Likovë, 29 shtator – Deponia në Nikushtak vazhdon të jetë e hapur për hedhjen dhe djegien e mbeturinave, edhe pse përreth rrugës është vendosur gardh prej llamarine. Rrethoja është vendosur por është lënë një hapësirë e vogël, sa për të hyrë kamioni i komunës së Likovës, për të derdhur mbeturinat që mbledhë nga të gjitha fshatërat. Ndonëse komuna e Likovës disa herë ka kërkuar dislokimin e kësaj deponie, kjo nuk u është lejuar nga Ministria e Ambientit Jetësor. E për të vendosur pak rend, kryetari i komunës së Likovës thotë se kanë angazhuar një person i cili do të qëndrojë gjatë ditës si kujdestar. Paralajmëron edhe vendosjen e kamerave.
“Dhe vendosëm rrethojën përreth rrugës regjionale. Vendosëm një person i cili do të qëndrojë si kujdestar gjatë ditës. Kemi edhe disa njerëz të papërgjegjshëm të cilët nga veturat hudhin mbeturina të ndryshme dhe pastaj shkaktojnë dëme të ndryshme dhe kamera të sigurisë të cilat 24 orë.
Kamerat janë vendosur?
Jo kamerat ende nuk janë vendosur, por që do të kujdesen për sigurinë sa më të madhe…”, tha kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Arifi shton se zgjidhja më e mirë është që të ndërtohet fabrika për reciklim në Kriva Pallankë, projekt që është nisur që në vitin 2018.
“Ideja që ishte në vitin 2018 sa do të mund të realizohet është tjetër punë. Në nivel të regjionit të bëhet zgjidhje adekuate, të ndërtohen fabrika për reciklim dhe ky vend të shërben vetëm si trafostacion dhe besoj që ajo është zgjidhje e përhershme”, shtoi Erkan Arifi – kryetar i Komunës së Likovës.