Rikthimi spektakolar i heroit të luftës së Kosovës, Wesley Clark!

NGA PROF. AS. DR. ENVER BYTYÇI

 

Ish-Komandanti i Forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali i famshëm, Wesley Clark, u rikthye sërishmi në Kosovë. Më 23 mars të vitit 1999 ai e la për herë të fundit Beogradin, pasi dështoi ta bindë diktatorin serb, Sllobodan Milosheviç, të hiqte dorë nga dhuna e terrori në Kosovë. Dhe një ditë më pas u vu në krye të sulmeve ajrore të Aleancës Atlantike kundër Serbisë. Ato sulme çuan çlirimin e vendit nga sundimi dhe kolonizimi serb njëshekullor. Çuan edhe në marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit të atij viti midis NATO-s dhe Serbisë, marrëveshje e cila është interpretuar sipas konjukturave politike. Ndonjëherë edhe keqinterpretuar që t’i bindin shqiptarët se “Veriu i Kosovës është i humbur për shkak të kësaj marrëveshjeje”! Kjo lloj propagande është dëgjuar në gojën e Hashim Thaçit dhe Baton Haxhiut. Por rikthimi i Wesley Clark e demanton këtë thash e them serb në gojën e serbofilëve shqiptarë!

Keqinterpretimi i Marrëveshjes së Kumanovës solli nevojën e mbajtjes së Wesley Clark larg nga Kosova. Dhe mbajtja larg Kosovës e gjeneralit amerikan me pesë yje ishte gjithashtu kërkesë e vazhdueshme e Beogradit. Por dje Wesley Clark u kthye përfundimisht në Kosovë. Jo thjesht për një vizitë, por i përjetësuar me qendrën universitare të ushtrisë së Kosovës. Jo vetëm për një ditë, por për shumë kohë edhe si këshilltar special i Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. Ndaj dita e 7 korrikut 2021 do të mbetet një ditë e veçantë, një ditë historike për shtetin më të ri të Evropës.

Wesley Clark është tashmë në Kosovë për të mos u larguar kurrë prej saj. Ai është në Kosovë si arkitekt ushtarak me ndikim të jashtëzakonshëm politik për çlirimin e vendit nga sundimi, dhuna e terrori serb i një shekulli. Clark erdhi në Kosovë për të dëshmuar se shteti, institucionet dhe territori i këtij vendi janë të shenjta, të paprekshme dhe të garantuara nga pikëpamja e sigurisë. Çdo vend në botë, madje me një popullsi dhe territor njëqindfish më shumë sesa Kosova, do të donte të kishte si këshilltar special një gjeneral të madh, si Wesley Clark. Por fati e deshi që këtë shans ta ketë vetëm shteti i Kosovës.

Dhe kur? Në momentin historik të saj. Në momentin kur asaj i duhet të dëshmojë se është një demokraci e mirëfilltë dhe një vend që prodhon stabilitet, paqe e siguri në rajon e më gjerë. Në një kohë kur i duhet të bindë sidomos pesë vendet anëtare të BE-së, katër prej të cilave janë edhe anëtare të NATO-s, që Kosova e meriton njohjen, respektin dhe mbështetjen e tyre. Në momentin më të rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili me qeverinë e re, kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani ka ndryshuar përmbajtjen, pamjen dhe pritshmëritë serbe për revansh në rajon!

Wesley Clark nuk mund të vinte më parë në Kosovë, edhe nëse do të kishte vullnet politik nga institucionet e shtetit të saj. Kjo sepse ai është një personalitet me integritet dhe nuk do të donte të ishte dëshmitar i keqmenaxhimit të shtetit përmes korrupsionit dhe lobingjeve për ndarjen e saj. Ndërsa sot duket se ai beson në qeverisjen e pastër dhe të vendosur në mbrojtjen e interesave kombëtare në Kosovë. Prandaj ai është aty ku duhej të ishte me kohë.

Gjenerali Clark është i pari nga ushtarakët e lartë që dëshmoi vendosmëri të paparë, edhe në konfrontim me rusët e Vladimir Putinit, për ta çliruar Kosovën jo vetëm nga sundimi serb, por edhe nga ndikimi rus e lindor. Kjo përbën thelbin dhe esencën e pranisë së tij të sotme në Kosovë. Është atashuar pranë Ministrit të Mbrojtjes dhe do të jetë një këshilltar special i ushtrisë. Por në fakt është krejt ndryshe. Wesley Clark është tashmë në Kosovë si mesazh se ajo që ndodhi në vitin 1999 dhe që e rikonfirmoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk zhbëhet më, nuk kthehet mbrapsht. GJND nuk vendosi vetëm se “Pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, por vendosi edhe se “Pavarësia e Kosovës është në pajtim me Rezolutën 1244”!

Wesley Clark do të jetë aty për të provuar se shteti i Kosovës është një realitet i pandryshueshëm! Se Kosova ka mbrojtjen e NATO-s dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare! Se Kosova është një histori suksesi e NATO-s dhe e Perëndimit Demokratik! Se Kosova nuk do të mund të bëhet plaçkë për pazare të reja, siç shpresojnë liderët e inkriminuar në konfliktet e luftërat në ish-Jugosllavi të Beogradit! Se Kosova ka të ardhme të garantuar! Se ushtria e Kosovës do të jetë një ushtri si ajo e dardanëve në kohën e pushtimeve romake! Se….! Ka shumë arsye pse Wesley Clark u rikthye në mënyrë spektakolare në Kosovë dhe të gjitha arsyet lidhen me përmbylljen e procesit të shtetësisë së saj!

Related posts

‘Ata që nuk mendojnë-paragjykojnë’

D V

Një letër e mirënjohjes për senatorin Bob Dole

D V

Përse i duhet “armik” ambasadori Soreca, Berishës dhe Metës

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com