Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Rusia shton trysninë ndaj mediave të huaja

Në një seancë apeli të martën, prokurorët rusë akuzuan gazetaren Svetlana Prokopyeva si “zëdhënëse të Perëndimit” ndërsa gjykata nuk ndryshoi vendimin e gjetjes fajtore se kishte “justifikuar terrorizmin”.

Seanca duhet parë në kontekstin më të gjerë të veprimeve ligjore të Moskës kundër Radios Evropa e Lirë / Radios Liria (RFE / RL) ku Prokopyeva është gazetare.

Një gjykatë ruse muajin e kaluar gjobiti rrjetin e pavarur të lajmeve të financuar nga Shtetet e Bashkuara për mosrespektim të ligjit për agjentët e huaj.

Ndërmarrja e masave ligjore nga ana e Rusisë kundër RFE / RL është një përpjekje për të penguar qasjen tek mediat e pavarura, thonë analistë të medias dhe rajonit.

Moska ka ngritur në mënyrë të pandalshme “një rrjet ligjesh dhe kufizimesh kundër RFE-së”, tha ish-presidenti i këtij rrjeti, Thomas Kent në një intervistë me shërbimin rus të Zërit të Amerikës. Zoit Kent e drejtoi Radion Evropa e Lirë/Radio Lirinë nga viti 2016 deri në 2018.

Gjobat kundër RFE / RL janë një shenjë se Rusia po i zbaton ato ligje, i tha Zërit të Amerikës Gulnoza Said, e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me bazë në New York.

Rrjeti u gjobit me 1.1 milion rubla ($ 14,400 USD) muajin e kaluar për mosrespektim të ligjit rus për agjentët e huaj, të rishikuar rishtas. Gjobat ishin për drejtorin e përgjithshëm dhe shërbimet e RFE-së, përfshirë Radion Liria dhe rrjetin televiziv në gjuhën ruse “Current Time” një bashkëpunim i RFE/RL-së me Zërin e Amerikës.

Sipas ndryshimeve në ligj vitin e kaluar, organet e medisa që marrin fonde nga jashtë Rusisë, duhet ta etiketojnë përmbajtjen e tyre si të prodhuar nga “agjentë të huaj”.

RFE / RL është një nga rrjetet e pavarura të Agjencisë Amerikane për Media Globale, ku përfshihet edhe Zëri i Amerikës. Të dyja rrjtetet marrin fonde nga Kongresi por janë të pavarura në aspektin redaksional.

Vendimi i Rusisë për të shtuar dispozita të mëtejshme në ligj, u kritikua nga grupet ndërkombëtare të të drejtave, përfshirë Amnesty International, e cila në një deklaratë vitin e kaluar tha se ligji ishte një përpjekje e mëtejshme nga autoritetet për të “ndrydhur mendimet e kundërta”.

“[Ligji] do të vendosë etiketimin stigmatizues ‘agjent i huaj’ për individët – siç ka bërë [për vite me radhë] për OJQ-të e pavarura – të cilat vlerësohet se ‘marrin pjesë në aktivitete politike në interes të shteteve të huaja’ “, tha Natalia Prilutskaya, studiuese e organizatës Amnesty për Rusinë.

Moska bëri ndryshime të tjera në ligj në vitin 2017, si kundërpërgjigje ndaj Uashingtonit që urdhëroi të gjitha mediat ruse me bazë në SHBA të regjistroheshin si agjentë të huaj.

RFE/RL kishte refuzuar të zbatonte legjislacionin e rishikuar pasi druhej “se kjo do të diskreditonte punën e saj”, sipas ligjvënësve amerikanë. Në një letër drejtuar Presidentit Joe Biden, ligjvënësit i bënë thirrje administratës t’i bëjë të qartë Rusisë se kufizimet ndaj RFE / RL-së ishin të papranueshme dhe “do të përballen me pasoja të rënda”.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë/Radio Lirisë janë shpesh “më të mirët mes më të mirëve” në rajonet që mbulojnë, i tha Zëri i Amerikës Said, i cili kryeson programin për Evropën dhe Azinë Qendrore të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Urdhri që organet ndërkombëtare të mediave ta etiketojnë punën e tyre si të prodhuar nga agjentë të huaj, të kujton periudhën Sovjetike dhe krijon mosbesim midis lexuesve dhe audiencës, tha zonja Said për Zërin e Amerikës,duke shtuar se, “qëllimi përfundimtar është të shkurajohen rusët  që ta përdorin këtë informacion.”

Zoti Kent tha se ai beson se Moska po përpiqet të pengojë gazetarët e rrjetit sepse RFE / RL është një nga të paktat media që kanë mbetur të pavarura që mbulojnë lajmet ruse.

“Prej disa dekadash, qeveria ruse është përpjekur të pengojë punën e Radio Lirisë.  Është një nga mediat më të mëdha në Rusi që nuk është nën kontrollin e Kremlinit,” tha zoti Kent, një bashkëpunëtor në Fondacionin Jamestown, organizatë kërkimore dhe analizash, në Shtetet e Bashkuara.

Zyra e shtypit e ambasadës ruse në Uashington,D.C., nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës  për komente.Por një mbështetës kryesor i legjislacionit për agjentët e huaj, ligjvënësi  Andrei Klimov, u citua në gazetën New York Times të thoshte se RFE /RL  nuk kishte “asnjë lidhje me gazetarinë” dhe se ndiqte “urdhërat e drejtpërdrejta të Departamentit  të Shtetit”. Ai shtoi se legjislacioni për agjentët e huaj duhej të shtrengohej përpara zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.

Në çështjen ndaj gazetares Prokopyeva, seanca e apelit ishte tregues i një prirjeje më të gjerë të autoriteteve ruse për të përdorur masa ligjore kundër zërave të pavarur, thanë analistët e medias.

Gazetarja u dënua vitin e kaluar për “justifikim të terrorizmit”një akuzë e mbështetur nga gjykata ushtarake e apelit të martën. Akuzat burojnë nga komentet që Prokopyeva kishte bërë në një intervistë në lidhje me një shpërthim vetëvrasës me bombë. Kur gjykata më e ulët e dënoi zonjën Prokopyeva, ajo e gjobiti gazetaren dhe i konfiskoi pajisjet.

Në atë kohë, presidentja në detyrë e RFE / RL-së, Daisy Sindelar, dënoi vendimin  e gjykatës së ulët,  duke thënë, Cilësimi i fjalëve të saj si” justifikim terrorizmi” është një shtrembërim i qëllimshëm  dhe i motivuar politikisht që synon të heshtë zërat kritikë.

Zonja Said i tha Zërit të Amerikës se vendimi i apelit ishte zhgënjyes. CPJ e nderoi zonjën  Prokopyeva vitin e kaluar me Çmimin Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit, që ndan organizata.

“Është emblematike se si autoritetet ruse trajtojnë gazetarët, po vetëm ata që punojnë  për media si RFE / RL që financohen nga jashtë,por çdo gazetar, përfshirë ata  që punojnë për mediat lokale që guxojnë të kritikojnë autoritetet, apo edhe thonë diçka  që nuk është në përputhje me linjën e Kremlinit, “tha zonja Said për Zërin e Amerikës.

Autoritetet ruse e shohin gazetarinë perëndimore si një përpjekje për të ndërhyrë në punët ruse  dhe nuk i pëlqejnë pozicionet e këtyre mediave mbi të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit, shton ajo.

“Disa prej tyre ndoshta shumë sinqerisht besojnë se Perëndimi ka një axhendë të shkatërrimit të

regjimit të Putinit përmes raportimeve të RFE / RL-së për çështje të ndryshme, përfshirë korrupsionin”, tha ajo.

Zoti Kent ndan një pikëpamje të ngjashme, duke thënë se përpjekjet për të penguar raportimin  “në thelb përputhen me qëndrimin e qeverisë se ka të drejtën të vendosë se çfarë informacioni  marrin rusët dhe se populli rus nuk është i aftë që të mendojnë vetë.”/VoA

Postime të ngjashme

Kinën dhe Rusinë i bashkon biznesi në Serbi

D V

Policia ukrainase e gjen të varur aktivistin e zhdukur bjellorus

D V

Papa Françesku do të takohet me romët e Sllovakisë

D V

Iranit do t’i përgjigjemi në mënyrë kolektive, thotë SHBA-ja

D V

Kina jep 350 milionë doza vaksina për partnerët e nismës “Një brez, një rrugë”

Z H

Kinë, vlera industriale e sistemit të navigimit satelitor “Beidou” do të zërë 25 % të tregut global

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...