Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni TOP LAJM

Regjistrimi i diasporës kontestohet nga opozita

Shkup, 8 prill, Zhurnal.mk – Opozita në Maqedoninë e Veriut thotë se edhe në shtator nuk do të pranojë rezultatin e regjistrimit të popullsisë, nëse vazhdon regjistrimi i diasporës dhe nëse e njëjta përfshihet në numrin e përgjithshëm të popullsisë. Ajo vlerëson se pjesë e regjistrimit nuk mund të jenë ata që më shumë se një vit qëndrojnë jashtë vendit. Ngjashëm vlerësojnë edhe ish drejtues të Entit të Statistikës. Por drejtuesit aktual të këtij enti hedhin poshtë këto pretendime duke theksuar se ligji e parasheh një gjë të tillë. Përfaqësues të diasporës thonë se janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar që jeton në Maqedoni të Veriut, andaj edhe duhet të përfshihen në regjistrim

Regjistrimi i popullsisë së Maqedonisë së Veriut mund të dështoj edhe në shtator, bazuar në qëndrimet e opozitës maqedonase, e cila konteston regjistrimin e diasporës, apo të shtetasve të cilët më gjatë se një vit jetojnë apo punojnë jashtë vendit.

Nga VMRO DPMNE-ja kanë bërë të ditur se “në regjistrimin e popullsisë nuk mund të përfshihet diaspora e cila më shumë se një vit ndodhet jashtë vendit, pasi kjo është në kundërshtim me ligjin për regjistrim dhe praktikat ndërkombëtare, në veçanti me Eurostatin, i cili qartë përcakton se cilat kategori të qytetarëve mund të përfshihen në regjistrim”.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, disa herë ka bërë të ditur se partia e tij nuk do ta njoh rezultatin e regjistrimit, nëse në të përfshihen edhe ata persona që jetojnë një kohë të gjatë jashtë vendit.

Por, zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji për regjistrimin nuk bënë kufizime të tillë. Ai parasheh regjistrim të popullatës rezidente dhe jo rezidente, që në fund do të përbëjnë numrin e përgjithshëm të popullatës.

“Ligji për regjistrim askund nuk përdor termin evidentim (siç pretendon Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së), por regjistrim. Kështu që të gjithë ata që përdorim terme të ndryshme, këtë e bëjmë për të përhapur propagandë dhe për të futur huti në regjistrimin e diasporës që është në rrjedhë e sipër”, thotë Selami.

Por, ish drejtori i Entit të Statistikës, Gjoko Gerasimovski, vlerëson ndryshe nga Selami duke e mbrojtur qëndrimin e VMRO DPMNE-së.

“Të gjithë personat të cilët më shumë se një vit ndodhen jashtë vendit, apo që qëndrojnë në një shtet tjetër qoftë me punë apo arsye tjetër, ata numërohen në vendin se ku ndodhen. Pra, këta persona nuk mund të jenë pjesë e regjistrimit. Këta persona mund të përfshihen në regjistrim, si shtetas në Maqedonisë së Veriut, por vetëm si jo rezident, edhe atë për nevoja të caktuara të shtetit dhe jo si rekomandim apo standard ndërkombëtar”, thotë Gerasimovski.

Ai konsideron se regjistrimi është nevojë dhe duhet patjetër të ndodhë, por ndërkohë partitë duhet të ulen sipas tij dhe të sqarojnë të gjitha dilemat, që të mos vijmë në situatë të dështimit të regjistrimit, ashtu siç ndodhi në vitin 2011.

Por, Ilmi Selami, zëvendës drejtor i Entit të Statistikës, thotë se ligji i miratuar është i qartë, ndërsa dilemat e paraqitura nga opozita i konsideron politike për shkak të interesimit të madh të diasporës për tu përfshirë në regjistrimin që atje do të vazhdoj deri në shtator, kur ky proces të nis edhe brenda Maqedonisë së Veriut.

“Kontestimet e tilla mund të çojnë në situatë që rezultatet e regjistrimit të mos pranohen nga ndonjëra nga palët. Por, çdo arsye apo shkak nuk mban pasi po të kishte pasur ndonjë dilemë do të ishte bërë pjesë e ligjit në bazë të marrëveshjes së arritur nga dy liderët maqedonas”, thotë Selami.

Diaspora ka nisur të regjistrohet më 1 mars dhe ky proces do të zgjas deri më 5 shtator kur do të nis edhe regjistrimi brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

Nehat Ismaili është një nga përfaqësuesit e diasporës që po jep ndihmë në regjistrimin e shtetasve që jetojnë jashtë vendit. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se diaspora është pjesë e pandarë e kombit shqiptar që jeton në Maqedoninë e Veriut dhe duhet të përfshihet në numrin e përgjithshëm të popullatës.

“Mërgata konsiderohet pjesë e pandarë e popullatës pasi ne këtu jemi përkohësisht ndërsa atje kemi shtëpitë tonë, kemi familjet, atje është atdheu ynë, jemi autoktonë. Meqë përmes numrave dhe regjistrimit populli shqiptar arrin të realizoj të drejtat e veta juridiko kushtetuese, ne filluam të sensibilizojmë gjithë popullatën që të regjistrohet që të dihet numri i saktë i shqiptarëve. Kërkojmë që partitë politike shqiptare të jenë syçelë dhe të mos bien në grackën e këtyre lojërave të pandershme që të përgjysmohet numri i shqiptarëve”, thotë Ismaili.

Regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të mbahet nga 1 deri më 21 prill, por u shty për në shtator me kërkesë të opozitës, me arsyetimin e përkeqësimit të gjendjes pandemike. Por opozita shqiptare druan se pas kërkesës qëndrojnë arsyeje të tjera, përkatësisht interesimi i lartë i diasporës shqiptare për tu regjistruar që sipas partive opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, mund të ndryshojnë strukturën etnike në vend. Në Maqedoninë e Veriut regjistrimi i fundit është mbajtur gati para 20 vitesh dhe në bazë të tij, shqiptarët përbëjnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë. (REL)

Postime të ngjashme

Nuhiu takon Isenin / Gjuha shqipe edhe do të shkruhet edhe do të mbrohet gjithandej

R Zh

Komuna e Çairit shënon ditën e planetit Tokë

R Zh

Sllavjanka Petrovska: Apeloj te të gjithë qytetarët ta mbështesin procesin e vaksinimit

N E

Hoxha: Opozita nuk ka të drejtë të akuzon funksionarët, përderisa nuk jep llogari për (keq)menaxhimin e institucionit të Kulturës

R Zh

Analizë / RMV-të renditet i 30 në Evropë për nga numri i vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur me 120 vdekje në 100 mijë banorë

R Zh

Nga nesër do të vaksionohen deputetët në sallën Boris Trajkovski

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...