“Sfidat” e TikTok-ut po vazhdojnë ta sfidojnë mirëqenien e fëmijëve në Kosovë. Bëhet fjalë për “Sfidën e Supermenit” – një trend i ri në TikTok që raportohet se ka nxitur vetëlëndime te të rinjtë në disa komuna të Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova përballet me një dukuri të tillë. Muaj më parë, disa shkolla ngritën alarm duke raportuar për raste të vetëlëndimit të nxënësve si pasojë e disa lojërave në TikTok.
“Mendoj se fatkeqësisht nuk është adresuar ashtu si duhet, pra nuk janë marrë masat e nevojshme që me u pa se çfarë efektesh psikologjike ose çfarë pasoja emocionale mund të ketë përfshirja në një sfidë të tillë, dhe këto kritikat kryesisht i adresohen institucioneve të cilat e kanë për detyrë të merren me këtë gjë, duke filluar nga Ministria e Arsimit, edhe shkollat gjithashtu”, thotë Zefi pwr Telegrafin.
Tutje, psikologia Zefi ka theksuar se është e rëndësishme që këtyre fëmijëve t’ju ofrohet ndihmë profesionale fillimisht nga psikologët e shkollave, teksa ka u ka bërë thirrje edhe prindërve të jenë më të vëmendshëm në këtë aspekt.
Përdorimi i tepruar i TikTok-ut prek funksionet njohëse, thotë psikologia.
Por vetëlëndimi i fëmijëve nuk është e vetmja pasojë që mund të vijë si rezultat i përdorimit të tepruar dhe të pamonitoruar të TikTok-ut. Duke ju referuar të dhënave aktuale, Zefi thotë se koha që fëmijët e kalojnë në TikTok është shumë e madhe dhe kjo ndikon në disa aspekte, sikurse përqendrimi.
“Fillimisht, ajo çka është shumë shqetësuese, është që përdorimi i tepruar i TikTok-ut i prek funksionet njohëse, sidomos, duhet theksuar që përqendrimi është një prej aspekteve që dëmtohet më së shumti”, ka thënë Zefi.
Tutje, psikologia ka përmendur edhe pasoja të tjera që mund të vijnë si shkak i përdorimit të TikTok-ut nga fëmijët, sikurse bullizimi kibernetik dhe performancë më e ulët në shkollë.
Po ashtu, sipas këtij hulumtimi, 40.1% e nxënësve në Kosovë qëndrojnë online më shumë se tri orë gjatë ditës.
Duke marrë parasysh ndikimet negative të TikTok-ut dhe rrjeteve sociale në përgjithësi, psikologia Zefi këshillon që fëmijët të mbahen larg këtyre platforma. Por nëse përdorimi i tyre nuk mund të shmanget, ajo u bën thirrje prindërve që t’i monitorojnë fëmijët dhe përmbajtjet që i ekspozohen.
Psikologia po ashtu sugjeron që të organizohen kampanja vetëdijësuese që të informohen prindërit për rreziqet që vijnë si pasojë e përdorimit të TikTok-ut. Njëherësh, ajo u ka bërë thirrje edhe shkollave që të organizojnë aktivitete edukative lidhur me këtë temë.
“Është shumë e rëndësishme po ashtu që shkollat të ndërmarrin hapa specifikë, edhe psikologët shkollorë këtu mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm, të organizojnë ligjërata të ndryshme dhe të diskutojnë me fëmijët për rolin që ka teknologjia dhe përdorimi i saj”, ka shtuar Zefi.
Përmes një pilot projekti me UNESCO, INDEP dhe SBASHK, Shahini-Hoxhaj ka treguar se deri më tash janë trajnuar rreth 3500 mësimdhënës në aspektin e edukimit medial. Megjithëse Edukimi medial është bërë lëndë zgjedhur në disa shkolla, Shahini thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte nëse Edukimi medial bëhet lëndë obligative.
“Çështja e edukimit medial do të duhej të targetohej prej disa niveleve. Njëra dhe shumë e rëndësishme është futja e lëndës së edukimit medial në kuadër të shkollës, sepse ne do ta kemi shumë të vështirë që t’i detyrojmë nxënësit që të mos i përdorin telefonat e tyre, domethënë telefonat e mençur, për shkak se kjo do të jetë pjesë e ABC-së tonë, domethënë do të jetë mjet i punës qysh është edhe sot”, ka thënë Shahini-Hoxhaj për Telegrafin.
“Në qoftë se shkollat qesin filtra në internet ku fëmijët nuk do të kenë qasje për shembull në rrjete sociale gjatë kohës sa janë në shkollë, atëherë po, kjo do të ishte një prej zgjidhjeve më të mira, sepse fëmijët do të ishin të angazhuar me mësimnxënie dhe nuk do të futeshin në rrjete sociale”, ka thënë Shahini-Hoxhaj.
Përderisa TikTok-u është ende i qasshëm në shkolla, kjo nuk vlen edhe për institucionet shtetëore. Më saktësisht, Kosova e ka ndaluar përdorimin dhe funksionimit e platformës TikTok në institucionet publike përmes një vendimi në qershor të vitit 2024. Ndërkaq, sa i përket rasteve të vetëlëndimit të nxënësve në shkolla, Policia e Kosovës përmes një komunikate u ka bërë apel fëmijëve që t’i shmangin lojërat e rrezikshme në TikTok.
Lidhur me këtë dukuri ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me ç’rast u ka bërë thirrje mekanizmave mbrojtës që të angazhohen lidhur me këto raste. /Drenusha Morina Çetaj/.