Rruga Tetovë – Prizren, një ëndërr për tetovarët tani e shumë vite

nga Xh M

Tetovë, 24 korrik – Rruga Tetovë – Prizren mbetet një ëndërr për tetovarët tani e shumë vite, por është edhe ndër projektet më të përfolura mes koalicionit VLEN dhe qeverisë Kurti në Kosovë, derisa Qeveria e Kosovës ka kaluar marrëveshjen për projektim të tunelit dhe ka ndarë mjete financiare për shpronësim të tokave. Kurse në Qeverinë e vendit tonë ende nuk ka kaluar ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend. Ditë më parë zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, tha se ai në takimin e parë në Kosovë, ka biseduar për këtë rrugë, por sipas Mexhitit, prioritet mbetet autostrada Shkup – Bllacë.

“Takimin e parë në Kosovë e kam bërë me ministrin Liburn Aliu, me ekipin e tij, unë isha me kandidaten për zëvendësministre të Transportit, Kaltrina Zekolli, dhe tema e parë ka qenë edhe për rrugën Tetovë – Prizren, veç tjerash kemi folur edhe për rrugën Shkup – Bllacë që 13 vite trumbetohet dhe nuk dilet nga këto dy kilometra. Ata punojnë intensivisht, pala kosovare dhe ne, edhe pse jemi ditët e para pa u ulë mirë, kemi shkuar për këto dy tema.”, – deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.

Kryetari i komunës së Tetovës dhe njëhërit kryetar i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, tha se tashmë Maqedonia e Veriut do të duhet të kalojë ratifikimin e marrëveshjes për shpalljen e tenderit për hapjen e tunelit, por i pyetur se kur, Kasami u shpreh se kjo do të ndodhë në seancat e para të Kuvendit.

“Tanimë Qeveria e Maqedonisë së Veriut tregon përkushtim real, jo vetëm deklarativ, e dini që ne me kryeministrin Kurti dolëm për të promovuar një rrugë që lidh Vicën me Tetovën, atëherë nisën procedurat për shpalljen e tenderit për projektin që lidh Tetovën me Prizrenin. Ne, informatat që i kemi, ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, tanimë do të duhet të kalojë e njëjta kontratë edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, që të shpallet tenderi ndërkombëtar dhe të nisin procedurat. Unë besoj se në seancat e para do të fillojë ratifikimi i marrëveshjes për shkak se ratifikimi është mes dy qeverive që të nisin procedurat për shpalljen e tenderit për projektimin e tunelit.”, – theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Përndryshe ky projekt, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të kushtojë 200 milionë euro. Gjysma e projektit duhet të financohet nga Maqedonia e Veriut dhe gjysma tjetër nga Qeveria e Kosovës, por deri më tani nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk ka asnjë hap konkret. Pritet të shihet nëse me rebalancin e buxhetit do të ketë mjete për këtë rrugë të shumëpërfolur dhe shumë premtuar nga çdo garniturë politike shqiptare në vendin tonë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More