Shkup, 7 nëntor – Zgjedhjet politike janë vula e demokracisë, por zgjedhjet në SHBA janë dëshmi e gjallë që interesi i botës zhvendoset atje për të parë e mësuar për procesin e zgjedhjeve. Ky proces përfundoi ngjashëm sikurse filloi pa ndonjë incident të rëndë që të pengojë zgjedhjet, kështu që si përfundim Donald Trump do të jetë përsëri president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump arriti t’i tejkalojë ndasitë brenda Partisë Republikane, sfidat ligjore nga mandati i parë në vitet 2017-2021, dhe një atentat ndaj tij. Në moshën 78 vjeç, Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Bidenit, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë. E nuk munguan as uratat e liderëve të rajonit, gjë që dëshmon se varësia e rajonit ndaj SHBA-së është e pakontestueshme, shkruan Zhurnal.
Liderët e rajonit uruan rikthimin e Trump në SHBA –
Liderët e vendeve të rajonit kanë uruar kandidatin republikan, Donald Trump, i cili shpalli fitore në zgjedhjet e djeshme në SHBA. Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, përmes një postimi në rrjetet sociale uroi Trump-in, duke shprehur bindjen se do të vazhdojë bashkëpunimi mes dy vendeve.
“Urime Presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Uroj që lidershipi juaj të sjellë përparim dhe një të ardhme të ndritur për të gjithë amerikanët. Jam e bindur se, me qëllimet tona të përbashkëta dhe partneritetin e fortë, ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin tonë”, u shpreh Siljanovska Davkova.
Urim shprehu edhe kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se pret thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve.
“Kjo fitore është një konfirmim i besimit të thellë të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Me padurim pres që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformës demokratike. Maqedonia mbetet e përkushtuar për ndërtimin e lidhjeve edhe më të forta me SHBA-në, si aleat dhe mik strategjik, lidhje të cilat do të vazhdojnë të forcojë stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit. Urimet më të mira për Presidentin Trump dhe gjithë popullit amerikan”, theksoi Mickoski.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në urimin e tij tha se Maqedonia e Veriut mbetet një aleat i palëkundur i SHBA-së.
“Urime Presidentit Donald Trump për fitoren e tij! Ky moment pasqyron forcën e demokracisë amerikane. Maqedonia e Veriut mbetet një aleat i palëkundur i politikave zhvillimore dhe stabilizuese të SHBA-së. Mezi presim të thellojmë partneritetin tonë strategjik me administratën e re”, u shpreh Gashi.
Urim dërgoi edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
“Urime Presidentit Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhje! Mezi pres të punoj me mikun tim të mirë Richard Grenell dhe administratën e re Trump për të çuar përpara vizionin tonë të përbashkët për paqen dhe prosperitetin global. Së bashku, ne mund të ndërtojmë partneritete të forta dhe të nxisim ndryshime pozitive në skenën ndërkombëtare”, u shpreh Mucunski.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u shpreh se pret të forcojë me tej bashkëpunimin me SHBA-në.
“Urime për fitoren në zgjedhje Donald Trump. Shqipëria vlerëson miqësinë tonë të gjatë dhe partneritetin strategjik dhe unë pres që ta forcojmë më tej këtë bashkëpunim të ngushtë”, është shprehur Begaj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përcjellë mesazhin e tij për zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke uruar kandidatin republikan Donald Trump, pasi shpalli fitoren në zgjedhje. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama ka uruar Donald Trumpin, sipas tij “për këtë fitore të jashtëzakonshme”.
“Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Pres me padurim të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, ka shkruar Rama.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar për fitoren kandidatin republikan për president në zgjedhjet e SHBA-së, Donald Trump. Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar të mërkurën se “SHBA-ja mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës”.
“Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka shkruar në reagimin e saj Osmani.
Kryeparlamentari Konjufca duke uruar Trump-in për fitoren, tha se “mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane, për të thelluar edhe më tutje raportet tona të shkëlqyera”.
“SHBA-ja është kryealeati ynë, me të cilin ndajmë vlerat, synimet dhe interesat, të cilat jam i bindur se do t’i shtyjmë përpara edhe më tutje gjatë mandatit të presidentit Trump”, shkroi Konjufca.
Fitoren e kandidatit Trump për president të SHBA-së e uroi edhe kryeministri Kurti.
“Urime president Donald Trump në fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është aleat kyç, mike dhe partner e Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, shkroi Kurti.
Një gjë është e sigurt që raportet me vendet tjera janë të ndërtuara me presidencën e SHBA-ve pavarësisht figurave që ndërrohen politikat mbesin të njëjta. Pra, janë disa çështje që vetëm zbatohen dhe asesi nuk duhet të ndryshohen sepse prishin interesat strategjike të SHBA-së. Prandaj, edhe përkundër gjitha pritshmërive për ndryshime eventuale në rajon sërish gjendja do të mbetet e njëjta, e gjërat mund të lëvizin vetëm në kontekst pozitiv. /Zhurnal.mk