Shkup, 31 janar – Rritja e sigurisë kibernetike duhet të bëhet në nivelin më të lartë të mundshëm që talljet e tilla me sigurinë e vendit të mbesin vetëm histori e së kaluarës. Sulmet kibernetike mund të jenë të natyrave të ndryshme, pra ka sulme hibride kibernetike. Por, zakonisht janë ato ndaj institucioneve të vendit, por nuk mungojnë edhe sulmet e shpeshta ndaj qytetarëve duke u keqpërdor të dhënat e tyre. Të dhënat personale janë vetëm personale dhe nuk ka nevojë assesi të ndahen me publikun, aq më pak në raste kur merren lejet e vozitjes nga të rinjtë që publikohen pa kurrfarë problemi dhe duke ekspozuar të gjitha të dhënat personale. Kjo gjë krijon pasiguri dhe raste potenciale për keqpërdorim të të njëjtave, shkruan Zhurnal.
Lufta kundër sulmeve kibernetike hibride është mbrojtje e sovranitetit të shtetit –
Sfidë është të angazhohen ekspertë nga sektori TI në institucionet shtetërore, duke marrë parasysh dallimin në lartësinë e pagave në krahasim me sektorin privat, por Qeveria do të ndërmarrë hapa për tejkalimin e problemit, deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski pas përfundimit të stërvitjes simuluese, të bazuar në skenar të sulmit kibernetik.
Ai paralajmëroi edhe racionializimin e administratës, si dhe reforma, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas ngjarjes, e cila ka për qëllim ta rrisë ndërgjegjen për kërcënimet kibernetike dhe ta përforcojë kapacitetin e Qeverisë për menaxhim me kriza kibernetike, e në organizim të Ministrisë së Transformimit Digjital, në bashkëpunim me Sekretaritin e përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe projektit “Siguria kibertnetike rajonale në Ballkanin Perëndimor”.
“Sot patëm, do të thosha, një ushtrim ku u simulua një sulm kibernetik ndaj një pjese të institucioneve shtetërore dhe më pas, natyrisht, u morën vendime nga Shtabi i krizave në Qeveri për hapat që duhen ndërmarrë dhe mendoj se nga e gjithë kjo mund të nxjerrim vetëm një mësim pozitiv, në mënyrë që, mos e dhëntë Zoti, nëse ndodh, të dimë si të reagojmë dhe cilat janë hapat që duhet të ndërmarrim si Qeveri”, tha Mockoski.
Keqpërdorimet me të dhënat personale –
Zakonisht keqpërdorimet më të mëdha ndodhin me qytetarët që janë më të shtyrë në moshë, pasi po të njëjtit përdorin rrjetet sociale, hynë në faqe të ndryshme, por jo mjaftueshëm janë të informuar për tu mbrojtur nga ndonjë keqpërdorim i mundshëm.
Raste të shpeshta ndodhin kur pranojmë emaile të ndryshme nga njerëz të panjohur me email të pa identifikuar, por që përbrenda emailit me përmbajtje manipulative, duke filluar me prezantim e pastaj me ofertë për bashkëpunim, apo të shpeshta janë rastet kur edhe bëhen lajthitjet të formave që keni një testament, keni fituar kaq para, e gjëra të tilla që në shikim të parë janë banale për gjeneratat e reja.
E kërkesa këtyre manipulatorëve kibernetik është që të dërgojnë të dhënat, një kartelë banke, një dokument identifikimi e gjëra të tilla që janë të nevojshme për t’i realizuar qëllimet e tyre. Prandaj, edhe është mëse e nevojshme mbi atë se çfarë publikojmë në rrjete sociale. Shpesh herë ndodhë që marrja e patentë shoferit të publikohet në rrjete sociale si shenjë gëzimi pa mbuluar as një të dhënë personale, që është gabim trashanik dhe nuk duhet përsëritur sepse gjasat maksimale janë për një keqpërdorim të mundshëm.
Përmes, një fotoje të dokumentit të identifikimit ka raste që persona të ndryshëm në emër të huaj kanë tërhequr edhe kredi bankare, ose përmes blerjeve online janë marrë numrat e kartelave dhe pastaj janë tërhequr të holla në masë të madhe.
Ligji i Mbrojtjes së të Dhënave Personale rregullon mbrojtjen e të dhënave personale si liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve dhe veçanërisht të drejtat e privatësisë në lidhje me përpunimin e tyre.
Kujtojmë që, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 26 prill të vitit 2006 vendosi çdo vit 28 janari të festohet si Ditë e mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë ditë është hapur për nënshkrim Konventa 108 për mbrojtjen e personave gjatë përpunimit automatik të të dhënave personale të KE-së dhe më shumë se 30 vite është themel për mbrojtjen e të dhënave personale në Evropë dhe më gjërë. Dita e mbrojtjes së të dhënave personale sot festohet globalisht edhe jashtë Evropës dhe është e njohur si Dita e privatësisë. /Zhurnal.mk