RMV, çdo i katërti person që ka humbur punën është person i ri, të rinjtë pa perspektivë

Shkup, 3 korrik – Të rinjtë janë një nga kategoritë më të prekshme kur bëhet fjalë për të drejtat e punës. Shkalla e papunësisë së të rinjve në Maqedoninë e Veriut është një nga më të lartat në Evropë. Tregu i punës sot kërkon aftësi dhe përshtatje më të lartë ndaj arritjeve të reja, kreativitet, aftësi për të menduarit në mëyrë inovative dhe në atë drejtim duhet të zhvillohet arsimi zyrtar dhe joformal. Diskriminimi në lidhje me gjininë, përkatësinë politike, aftësinë e kufizuar fizike dhe intelektuale në punësimin e të rinjve duhet të çrrënjoset. Nevojitet krijimi i politikave me pjesëmarrje aktive të të rinjve, si dhe ndryshime në Ligjin për Marrëdhënie pune, vlerësojnë përfaqësuesit e shoqatave, sindikatave, ekspertëve dhe profesorëve universitar në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

 

Në diskutimin mbi Politikat Sociale dhe Punësimin të Konventës Nacionale pë Bashkimin Evropian në MV, Dimitar Nizamovski, drejtor ekzekutiv i Forumit Rinor Arsimor – thotë se FRA punon për të rritur kapacitetin dhe aftësitë për punësim të të rinjve, pozicionimin e tyre më të mirë në tregun e punës, por edhe mënyrën se si ata mund të trajnohen për të gjetur punën e tyre të parë, ta mbajnë dhe nëse është e mundur ta ndryshojnë.

“Fatkeqësisht sot, papunësia e të rinjve, në vend, rajon, por edhe në nivel evropian, është në gjendje kritike, situata ishte serioze edhe para pandemisë, ndërsa atë e pamë sidomos vitin e kaluar kur FRA dhe 12 organizata, bëmë analiza se sa dhe si ka ndryshuar situata dhe pikërisht të rinjtë si një prej kategorive janë padyshim më të prekur ose dëmtuar sa i përket të ardhurave mesatare neto mujore, gjatë së cilës tek to është vërejtur rënie prej 2.6 përqind të të ardhurave mesatare neto, me çka të rinjtë ishin të parët më të goditurit”, tha Nizamovski.

Ai thekson se nga njëra anë kërkohet forcë e re punëtore, por nga ana tjetër në vetë konkurse pritet të kenë përvojë të konsiderueshme pune, e cila nuk është e përshtatshme. Punëdhënësit sipas tij, duket se nuk janë të vetëdijshëm për momentin, çfarë dhe si funksionon dhe kanë pritje joreale në lidhje me përvojën e tyre dhe çfarë kërkohet prej tyre.

Nga ana tjetër, Gabriela Maxhoska nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, theksoi se megjithëse Maqedonia nuk është anëtare e BE-së, ka fillua zbatimin e projektit “Garanci për të rinjtë“, i cili, siç tha ajo, u fut si pilot në tre komuna në vitin 2018, kurse në vitin 2019 zbatohet në të gjithë vendin me fokus të veçantë në tre rajone – Pollog, Verilindje dhe Jugperëndim, ku numri më i madh i të rinjve që nuk janë të punësuar, nuk janë përfshirë në trajnim ose arsimim.

“Kjo masë mundëson që të rinjtë deri në moshën 29 vjeç të marrin ofertë të përshtatshme pune, të vazhdojnë arsimimin ose të përfshihen në një masë për punësim. Të dhënat tregojnë se në vitin 2019, rreth 20.000 janë përfshirë në këtë masë, nga të cilët 52 përqind janë gra, ndërsa janë punësuar 6.004 persona. Në vitin 2020, përfshirja është rreth 25.000, nga të cilët 7.424 persona të punësuar”, tha Maxhoska.

Ajo shtoi se me qëllim lehtësimin e kalimit të të rinjve nga arsimi në punësim, në vitin 2019 u miratua Ligji për praktikë, i cili u jep të rinjve të papunë mundësin për të bërë punë praktike për një periudhë të caktuar kohe dhe kjo punë t’ju paguhet.

Ndërkohë, kryetarja e seksionit për rinjtë në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Irena Ivanovska, theksoi se përqindja më e madhe e njerëzve që kanë humbur punën gjatë krizës janë nën 29 vjeç, pa llogaritur personat që punojnë në ekonominë informale.

Sipas saj, ashtu siç nuk mund të ketë diskriminim midis burrave dhe grave, nuk mund të ketë diskriminim edhe midis punëtorëve të rinj dhe të moshuar që punojnë në të njëjtat pozicione.

“Kontratat me të rinjtë zakonisht lidhen për një periudhë të caktuar kohore, për tre ose gjashtë muaj, duke i zgjatur këto kontrata në një periudhë maksimale prej pesë vjetësh. Kjo është arsyeja pse ne, si të rinj në LSM, kërkuam nga partnerët socialë në ligjin e ri për marrëdhënie pune që këtë kufizim prej pesë vitesh ta ulin në një vit, pas së cilit do vijonte transformimi i marrëdhënies së punës nga kohë e caktuar në kohë të pacaktuar. Në atë mënyrë, të rinjtë do të marrin siguri në zhvillimin e planeve të tyre të ardhshme për pavarësi, planifikim familjar, si dhe zgjidhjen e çështjes së banimit”, tha Ivanovska.

Sllavica Kuzmanovska nga Asociacioni për kërkime ligjore-ekonomike dhe edukim, Juridika nga Shkupi, thotë se në anketën e realizuar me të rinjtë e moshës nga 18 deri 29 vjeç, në pyetjen se çfarë i bën të rinjtë të emigrojnë jashtë vendit, ne zakonisht mendojmë se kjo është lartësia e pagës që marrin, megjithatë, anketa tregoi se pagat e larta nuk janë përparësi, por i kushtojnë më shumë vëmendje mundësisë së zhvillimit profesional në vendin e punës, si dhe sigurisë së punës. Të rinjtë presin punë që u jep mundësinë për t’u shoqëruar me kolegët, dhe vetëm atëherë përfshihet shuma e pagës si kusht që do t’i tërhiqte ata në një vend pune.

Kuzmanovska gjithashtu theksoi problemin se të rinjtë mendojnë që duhet të jenë anëtarë të një partie të caktuar politike që të gjejnë një punë të denjë, që përbën problem sistematik, të cilit duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje dhe të çrrënjoset duke ndryshuar politikat që zbatohen për të rinjtë.

Drejtor Ekzekutiv i Koalicionit të organizatave rinore SEGA (Tani), Zoran Ilieski, vlerësoi se duhen politika të reja dhe masa të reja që do të veprojnë për të drejta më të mëdha shoqërore të të rinjve dhe i bëri thirrje MPPS-së përfshirjen më të madhe të organizatave të shoqërisë civile në lidhje me masat e marra në punësimi i të rinjve.

Marija Risteska, drejtoreshë e Shoqatës joqeveritare “Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave” nga Shkupi , tha se në Maqedoninë e Veriut trendet shoqërore nuk janë në favor të të rinjve, dhe hulumtimi tregon pjesëmarrje të dobët të të rinjve në të gjitha proceset shoqërore, ndërsa kjo shprehet në nivelin e ulët të shfrytëzimit të krijimtarisë rinore, interes të ulët të të rinjve për aktivitete jashtëshkollore, mungesë iniciativash studentore.

“Nuk është e papërshtatshme të thuhet se të rinjtë janë të padukshëm në shoqërinë tonë. Tre vitet e fundit në vend artikulojnë veçanërisht nevojën për përfshirjen e të rinjve në shoqëri dhe ka të dhëna që identifikojnë treguesit e kësaj situate. Në mënyrë analoge me të, krijohen politikat për të përmirësuar mjedisin e përgjithshëm shoqëror të të rinjve. Ndër faktorët që ndikojnë negativisht në perspektivat e të rinjve është shkalla e lartë e papunësisë, e cila është deri në 45%”, tha Risteska.

Ajo theksoi edhe problemin e diskriminimit ndaj të rinjve në punësim dhe ekziston kryesisht diskriminimi gjinor.

“Nga numri i përgjithshëm i popullsisë në vend, deri në 62.3 përqind e popullsisë joaktive janë gra, kurse të rinjtë e moshës 25 deri në 29 vjeç kanë normë pasiviteti tek gratë – 76.5 përqind. Tutje, diskriminimi politik është një nga format më të zakonshme në kushtet kur shteti është akoma punëdhënësi më i madh. Të rinjtë përballen me diskriminim politik, veçanërisht nëse janë mbështetës të një partie të caktuar politike, kanë probleme në gjetjen ose ruajtjen e punës. Kjo formë kërkon mekanizma të rinj për mbrojtje nga diskriminimi”, tha Risteska.

Ajo nënvizoi diskriminimin e bazuar në paaftësinë fizike ose intelektuale, duke theksuar se të rinjtë me aftësi të kufizuara janë veçanërisht të stigmatizuar në fushën e punësimit dhe nevojitet të diskutohen masat pozitive që ekzistojnë për t’u marrë me stigmatizimin e tillë.

“Shpërblimi, veçanërisht në pagën fillestare është një nga arsyet e emigrimit të të rinjve, i cili nuk është i qëndrueshëm në planin afatgjatë. Masa të tjera që janë të nevojshme janë masa që do të dinamizojnë tregun e punës në një mënyrë që do të sigurojë fleksibilitet të angazhimeve të punës. Për momentin, kjo po ndodh ngadalë me Ligj për marrëdhëniet pune, i cili nuk mund të japë rezultat adekuat të nevojshëm për t’iu përgjigjur dinamikës së kërkuar nga të rinjtë në tregun e punës, tha Risteska.

Si problem të madh theksoi edhe punën joformale, e cila prek edhe të rinjtë edhe të moshuarit, kurse në punësim joformal kemi shumë të rinj dhe kjo i pengon që të jenë përfitues të të drejtave dhe përfitimeve nga marrëdhëniet e punës. Përderisa ekonomia joformale konsiderohet të jetë mjaft stimuluese në vendet e zhvilluara, Risteska thotë se në vende si Maqedonia e Veriut me të ardhura të ulëta, përbën kufizim të perspektivës për zhvillimin e të rinjve.

Ekspertët konsiderojnë se tregu i punës sot ka nevojë për fuqi punëtore me aftësi më të larta. Nga e ashtuquajturat “shkathtësi të rënda” në tregun e punës sot nevojiten aftësi digjitale, njohuri të gjuhëve të huaja, edukim financiar, menaxhim projektesh. Ndërsa, thekson ajo, nga të ashtuquajturat “aftësi të lehta”, nevojitet posedimi i kreativitetit, përshtatshmëri, aftësi komunikimi, të menduarit inovativ, aftësi prezantuese.

Përndryshe, sipas Bankës Botërore, 500.000 persona në 30 vitet e fundit, kryesisht të rinj, kanë braktisur vendin.

Related posts

Kuvendi i solli ndryshimet e Kodit penal

D V

Rektori i UT-së, prof.dr. Vullnet Ameti: Urime festën e Kurban Bajramit!

R Zh

Shilegov mohon akuzat e opozitës: Janë gënjeshtra, do ta dëshmoj me dokumente

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More