Shkup, 10 shkurt – Zgjedhjet që fillojnë dhe mbarojnë pa kurrfarë pengese janë vulë e demokracisë së mirëfilltë. Duke u bazuar në përvojën e zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut që ishin të dyfishta, parlamentare dhe lokale, mediat e Kosovës ishin të përfshira drejtpërdrejt në këtë proces. Nuk ndodhi e njëjta edhe për zgjedhjet në Kosovë, pasi shumë media të RMV-së mezi mbulojnë ngjarjet brenda vendit e lëre më jashtë. Por, megjithatë nuk ka munguar interesimi i qytetarëve për ngjarjet si kanë vijuar në Kosovë, shkruan Zhurnal.
Sa ka qenë aktive RMV-ja për zgjedhjet në Kosovë?
Ndërlidhja Maqedoni e Veriut – Kosovë dhe anasjelltas është shumë më e fuqishme sesa ndërlidhja me Shqipërinë. Kjo mbase edhe për çështje afërsie, por nuk është se përbën ndonjë dallim shumë të theksuar. Vitin që lamë pas në RMV kishte zgjedhje të dyfishta, interesi i Kosovës për ta ndjekur atë proces ishte në nivelin më të lartë të mundshëm.
Shumë media nga Kosova zbarkonin dy deri tre herë brenda javës me ekipe të tëra për të vëzhguar situatën edhe nga terreni por edhe për të analizuar zhvillimet në studiot e mbrëmjes. Kjo ishte diçka e re, e pa parë më parë në historinë e dyja vendeve.
Mbase, shtytëse ishte përkrahja e drejtpërdrejt e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në përkrahje të koalicionit VLEN, të cilët sot janë fitues dhe janë pjesë përbërëse e qeverisë. Nuk ndodhi e njëjta edhe me zgjedhjet në Kosovë, edhe pse liderët e po këtij koalicioni nga Maqedonia e Veriut shpesh herë kanë marrë pjesë në fushatat e VV-së, në qytete të ndryshme të Kosovës.
Studio të hapura apo emisione të mbrëmjes për të analizuar fushatën në Kosovë, kanë munguar dukshëm në Maqedoninë e Veriut. Kjo mbase për shkak të tregut mediatik shumë të kufizuar në këtë vend, por sido që të jetë nuk ka qenë veprim i duhur.
Në Çarshi të Shkupit u hap edhe shtabi i VV-së –
Deputeti nga rradhët e kolacionit VLEN, Bekim Qoku ka bërë të ditur misionin e shtabit zgjedhor të VV-së në Shkup.
“Lëvizja Vetëvendosje! hap shtabin zgjedhor në Shkup.
Qendra do të shërbejë për të informuar dhe orientuar të gjithë ata qytetarë të MV që kanë të drejtë për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Për të qenë pjesë e 500K zemrave që rrahin si një.
#118”, kishte shkruar Qoku, i cili pos deputet në Kuvendin e RMV-së ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit, Albin Kurti.
Në tubimin përmbyllës të mbrëmjes së 8 shkurtit në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje shumë autobusë dhe simpatizues të kësaj partie kanë ardhur nga gjitha vendet e Kosovë.
Por nuk kanë munguar as edhe zyrtarë e aktivistë të VLEN-it në këtë tubim. Më herët edhe në disa tubime tjera të VV-së kishin qenë prezentë edhe deputet e lider partie nga VLEN duke përkrahur haptas Albin Kurtin.
Çfarë do të thotë ky veprim? Kur liderët e shteteve të ndryshme mbështesin njëri tjetrin në faza të tilla janë shtytje të hapura për përafrimin e qëndrimeve dhe mendimeve të qytetarëve të po këtyre vendeve. Nëse nga udhëheqësit mbillet urrejtje e njëjta gjë do të trashëgohet edhe në nivelet tjera.
Prandaj, sa më shumë atmosferë bashkëpunuese dhe përkrahëse të koalicioneve të ndryshme partiake aq më mirë dhe aq më shumë mbështetje ndërmjet qytetarëve. Kur bashkohen liderët i hapin rrugën edhe aktivistëve edhe strukturave që të bashkohen edhe më fuqishëm. Urojmë që të vazhdohet akoma me këtë ritëm.
Kujtojmë që, në zgjedhjet e nënta parlamentare në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë kanë marrë pjesë 28 subjekte politike, prej tyre 19 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Janë edhe gjashtë subjekte politike nga komuniteti serb.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për pjesëtarët e komuniteteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vende deputetësh, komuniteti boshnjak tre, komuniteti turk dy, komuniteti rom (komuniteti RAE) ka katër, ndërsa komuniteti i goranëve ka një ulëse parlamentare. Pragu zgjedhor është 5 për qind. /Zhurnal.mk