Rikthehet fokusi në edukimin mediatik si nevojë për rritjen e besueshmërisë!

nga I.A

Shkup, 30 tetor – Edukimi mediatik është tema më e diskutueshme si nevojë e patjetërsueshme për edukimin e gjeneratave të reja. Edhe pse qasje në informimin publik kanë të gjithë gjeneratat pa dallim moshe. Por, duke marrë për bazë funksionet e mediave, si informimi, orientimi, edukimi i publikut, s ot publiku bombardohet nga burime të shumta për marrje të informatave. Këto burime shpesh herë dinë të jenë edhe jo të vërteta, manipulative, me spine, e plotë propagandë për qëllime përfitime apo të tjera. Masa preventive më adekuate për mbrojtje nga lajmet pa autor e portalet pa redaksi është edukimi i mirëfillt mediatik, shkruan Zhurnal.

Edukimi mediatik nuk është vetëm aftësi por edhe domosdoshmëri, shteti të krijojë kushte për gazetarët që të sigurojnë informacione të besueshme –

Edukimi mediatik nuk është vetëm aftësi, por është domosdoshmëri për çdo faktor shoqëror. Arsimi joformal, ngjarjet publike, smeinaret dhe punëtoritë luajnë rol kyç në krijimin e rezistencës kyçe kundër dezinformatave. Shteti duhet të krijojë kushte për media të pavarura, ku gazetarët do të mund të punojnë lirshëm dhe të sigurojnë informacione të besueshme për opinionin publik, me qëllim mbrojtjen e demokracisë. Këto ishin një pjesë e mesazheve, të theksuara sot në debatin publik në Kuvend, që u mbajt me rastin e ditës së edukimit medial.

Debati publik është në organizim të Forumit rinor arsimor (FRA), në bashkëpunim me Klubin për çështje dhe politika rinore. Sipas kryearit të Kuvendit, Afrim Gashi, me rëndësi thelbësore është që të mësojmë t’i dallojmë informacionet e vërteta nga të rremet.

“Kur jemi në javën globale të edukimit mbi mediat dhe informacionin, kam kënaqësi të veçantë të ndodhem në mesin tuaj, për të reflektuar mbi rëndësinë jetike të medias dhe edukimit medial, që janë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë. Kush kontrollon mediat, ka kontrolluar mendjet” është një citat kuptimplotë të cilin nuk po e përmend rastësisht; është një mesazh që përkon me situatën dhe temën e sot”, theksoi Gashi në fjalimin e tij në debat.

Gashi nënvizoi se nuk është një detyrë e lehtë në një botë të globalizuar dhe digjitale, ku media ka padyshim protagonizmin e kësaj epoke, por, përballë kësaj sfide, kërkohet një angazhim i përbashkët, një punë serioze dhe qasje gjithëpërfshirëse. Duhet vazhdimisht të promovojmë edukimin mediatik në shkolla, universitete, institucione dhe në komunitete të ndryshme. Vlerësoj se kjo është një mundësi kyçe për të thelluar bashkëpunimin mes institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave që punojnë për këtë qëllim. Sipas tij duhet të forcojmë projektet tona dhe të sjellim ide konkrete për të siguruar edukim efektiv mediatik, që do të na mundësojë të shfrytëzojmë mediat në favor të informimit të drejtë, ndërgjegjësimit dhe promovimit të diversitetit.

Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska në fjalimin e saj sot në Kuvend theksoi se edukimi medial është kyç në shoqërinë tonë, në periudhën kur informacioni është i kapshëm lehtë dhe njëkohësisht mund të jetë edhe kontrovers. Ajo nënvizoi se në epokën e fluksit të informacioneve, edukimit mediatik është qendër e gravitacionit në luftën kundër lajmeve të rreme.

Koordinatorja e Klubit të çështjeve dhbe politikave rinore, Dragana Bojkovska konsideron se me nxitjen, mbrojtjen dhe promovimin e edukimit mediatik në dritën e saj të vërtetë, kryejmë edhe mbrojtje të demokracisë.

“Njohuria mediatike nuk është thjesht një aftësi, por një domosdoshmëri, sepse një person modern në shoqëri duhet të orientohet në këtë botë, në të cilën kemi një fluks të madh lajmesh. Është e rëndësishme të zbulohet se cilat lajme janë të vërteta, cilat janë të rreme dhe cilat janë lajme që mund të jenë krijuar qëllimisht, për të përhapur dezinformata të caktuara”, tha Bojkovska.

Deputeti, Bojan Stojanovski sot në prezantimin e tij sugjeroi që në punëtoritë e mëposhtme të përfshihen edhe punonjësit e mediave që do të japin mendimin e tyre për këtë temë. Ai propozoi gjithashtu organizimin e forumeve të ndara sipas qarqeve dhe bashkive në vend, ku do të diskutohet kjo temë.

Edukimi mediatikë si nevojë imediate –

Edukimi mediatik dita ditës po bëhet nevojë imediate për shoqërinë, që sa më herët fillon të aplikohet aq më herët fillon vetëdijesimi të lartësohet, por gjatë kohës së fushatave zgjedhore duhet të jetë i pashmangshëm në mënyrë që të mundësohet një fushatë zgjedhore reale, fer dhe demokratike. Në të kundërtën, partitë që janë në pushtet kapin media, ose krijojnë edhe media të tyre dhe pushteti i tyre bëhet absolut, funksioni i mediave shndërrohet në zëdhënëse të partive të pushtetit, dhe dalëngadalë rrëshqasim në monarki. Me edukim mediatik qytetarët janë në gjendje të bëjnë vlerësime adekuate të kandidatëve që garojnë dhe ekspozohen në media, si dhe kandidatët do të jenë me standarde reale në daljet e tyre në media, sepse këtë do ta kërkon dhe vetëm këtë do ta pranon publiku.

Përmes edukimit mediatik publiku krijon standarde dhe kritere edhe për mediat se çfarë ato duhet të ndajnë me publikun, në të kundërtën nuk ndiqen e kundër tyre protestohet, si dhe për mediat lirohen kanalet e frymëmarrjes, mund të frymojnë lirshëm pa qenë të kërcënuara nga kapja eventuale e tyre. Edukim mediatik kurdoherë, media të pavarura çdoherë, kritikë objektive për çdo informacion, fushatë zgjedhore normale dhe ideale vetëm kur edukimi mediatik do të jetë praktikë reale. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More