Rritet statistika e zezë/ Në 2024 kanë humbur jetën 142 persona, kryesisht për shkak të shpejtësisë

nga Xh M

Shkup, 19 prill – Shpejtësia e lartë është arsyeja kryesore për aksidentet rrugore në vend, dhe pasojat më së shpeshti janë fatale. Sipas të dhënave nga MPB, në fundjavën e 5 dhe 6 prillit të këtij viti në rrugët e vendit janë regjistruar 543 kundërvajtje për tejkalim të shpejtësisë. Janë evidentuar gjithashtu edhe shumë shoferë që kanë përdorur telefonin gjatë vozitjes, si dhe një numër jo i vogël i shoferëve nën ndikimin e alkoolit, gjë që përbën rrezik në trafik. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se numri i viktimave në rrugë është shqetësues.

“Numri i viktimave në trafik për tremujorin e parë është përafërsisht i njëjtë me numrin e viktimave që kemi pasur vitin e kaluar, megjithatë duhet të them se këto shifra janë katastrofale, krahasuar me standardet evropiane që i kemi analizuar, dhe në të ardhmen duhet të fokusohemi maksimalisht në qetësimin e trafikut”, deklaroi Toshkovski.

Sipas analizave të Këshillit Republikan për Sigurinë Rrugore, numri i të vdekurve po rritet nga viti në vit. Kështu, në vitin 2021 numri i të vdekurve ishte 116, në vitin 2022 u rrit në 124, në 2023 në 127, ndërsa në 2024 humbën jetën 142 persona. Krahasuar me vendet e rajonit, numri i të vdekurve vitin e kaluar ishte pak më i lartë në raport me numrin e banorëve. Në Serbi humbën jetën 501 persona, në Greqi ky numër u rrit në 654, ndërsa në Bullgari vdiqën 479 persona. Ministri Toshkovski bën apel për kujdes nga ana e shoferëve.

Viti Numri i të vdekurve

| 2021 | 116 |
| 2022 | 124 |
| 2023 | 127 |
| 2024 | 142 |

“Do të doja të bëj një apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, sidomos për ata që drejtojnë mjete motorike, që të respektojnë rregullat e trafikut, në veçanti ato që kanë të bëjnë me shpejtësinë maksimale të lejuar, sepse në raste kur – dhe ekspertët e thonë këtë – kur kemi përplasje të drejtpërdrejt me shpejtësi mbi 70 kilometra në orë, siç ishte ajo që ndodhi dje, përqindja e pasagjerëve që mbijetojnë është pothuajse zero”, tha Toshkovski.

Masat për siguri më të madhe dhe ulje të numrit të viktimave në rrugë pritet të arrihen me aktivizimin e projektit “Safe City”, i cili fillimisht do të implementohet në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, e më pas në të gjithë territorin e shtetit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More