Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni TOP LAJM

REGJISTRIMI/ Pendarovski: Duhet të na frikësojë numri i qytetarëve të emigruar

Shkup, 29 janar – Suksesi i një vendi matet me aftësinë e tij për t’u ballafaquar me efektet e shumta ekonomike, sociale, shëndetësore, mjedisore dhe arsimore nga pandemia. Një nga elementët kryesorë që është i nevojshëm për politikat e suksesshme është pasqyra reale e popullsisë dhe struktura e saj ekonomike, arsimore dhe sociale. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të marrë pasqyrë reale përveç përmes regjistrimit si një operacion statistikor i cili është parakusht për çdo shtet të organizuar që të mund të planifikojë zhvillimin e tij. Fatkeqësisht, për arsye të njohura nuk i kemi pasur këto parametra vitale statistikorë për gati 20 vjet.

Kjo u deklarua nga shefi i shtetit Stevo Pendarovski në takimin e sotëm të udhëheqjes shtetërore dhe kryetarëve të komunave të organizuar nga Enti Shtetërore për Statistik për koordinim në lidhje me regjistrimin vijues. Ai theksoi se për shkak të thirrjes publike mbi regjistrimin, para nënshkrimit të Dekretit për shpalljen e Ligjit, ai është konsultuar me përfaqësues të institucioneve përkatëse shtetërore, ekspertë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë në këtë fushë, përfshirë edhe Eurostat, kurse qëndrimi i tyre i përgjithshëm ka qenë që dispozitat e ligjit nuk shmangin normat dhe parimet standarde ndërkombëtare dhe nga praktika e organizimit të regjistrimeve në shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

“Kjo është arsyeja pse jam thellësisht i bindur se zgjidhja ligjore në vetvete nuk paraqet pengesë për zhvillimin korrekt të regjistrimit. Gjithashtu jam i bindur se Enti Shtetëror i Statistikave ka njohuri, përvojë dhe burime të mjaftueshme për realizimin e këtij operacion të rëndësishëm statistikor në mënyrë profesionale, duke respektuar të gjitha rekomandimet dhe masat për mbrojtje nga KOVID-19, tha Pendarovski, përcjell Zhurnal.mk

Sipas tij, problemet në lidhje me regjistrimin nuk janë as ligjore, as kushtetuese, as teknike, as shëndetësore, kurse sfida më e madhe në zbatimin e tij mund të jetë vetëm politizimi i panevojshëm që është krijuar në opinion periudhën e kaluar.

“Ky politizim përfshin thirrje për bojkot të regjistrimit, oferta për përqindjen e komuniteteve dhe paralajmërimet se rezultatet nuk do të pranohen nëse nuk pasqyrojnë numrin e dëshiruar të dikujt. Megjithëse vijnë nga anë të ndryshme, të gjitha përpjekjet për politizim kanë një emërues të përbashkët. Gjegjësisht, të gjitha janë pasqyrim i frikës nga rezultatet e regjistrimit. Sipas mendimit tim, kjo frikë buron nga një keqkuptim i konceptit të të drejtave të njeriut si gjoja një tërësi privilegjesh që dikush i jep ose ia merr dikujt. Për fat të keq, është e vërtetë që në Ballkan, të drejtat e njeriut shikohen ende përmes një prizmi etnik dhe regjistrimi nuk perceptohet si operacion statistikor, por si një projekt politik. Prandaj, kur numërojmë në rajon, ne ende besojmë se forca është te numrat dhe se të drejtat tona varen vetëm nga ata numra. Kjo është arsyeja kryesore pse ne nuk kemi organizuar regjistrim për gati 20 vjet dhe pse e kemi ndaluar atë në vitin 2011.

Por të drejtat dhe liritë e njeriut nuk janë privilegje që mund të humbin ose të merren në varësi të vullnetit të dikujt. Në një vend demokratik me një të ardhme evropiane, të drejtat e fituara nuk duhet të merren, por vetëm të rriten, dhe kjo duhet të zbatohet për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga numri i tyre”, tha presidenti Pendarovski, përcjell Zhurnal.mk

Në këtë kuptim, shtoi ai, politizimi i regjistrimit është vetëm një defokusim nga problemet reale me të cilat përballen qytetarët d Maqedonisë, kurse ato janë kryesisht në sferën ekonomike dhe shoqërore, sundimin e ligjit dhe si pasojë e tyre – emigracioni.

“Nëse ka një gjë që duhet të na frikësojë të gjithëve nga ky regjistrim, është numri i qytetarëve të emigruar, numri i të rinjve që janë larguar përgjithmonë nga vendi në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Ky është një nga kërcënimet më të mëdha për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qytetarët e të gjitha bashkësive etnike dhe fetare po emigrojnë. Ata emigrojnë nga të gjitha komunat, nga të gjitha qytetet dhe fshatrat. Efektet negative të emigracionit ndihen drejtpërdrejt në nivelin lokal”, tha presidenti I shtetit, Pendarovski.

Është vërtetë, thotë ai, se regjistrimi i ardhshëm do të na ballafaqojë me frikën tonë më të madhe. Por këto nuk janë frikë nga të tjerët, të ndryshmit, por frikë se sa pak ka me të vërtetë në shtetin tonë të përbashkët.

Sipas tij, ne kemi nevojë për një regjistrim, rezultatet e të cilit nuk do të kontestohen, kurse parakusht për këtë është që të kemi konsensus politik që pavarësisht nga rezultatet, të drejtat e askujt nuk do të rrezikohen ose merren. Ai u bëri thirrje kryetarëve të komunave që të dërgojnë pikërisht porosi të tilla për banorët në komunat e tyre dhe që efektet e një regjistrimi të realizuar mirë do t’i ndjejnë më së shumti pikërisht nga qytetarët në nivelin lokal. (Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Për një dekadë nuk është blerë asnjë zjarrfikëse e re

Z H

Zjarre edhe në Rakotinc dhe Kuçkovë të Shkupit

Z H

Shtabi i krizës në Kumanovë u bëri thirrje qytetarëve t’I respektojnë rekomandimet e Qeverisë

Z H

BE-ja dërgon pajisje dhe ndihmë për përballje me zjarret në Maqedoninë e Veriut

Z H

U ndanë 11 vendime për Kopshtin e fëmijëve “Fidani”

Z H

Prilep/ 11 qytetarë ngelin pa shtëpi, digjen dhe barakat sociale, shpëtohen 3 foshnje

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...