Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 26 dhjetor, Zhurnal.mk – Beteja për reformimin e sistemit të drejtësisë është një nga sfidat kryesore të institucioneve gjatë viteve të deritanishme por edhe gjatë vitit 2020, pasi viti që kaloi, në këtë sferë është vlerësuar thuajse i dështuar.
Qeveria synon vazhdimin e konsolidimit të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë, të cilat ende i konsideron si “të kapura” nga regjimi i kaluar.
Disa fusha të caktuara të shoqërisë, në veçanti pjesa që ka të bëjë me drejtësinë, apo Gjyqësorin, mbetet bastioni i fundit i ish regjimit të Gruevskit dhe me të drejtë qytetarët, por edhe vetë shteti nuk mund të jetë i kënaqur me atë që është arritur, pasi ende struktura të caktuara kanë ndikim në vendimet që merren në këtë sferë, shkruan Zhurnal.mk.
Maqedonia e Veriut duhet të bëjë çmos që ta përmirësojmë këtë gjendje dhe ta kthejë funksionimin e shtetit ligjor, që qytetarët të kenë besim në institucionet e drejtësisë.
Vlerësime negative për reformat në drejtësi kanë edhe njohësit e çështjeve juridike, sipas të cilëve ngecjet në këtë sektor gjatë vitit 2019 do të reflektohen edhe në vitet e ardhshme.
Transparenca është shtylla kryesore përmes së cilës mund të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e sistemit gjyqësor. Duhet të vendosen mekanizma përmes së cilave zgjedhja e gjykatësve, prokurorëve dhe marrja e vendimeve në gjykata të jetë më transparente.
Nga këtu duhet të fillojnë reformat. Për të pasur një gjyqësor të pavarur duhet nisur nga rekomandimet e Bashkimit Evropian, pra ndarjen e shtetit nga partia, që nënkupton mospërzierjen e politikës në gjyqësor.
Si shtyllë kryesore mbi të cilën do të duhet të ndërtohet sistemi gjyqësor është edhe sigurimi i buxhetit të pavarur për këto institucione.
Politikanët janë ata që e mbajnë peng komplet sistemin gjyqësor dhe vetë shtetin pasi janë në shërbim të individëve, por jo dhe në funksion të asaj që e parasheh Kushtetuta dhe ligjet në përgjithësi, prandaj për të pasur proces të reformave në Gjyqësor dhe për ët respektuar autonominë e gjykatave duhet të përfshihen ekspertë të jashtëm, të cilët do të monitoronin gjithë procesin, qoftë të vettingut, apo të pastrimit të Gjyqësorit nga elementet të korruptuar dhe të ndikuar nga partitë politike, shkruan Zhurnal.mk.