Ringjallja e teorisë serbe, Ballkani-ballkanasve

NGA PROF. DR. ASOC. ENVER BYTYÇI

 

Në historinë diplomatike dhe politike të Serbisë një vend të veçantë zë injektimi i një teorie të përsëritur gjithnjë në kohë të caktuara, e cila njihet si teoria “Ballkani-ballkanasve”! Sa herë që në Beograd kanë nevojë të tundin degën e ullirit “në kërkim të paqes” si favor për Serbinë, politikanët e këtij vendi drejtohen nga kjo teori. Para pak ditësh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e risolli atë në vëmendjen e publikut, kur tha se “ndërhyrjet e huaja kanë bërë që resurset dhe pasuritë e Ballkanit të grabiten nga Fuqitë e Mëdha”. Ishte një përpjekje e tij për të “argumentuar” pse Minishengeni është i favorshëm për zhvillimin e rajonit tonë.

Në fakt Vuçiq nxori në sipërfaqe qëllimin e tij të vërtetë. Konfirmoi atë që ne e themi vazhdimisht se Minishengeni është një iniciativë, e cila synon devijimin e rrugës së integrimit në NATO e BE të vendeve të rajonit tonë. Ndaj dhe presidenti i Serbisë iu referua teorisë “Ballkani-ballkanasve”, si rrugë e vetme e ruajtjes së sovranitetit të shteteve nga ndërhyrjet dhe ndikimet e huaja. Shkurt, teza “Ballkani-ballkanasve” garanton supremacinë serbe në gadishullin ballkanik.

Në të vërtetë kjo teori është sajuar në përpjekje për ta imponuar atë te vendet e tjera, sidomos te shqiptarët, qëllimisht që popujt jo-serbë të mbeten pa mbrojtje përballë ndërhyrjes, ndikimit dhe influencës ruse në Serbi e në rajon. Me këtë projeksion skema “Ballkani-ballkanasve” u sajua gjatë Luftërave Ballkanike. Ideja ishte që katër vendet e Aleancës Ballkanike, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të mund të merreshin vesh për ndarjen e territoreve ku jetonin shqiptarët dhe maqedonasit. Më vonë edhe boshnjakët. Dihet si përfundoi historia jonë në e nga Luftërat Ballkanike: -Një shtet në gjysmën e territoreve e me gjysmën e popullsisë shqiptare!

Në vitin 1936 u mbajt në Beograd një konferencë e vendeve ballkanike, ku mori pjesë edhe Turqia. Aty u projektua një program i qartë i teorisë politike “Ballkani-ballkanasve”, projekt që drejtohej kundër ndërhyrjeve të jashtme në rajonin tonë. Shqipëria e Mbretit Zog I nuk mori pjesë në këtë konferencë . Por nuk ndodhi kështu pas Luftës së Dytë Botërore. Projekti serb “Ballkani-ballkanasve” u përkrah fuqishëm në vitet 1944-1948 nga qeveria shqiptare e kohës. Më pas, edhe pse marrëdhëniet me Jugosllavinë herë tensionoheshin e herë zbuteshin, kjo teori u shpërfaq si adekuate në faza të caktuara të regjimit komunist. Madje në fund të këtij regjimi, u organizua në Tiranë Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit, iniciativë kjo e promovuar në fillim në Beograd. Koncepti ramizist për “Shqipërinë as Lindje, as Perëndim” u integrua në konceptin serb “Ballkani-ballkanasve”!

Millosheviçi gjithashtu e përdori teorinë “Ballkani-ballkanasve” si instrument për të kundërshtuar “ndërhyrjen” e Fuqive të Mëdha të Perëndimit në “punët e brendshme të Serbisë’, siç ai e konsideronte ndërhyrjen euro-amerikane në Kosovë. Me këtë tezë kasapi i Ballkanit donte t’i kishte duart e lira për asgjësimin fizik përmes vrasjeve dhe dëbimeve të shqiptarëve! Ndërkaq bëri gjithçka që të siguronte ndihmën dhe mbrojtjen e Rusisë për Serbinë. Edhe në takimin e fundit me 23 mars 1999 me Wesley Clark diktatori Millosheviç përsëriti tezën, sipas të cilës “Na e lini ne zoti gjeneral, se dimë si të sillemi me shqiptarët”!

Teza që ripostoi në publik Aleksandër Vuçiq është e njëjtë: “Na e lini ne ballkanasve, (saktësisht serbëve), menaxhimin e punëve të rajonit dhe “ne do të si të sillemi me popujt e vendet e Ballkanit Perëndimor”! Që do të thotë si do të silleshin veçmas me shqiptarët, specifikisht me Kosovën. Kjo është teza serbe e teorisë “Ballkani-ballkanasve”! Me këtë tezë Beogradi mbron të njëjtin pozicion si në vitin 1912, si në vitin 1936, si në kohën e regjimit të Titos e të Millosheviçit edhe në ditët e sotme! Pra Serbia po e përdor këtë “ofertë” në harmoni me synimet dhe projeksionet e të së kaluarës. Minishengeni paraqitet tashmë si mjet dhe instrument i izolimit të rajonit tonë nga BE dhe NATO. Dhe si i tillë do të dëshmohet njëkohësisht edhe si instrument i rritjes së ndikimit dhe influencës ruse në Ballkan.

Ajo që tërheq vëmendjen lidhet me faktin se kësaj teorie të “Ballkanit-ballkanasve” i është bashkëngjitur edhe Edi Rama. Fakti që kryeministri i Shqipërisë mbështet pa rezerva dhe pa u menduar gjatë iniciativat serbe të rajonit, dëshmon se ka një kimi të qëndrueshme midis politikës serbe dhe politikës së qeverisë së zotit Rama për rajonin tonë. Edhe pse kjo politikë drejtohet kundër Kosovës, edhe pse teoria “Ballkani-ballkanasve” synon rikthimin e Serbisë në Kosovë e në rajon si fuqi dominante, Edi Rama është rreshtuar pro-teorive të Beogradit.

Gjeopolitika e rajonit tonë na jep mësimin e madh se nuk sjell konflikt në Ballkan prania evropiane dhe amerikane. Përkundrazi, mos-prania e këtyre aktorëve gjeopolitikë dhe ndikimi i Rusisë e kanë përçarë dhe shkatërruar mundësinë e bashkëpunimit ballkanik. Shkaktarët e Luftës së Parë Botërore ishin serbët dhe rusët, të cilët shpallën mobilizimin e përgjithshëm ushtarak tri orë para Gjermanisë, e cila më pas shpalli mobilizimin e pjesshëm ushtarak të saj.

Prandaj dhe politikanët shqiptarë duhet të refuzojnë me vendosmëri e pa mëdyshje ofertën serbe të “Ballkanit-ballkanasve”! Kjo ofertë është shkatërrim i interesave tona kombëtare dhe shërbim i padiskutueshëm për interesat serbe në rajonin tonë!

Related posts

Vjedhja milionëshe ‘SIM 2 SIM’ amnistohet nga shteti i kapur

D V

“Trojet shqiptare në Maqedoni, nuk i ka pushtuar Maqedonia, por Serbia”

D V

“Mini-shengeni” i Vuçiqit dhe “ Maxi- marrëzia” e Ramës!

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More