarë ( i njohur si miqtë ndërkombëtarë) i cili me këtë material që e gjeti këtu gatoi për dy decenie kulaçin qeveritar, pa u shqetësuar fort se a është për masën e qytetarëve apo jo.

Në skenë ishin edhe qytetarët por nuk i pyeste kush. Miqve u mjaftonte të pajtoheshin liderët. Si formë e pakënaqësisë ndaj këtyre përllogaritjeve elitare, të brendshme dhe të jashtme, u formësua një lëvizje rezistence e cila përmbante idenë se qytetarët e Kosovës janë pjekur për të qenë të lirë dhe për të marrë vendime vetë. Por, për të vendosur vet duhej hequr nga skena këto parti që po flisnin në emër të tyre në bazë të skemave të moçme.

Krejt kjo, 20 vite pas lufte u formësua si lëvizje për ndryshime. Kështu, nga zgjedhjet e fundit u pa se partitë e vjetra, retorika e të cilave nuk po (mirë)kuptohet më nga gjeneratat të lindura apo rritura pas lufte, ose do të reformohen ose të shuhen.

Deri tash kemi pasur një përpjekje për ndryshime në LDK, që rezultoi me ndërrimin e kryesie dhe kryetarit. Një alarm të tillë, në formën e kërkesës për ndërrimin e kryesisë e kemi edhe në PDK, ndërkohë që partia e tretë, AAK nuk ka turbulenca të brendshme por ka rënie drastike të fuqisë dhe interesimit qytetar për të. NISMA mbeti jashtë.

A po e humbin partitë historike arsyen e ekzistimit të tyre në skemën e re? Pra, e kuptuat se do të flasim për liderët, kryetarët. Ndër ne kryetari është partia. Kryetari ishte edhe shteti.

Por të vish në krye të secilës nga këto parti, ka edhe kushte historike. Për të udhëhequr, për shembull me LDK-në, nuk ka rëndësi nga cili regjion vjen. Mund të ishe i lindur në Istog, në Llap, apo në Prizren, por duhet të jesh me një kulturë politike të veçantë dhe të jesh një intelektual me orientim të qartë properëndimorë. Gjithsesi, ka një pengesë. Nuk mund të ishe nga Drenica.

Për të udhëhequr PDK-në vlejnë të tjera rregulla. Fillimisht duhet kuptuar se udhëheqësi i kësaj partie duhet të jetë nga Drenica, pastaj të tjerat nuk janë të rëndësishme. Ai që gjuan shtagën më larg. Kështu kjo parti mori ngjyrat e luftës edhe pse u fillua si një parti e cila doli nga reformimi i ish Lëvizjes Popullore të Kosovës, dikur ilegale. Por kjo lëvizje ilegale asnjëherë nuk e kishte qendrën në Drenicë dhe brenda saj funksionuan fraksionet e ish lëvizjes dhe grupet rreth komandantëve të zonave. Identifikimi i kësaj partie me rezistencën e familjes Jashari e bëri PDK parti të luftës dhe krijoi një urë mes fraksioneve. Mosmarrëveshjet e krerëve të PDK me familjen Jashari krijuan turbulenca brenda kësaj partie dhe sollën në pyetje arsyet e ekzistimit të kësaj partie.

Tash kur po shihen lëvizjet për ndryshime në dy komunat kyçe të PDK-së në Drenas dhe Skenderaj, e ardhmja e kësaj partie nuk është aspak e sigurte nëse nuk bëhen “reforma”. Por, a mund të jetë kryetari i saj, qoftë edhe i përkohshëm, lidhje mes fraksioneve ?

Ndërkaq për aleancën vlejnë rregulla të tjera. Udhëheqësi i kësaj partie ka vetëm një identifikim dhe ky është Zona operative e Dukagjinit dhe komanda e saj, e cila në luftë ishte e drejtuar nga një familje dhe në paqe vazhdon të jetë kështu. Kjo parti është angazhim i drejtpërdrejtë dhe energji e një njeriu të vetëm i cili u bë strumbullar i një organizimi politik që u veçua mbi bazën regjionale pa arritur asnjëherë të fuqizohej në ndonjë regjion tjetër me rëndësi. Pra, të jesh kryetar i AAK, duhet të jesh Haradinaj. Pa Ramushin, kjo parti nuk ka arsye të ekzistoj.

Duhet kuptuar, kjo nuk është analizë shkencore. Është politike dhe historike. Dikujt mund të i duket edhe histerike. Sidoqoftë, vështirë se mund të mohohet se partitë tona kanë zanafillën jo në të tashmen dhe në nevojat e qytetarëve por në histori. Prandaj këto zgjedhje e kryen luftën dhe dominimin e ish luftëtarëve në politikë dhe shënuan kthimin kah qytetari. Kjo luftë po përfundon nga brenda, ndërkohë që për të përfunduar njëherë e përgjithmonë Kosovës i duhet një marrëveshje e qëndrueshme me fqinjët e sidomos me Serbinë dhe përfshirja në BE.

E vetmja parti e cila nuk ka histori lufte është Lëvizja Vetëvendosje. Në fakt, drejtuesit e saj edhe mund të kenë histori (para)lufte, por ajo ka lindur si nevojë e pasluftës, si pozicionim qytetar ndaj UNMIK-ut dhe byrokracisë së re kosovare të instaluar nga jashtë. Ka që thonë se për të qenë udhëheqës i “Vetëvendosjes” duhet të plotësosh veç një kusht: të jesh Albin. Aktualisht, kjo lëvizje i ka kryer reformat, duke e përballuar përçarjen e madhe me të cilën u përball, para zgjedhjeve të 2020 kur u pa se partive të vjetra u ka kaluar mandati. Por kjo është një parti dhe lider me pretendime me të reformojë vetë shtetin dhe shoqërinë kosovare.

Ambiciet e Lëvizjes Vetëvendosje janë edhe më të gjera, pra kombëtare. Aktiviteti i saj do të përkrahet ose jo varësisht përkrahjes nga ana e qytetarëve të Kosovës për angazhime kaq të gjera dhe për ndryshime kaq rrënjësore. Këtu do të formësohet opozita e re. Përballë saj ose do të dalin parti të reformuara me lider të rinj ose vet qytetaria kosovare do të nxjerr një alternativë të re që do të bëjë opozitën.

A mund të korrigjojë historia të ardhmen? A mundet e ardhmja të korrigjojë historinë? E pse jo?

Këto zgjedhje, luftën e dërguan në histori, ndërsa ushtrinë në kazerma. Dërguan në histori, nxorrën nga skena ish komandantët me masën e veteranëve dhe sollën në skenë qytetarin me nevojat e tij. Një opozitë e (re)formuar, mbi bazën e interesave të qytetarëve, do të forconte shpresën se politika jonë nuk është vetëm “vazhdim i luftës me mjete tjera”!

Postime të ngjashme

Udha e shtrembër e Maqedonisë dhe “Platforma” shqiptare

R Zh

Ballkani dhe kundërthëniet e fuqive të mëdha

R Zh

“TË LUFTOSH SI FEMËR”

Z H

Kush e financon lëvizjen politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe në trojet tjera etnike nën sundime të huaja?

Z H

Мë shumë varfëri se bamirësi

R Zh

E vrisja mendjen, pse po flitet: “Vaj-vatani e mjerë mileti, në çfarë derexhe erdhi Ali Ahmeti”!

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...