Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar

Regjistrimi kërkon besim të plotë – Mickoski bën lojë politike, pasi nuk mund ta ndërpres këtë proces

Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 29 dhjetor – Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe 4 muaj para se të ndodhë regjistrimi, qeveria dhe opozita në Maqedoni ende nuk mund të bien dakord se si të kryejnë operacionin më të madh statistikor në vend në 20 vitet e fundit. Reagimet e opozitës vijnë pasi qeveria vendosi ta tërheqë projekt-ligjin e regjistrimit nga parlamenti dhe ta rikthejë atë me një shenjën e BE-së për të parandaluar një bllokim të opozitës. Regjistrimi që do të kryhet vitin e ardhshëm do të kushtojë tetë milion e gjysmë euro dhe do të jetë pesë milion euro më pak se regjistrimi i dështuar i vitit 2011.

Opozita kërkon regjistrim me gjurmët e gishtërinjve

Opozita VMRO-DPMNE kërkoi që të sigurohen 10,000 pajisje të gjurmëve të gishtave për regjistrimin, përndryshe ata thonë se nuk do ta mbështesin regjistrimin, sepse sipas mënyrës që LSDM planifikon ta mbajë atë, do të dalë një numër joreal i banorëve, dmth dhe rreth 3 milionë qytetarë.

Sipas opozitës maqedonase, me këto pajisje do të jenë në gjendje të gjurmojnë gishtat dhe vetëm atëherë do të bëhet një regjistrim i vërtetë, i cili do të na japë informacione reale statistikore. Sipas partisë së Mickoskit me terminalet e gjurmëve të gishtërinjve, do të kryhet një inspektim i vërtetë për të gjithë qytetarët rezidentë, dhe kështu do të bëhet një dallim midis qytetarëve që kanë shtetësi, nga banorët aktualë.

Duke theksuar se opozita nuk do ta pranojë regjistrimin të këtillë siç është i konceptuar, Mickoski tha se qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do të realizojë regjistrim kredibil të popullsisë, i cili me të vërtetë do të jetë operacion statistikor, e jo në fund të japë përgjigje politik.

Opozita maqedonase pretendon se shqiptarët përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë dhe kjo, sipas partisë VMRO-DPME, do të vërtetohej përmes një regjistrimi të drejtë të popullatës.

VMRO-ja kërkon që të përcaktohet se cilat dokumente do të pranohen gjatë regjistrimit, cilat baza të të dhënave do të përdoren për të bërë dallimin midis vendbanimit dhe qëndrimit, si dhe të rishikohet mundësia që diaspora të regjistrohet vetë përmes një aplikacioni, por edhe të mos përfshihen ata persona që më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit.

LSDM: Propozimi është joreal, Zaev kërkon para për donacione

Propozimi i fundit i opozitës, i cili erdhi nga VMRO DPMNE, për të përdorur një gjurmë gishtash shkaktoi reagime të ndryshme. Përderisa Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski dhe shefi i Zyrës së Statistikave, Apostol Simovski e konsiderojnë atë një propozim joreal, kryeministri Zoran Zaev siguron se do të krijohen kushtet që regjistrimi të bëhet në pranverë. Ai njofton se do të bëhen përpjekje për të blerë pajisje të gjurmëve të gishtërinjve, megjithëse fakti është se koha po mbaron dhe ka mbetur shumë pak hapësirë ​​për përgatitjen e regjistrimit, i cili nuk është kryer në vend për 18 vite.

“Unë nuk e di se si qytetarët të cilët janë larguar për më shumë se një vit do të japin gjurmë gishtash, por ne jemi duke bërë përpjekje, nëse është e nevojshme, për t’u marrë me pajisjet e gjurmëve të gishtave”, tha Zaev në Tetovë.

Ministri i Drejtësisë ka rënë në kontakt me donatorët për të parë nëse mund të sigurojmë donacione. Në Maqedoninë e Veriut ka ambasada që ndajnë mbi 20 milion euro mbështetje për zgjedhjet, kështu që kërkohet nga ata të paktën të ndajnë pesë milion euro, që të blihen pesë mijë pajisje të cilat do të përdoren për zgjedhjet, por ato gjithashtu do të ndihmojnë për regjistrimin.

Regjistrimi të kryhet në përputhje me standardet e Eurostat

Regjistrimi duhet të mbahet dhe të fitohen të dhëna të cilat janë të rëndësishme për çdo shtet. Personat të cilët janë jashtë shtetit më gjatë se një vit, sipas rregullave të EUROSTAT-it nuk bëjnë pjesë në popullsinë vendore. Çfarëdo që të jenë rezultatet, askush as nuk do të fitojë më shumë të drejta ose të humb të drejtat e mëparshme.

Në seancë të Qeverisë është sjellë konkluzion që çdo hyrje dhe dalje nga shteti të jetë i regjistruar, për shkak të nevojës për regjistrim të popullsisë. Edhe në qoftë se pandemia zgjat edhe deri në pranverë kur planifikohet që të mbahet regjistrimi i popullsisë, nuk do të ketë nevojë që regjistrimi të prolongohet për shkak se nuk është operacion i rrezikshëm.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në regjistrimin e fundit, jetojnë 25.17 për qind shqiptarë, por kjo përqindje në vazhdimësi është kontestuar nga pala maqedonase, në veçanti nga partitë opozitare.

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, realizohen sipas Kushtetutës, bazuar pikërisht në përqindjen e tyre. Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.

Edhe pse lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski paralajmëroi amandamente për ligjin për regjistrim të popullsisë, nuk është e mundur që opozita ta bllokojë miratimin e tij, për shkak se është me shenjën e Bashkimit Evropian.

Derisa shtetet botërore gjithnjë e më shumë e lëshojnë metodën tradicionale të regjistrimit të popullsisë dhe vendosin për regjistrime vjetore, madje edhe gjysmë vjetore, të cilat kryhen nëpërmjet kryqëzimit të të dhënave nga institucionet shtetërore, Maqedonia e Veriut thuajse 20 vite nuk mund të organizojë regjistrim të popullsisë.

Pengesë më e madhja është mosbesimi i të dhënave të fituara, mosbesimi në formulimin e pyetjes, por edhe mosbesimi i mënyrës për mbledhjen e të dhënave. Mospasja e të dhënave statistikore për shoqërinë në të cilën jetojmë dhe punojmë, thjeshtë thënë, është mënjanimi i përballjes me realitetin dhe faktet e institucioneve në vend.

Prandaj, opozita edhe pse nuk mund ta ndalojë procesin e regjistrimit është e rëndësishme që ky proces të jetë i besueshëm.

Postime të ngjashme

Rregullatori evropian i ilaçeve paralajmëron për kujdes me vaksinën ruse

T E

Azeski: Pjesëmarrja e arsimit në Buxhet të rritet prej 3,5 në 5 për qind

T E

Mos punimi të dielën do të shkaktojë humbje financiare, si dhe vende të punës

R Zh

Izet Mexhiti tërhiqet nga pozita koordinator i grupit të deputetëve të BDI-së

T E

Ramazani sërish në orë policore?!

T E

Shkaku i Bullgarisë, Shqipëria le pas Maqedoninë e V. në rrugën drejtë BE-së

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...