Nën ndikimin nga tajfuni “Doksuri”, reshje ekstreme shiu u regjistruan në Kinën Veriore dhe rajonet përgjatë Lumit të Verdhë dhe lumit Huaihe, duke shkaktuar përmbytje e katastrofa gjeologjike dhe duke sjellë mjaft viktima në Pekin dhe provincën Hebei – shkruan CMG. Të dhënat tregojnë se, nga ora 20 e së shtunës deri në orën 9 të mëngjesit të së martës, sasia mesatare e reshjeve në Pekin ishte 261.8 mm, ndërsa sasia maksimale i kaloi 700 mm në distriktet Mentougou dhe Changping.

Për të siguruar nevojat themelore të jetesës dhe ato mjekësore të viktimave të përmbytjeve, një brigadë aviacioni nga Gruparmata e 81-të e Ushtrisë Çlirimtare Popullore u është bashkuar përpjekjeve të shpëtimit, duke hedhur furnizime bazë nga ajri në fshatrat e paarritshëm dhe duke transportuar banorët e bllokuar në rrezik për t’u mbytur.
Rreth orës 5:10 të mëngjesit së të martës, katër helikopterë transporti që mbanin 26 ushtarë shkuan në distriktin më të goditur Mentougou, ku po kryejnë detyra të tilla si hedhja e ndihmave nga ajri dhe transferimi i pacientëve. Nëse kushtet e motit e lejojnë, ekipet e shpëtimit do të zbresin dhe do t’ua shpërndajnë materialet banorëve.
Sipas autoriteteve bashkiake, deri në orën 5 të mëngjesit të së martës, mbi 60 000 banorë në Pekin, duke përfshirë rreth 30 000 në distriktin Fangshan, ishin zhvendosur për shkak të stuhive të shiut.

Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi të bëhen të gjitha përpjekjet për kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve të humbur a të bllokuar nga përmbytjet dhe fatkeqësitë gjeologjike në një udhëzim mbi punën lidhur me parandalimin e përmbytjeve dhe zbutjen e pasojave të fatkeqësive. Siguria e jetës dhe pronës së njerëzve, si edhe qëndrueshmëria shoqërore, duhet të sigurohen me të gjitha përpjekjet, vuri në dukje presidenti i Kinës Xi Jinping.