Rritje e eksportit ushqimor nga BE-ja mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë!

nga I.A

Shkup, 30 shtator – Rritja e eksportit në BE mund të shihet si sinjal që shumë shpejt do të rritet eksporti ushqimor në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht në Maqedoninë e Veriut. Mungesa e punëtorëve të shumtë në sektorin e bujqësisë bën që vendet të jenë të varura për gjërat elementare bazike për jetesë nga eksporti i jashtëm. Kjo mbase ndikon negativisht në ekonominë e vendit, gjë e cila pastaj përcillet me pasoja edhe për xhepat e qytetarëve, pasi për ushqimet që vijnë nga jashtë ka kosto më të lartë e pastaj edhe çmimet janë më të larta, shkruan Zhurnal.

Rritje e eksportit ushqimor nga BE-ja në gjysmën e parë të vitit 2024 për 116.4 miliardë euro –

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, gjithsej eksportet e produkteve ushqimore në BE kanë arritur në 116,4 miliardë euro, që paraqet rritje prej 1,1 miliardë euro ose një për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregon Raporti i Komisionit Evropian për eksport në sektorin bujqësor dhe ushqimor të Unionit i publikuar sot. Sipas Raportit, në periudhën e theksuar BE-ja ka arritur një suficit në tregtinë e jashtme në ushqim prej 33.7 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 1.5 miliardë euro krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2023.

Vetëm në qershor të këtij viti, eksporti i ushqimeve në BE arriti në 18.9 miliardë euro, që paraqet një rënie prej pesë për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rënie prej katër për qind krahasuar me qershorin e vitit 2023. Rritje më të madhe në gjysmën e parë të vitit 2024  shënoi eksporti i ushqimeve nga BE-ja në SHBA, i cili është rritur me një miliard euro ose tetë për qind, kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të ullirit dhe vajit të ullirit. Në gjashtë muajt e parë, sektori evropian i bujqësisë dhe ushqimit shënoi rritje të ndjeshme të eksporteve drejt Brazilit me 209 milionë euro ose 18 për qind.

Nga ana tjetër, eksporti evropian i produkteve ushqimore në Kinë është ulur për 689 milionë euro ose nëntë për qind, kryesisht për shkak të uljes së shitjeve të mishit të derrit, produkteve të qumështit dhe drithërave. Ndryshe, eksporti i përgjithshëm i kulturave të drithërave nga BE-ja në gjysmën e parë të vitit 2024 është rritur për tetë për qind në 25.1 milionë tonë, ndërsa vetëm eksporti i grurit është rritur për 2.7 tonë.

Nga ana tjetër, importi i ushqimeve bujqësore në BE ka arritur në 13 miliardë euro në qershor, që paraqet një rënie në krahasim me majin e vitit 2024 për 12 për qind dhe një rënie prej një për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Rritje më të madhe në vlerë shënoi importi nga Bregu i Fildishtë, i cili arriti në 951 milionë euro, që paraqet një rritje prej 46 për qind me bazë vjetore. Më pas renditet Nigeria me rritje të importit për 473 milionë euro dhe 132 për qind, e cila është kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të kakaos. Në vendin e tretë renditet Tunizia, eksporti i së cilës drejt BE-së është rritur për 107 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së sasive dhe çmimeve të vajit të ullirit të importuar.

Nga ana tjetër, rënien më të madhe me 843 milionë euro ose 46 për qind e shënuan importet në BE nga Australia, kryesisht si rezultat i uljes së vëllimit të blerjeve të vajit të panxharit, e ndjekur nga Brazili me një shpërndarje të reduktuar të produkteve bujqësore në BE prej 634 milionë eurosh, që paraqet një rënie prej shtatë për qind.

Sektori i bujqësisë në RMV ndikohet rëndë pas çdo krize ekonomike-

Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.

Këtë e kanë pohuar edhe autoritetet të cilat kanë treguar se po përballemi me krizën më të vështirë deri tani, por vazhdimisht apeluan qytetarët që të mos shqetësohen dhe siguruan se produktet bazë, bukë, miell, qumësht dhe vaj ulliri, do të ketë. Miratuan Plan Kombëtar për prodhimin e ushqimit dhe e krijuan Fondin intervenues. U realizua paketë masash për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si dhe për stimulimin e prodhimit. Edhe përkundër faktit të krijimit të paketës për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sërish dhe ende çmimet janë tejmase të larta dhe qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur.

Pra, kemi të bëjmë me një sektor që kudo që shfaqet ndonjë krizë përcillet edhe në vendin tonë përshkak të mungesës së prodhimeve vendore dhe masës së lartë të importit prej jashtë. Sërish e shohin si normale edhe ndryshime dhe propozimet e draft ligjeve përmes të cilave toka bujqësore të shndërrohet në vend për vendosjen e paneleve fotovaltike. Do të thotë në vend të përkrahjes dhe motivimit për këta pak bujq që kanë mbet hartohen ligje për të demotivuar dhe penguar edhe më shumë në punën e tyre. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More