Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Rriten vrasjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Një studim i ri tregon se numri i vrasjeve u rrit ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2020 dhe sugjeron se pandemia e COVID-19 dhe padrejtësia racore luajtën rol.

Studimi i qarkulluar mbrëmjen e së hënës nga Komisioni Kombëtar për Krimin, COVID-19 dhe Drejtësinë Penale, u krye nga studiuesit e kriminologjisë në Universitetin e Mizurit-St. Louis. Studimi shqyrton nivelet e krimit në 34 qytete të përmasave të ndryshme, që nga qyteti i Nju Jorkut dhe deri në qytetin Norfolk, në shtetin Virxhinia.

Studimi konstatoi atë që studiuesit e quajtën një rritje “historike” prej 30% të vrasjeve për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, me 1268 vrasje më shumë në qytetet e studiuara, krahasuar me një vit më parë. Vrasjet u rritën në 29 nga 34 qytetet e studiuara – vrasjet në Miluoki u rritën me 85 për qind, në Siatëll 63 për qind, në Çikago 55 për qind dhe në qytetin Nju Jork 43 për qind.

Studimi konstatoi rritje edhe të sulmeve të rënda dhe sulmeve me armë.

Një nga autorët kryesorë të studimit i shprehu agjencisë së lajmeve Associated Press mendimin se pjesë e problemit ishte se në mbarë vendin pandemia i largoi nga terreni oficerët e policisë.

Edhe gjatë kohës që ushtronin detyrën, distancimi fizik nuk u lejoi oficerëve të bashkëveprojnë nga afër me komunitetin. Ai tha se kjo “vërtet uli mundësitë e oficerëve të zbatimit të ligjit për t’u angazhuar në politika më aktive që mund të reduktojnë krimin”.

Studimi thotë se pandemia “ka ndikuar në mënyrë joproporcionale pjesët më të prekshme të popullsisë, duke i vendosur personat më të rrezikuar nën një stres të shtuar fizik, mendor, emocional dhe financiar”.

Studiuesit thonë se virusi gjithashtu mbingarkoi policinë, gjykatat, spitalet dhe entitetet e tjera të cilat kanë detyrën për t’iu përgjigjur dhunës, dhe ndërkohë dëmtoi përpjekjet më të gjera për parandalimin e dhunës.

Studiuesit thonë se për të arritur një paqe të qëndrueshme në qytetet amerikane është e nevojshme mposhtja e pandemisë, rritja e besimit tek policia dhe sistemi i drejtësisë, si dhe zbatimi i strategjive të sprovuara kundër dhunës.

Autorët e studimit thonë se statistikat e krimit u morën nga portalet në internet të departamenteve të policisë së qyteteve. Informacioni është ende duke u shqyrtuar dhe kategoritë e veprave penale ndryshojnë disi mes qyteteve./voa

Postime të ngjashme

Izraeli fajëson Iranin për sulmin ndaj një cisterne të naftës

D V

Disa të vrarë në një sulm gjatë një funerali në Irak

D V

CDC: Delta ka ndryshuar luftën ndaj koronavirusit

D V

OBSH:COVID-19 duhet të ndalet para se të dalin variante më vdekjeprurëse

D V

Disa persona të vdekur nga vërshimet në Bangladesh

D V

Katër persona të vdekur nga zjarret pyjore në Turqi

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...