Rishikimi vullnetar i pasqyrave financiare, Ibrahimaj: Vetëm 5% tatim, pa gjoba dhe interes

nga D. V.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria do t’i ofrojë mundësi biznesit që në 5 vitet e fundit nuk ka deklaruar saktësisht bilancet apo pasqyrat financiare, t’i riplotësojë vullnetarisht ato kundrejt një mase të reduktuar tatimi prej vetëm 5%, pa gjoba dhe interesa, ndërsa nuk do të ushtrohet kontroll tatimor për këtë periudhë.

Gjatë një bashkëbisedimi me biznesin në Elbasan, ku u prezantua “Plani i paqes” për biznesin në mandatin e ardhshëm qeverisës, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama, njëherazi kreu i PS-së, Ibrahimaj deklaroi se nisma e re e qeverisë do të krijojë një marrëdhënie të re bashkëpunimi mes biznesit dhe administratës tatimore.

Sipas ministres, edhe pse shumica e bizneseve janë të formalizuara dhe raportojnë rregullisht, një pjesë e konsiderueshme prej tyre ka operuar në ekonomi informale gjatë dekadave të kaluara dhe ka detyrime të papaguara që datojnë më shumë se 10 vjet më parë.

“Një pjesë e madhe e bizneseve, edhe pse të formalizuara dhe që deklarojnë rregullisht, kanë pasur periudha ku nuk kanë deklaruar, dhe në fakt shumica e bizneseve hyjnë në këtë kategori”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja informoi se përmes “Planit të paqes” propozohet një mundësi për të gjitha bizneset që dorëzojnë një bilanc ose deklaratë tatimore për të rishikuar deklaratat e tyre për 5-vjeçarin e fundit, duke paguar vetëm 5% tatim për çdo diferencë që rezulton pas rishikimit.

“Biznesit i jepet e drejta e rishikimit të pasqyrave financiare deri në 5 vite më parë. Tatim vetëm 5% për ndryshimet e deklaruara. Pa gjoba, pa interesa, dhe pa kontrolle tatimore për vitet e rishikuara. Qëllimi është i qartë dhe i pastër: të mbyllet historia e së kaluarës dhe bizneset të mund të ecin përpara në mënyrë të sigurt dhe të qetë,” shtoi Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se kjo nismë synon rritjen e standardeve të bashkëpunimit mes tatimeve dhe bizneseve, duke marrë si model shtetet me administrata tatimore efikase si Norvegjia dhe Suedia.

“Ky është standardi që duam të arrijmë. Forcat tona duhet të përqendrohen në investime, rritjen e produktivitetit dhe efikasitetit, dhe integrimin në zinxhirët e vlerës europiane”, theksoi ajo.

Ministrja Ibrahimaj përfundoi duke theksuar se nuk mund të mendojmë më për të kaluarën dhe për mënyrat se si të shmangim shtetin, por duhet të fokusohemi në një bashkëpunim të ndershëm dhe të qëndrueshëm për të dyja palët.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More