Sa më shumë që heshtë Shaqir Fetahu, aq më shumë thellohen dyshimet për raportet e tij me njeriun e Putinit!

nga Redaksia

Shkup, 26 shkurt – Nuk ka ende asnjë përgjigje nga BFI në RMV dhe kryetari i saj Shaqir Fetahu, ndaj pyetjeve që ia ka dërguar Agjencia e Lajmeve Zhurnal lidhur me takimin e Fetahut me Abdul-Vahed Niyazov, ish deputetin e partisë së presidentit rus, Vladimir Putin. Niyazov është bë aktual pas një artikulli të publikuar nga Radio Evropa e Lirë. Në këtë artikull theksohet se Niyazov dhe lëvizja që ai e udhëheq (Forumi Mysliman Evropian) janë të involvuar në shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan. Puna e saj është përmendur së voni në një raport që ka përpiluar Royal United Services Institute (RUSI), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i konsideruar instituti më i vjetër në botë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Në raportin e titulluar “Kërcënimi nga lufta jokonvencionale e Rusisë përtej Ukrainës, 2022–‘24” përmenden taktika të ndryshme të Rusisë për të krijuar përçarje në Evropë. Aty përfshihet edhe strategjia e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në botën myslimane, nëpërmjet organizatave dhe fondacioneve bamirëse. Një ndër to është Fondacioni Ahmat Kadyrov, i cili tenton të popullarizojë si figurë fetare ish-udhëheqësin çeçen, njëherësh babanë e udhëheqësit aktual të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili është aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

Punë të ngjashme bën edhe Forumi Mysliman Evropian. Sipas raportit britanik, “organizata është sidomos aktive në Ballkan, ku ka krijuar lidhje me përfaqësues autoritarë myslimanë (jo vetëm fetarë, po edhe figura politike) në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Greqi dhe Rumani”. Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka arritur të sigurojë fotografitë që tregojnë se udhëheqësi i këtij Forumi, respektivisht ish deputeti i partisë së Putinit bashkë me shokët e tij. , është pritur zyrtarisht dhe është dekoruar nga kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu. Takimi është realizuar më 7 korrik të vitit 2021 dhe është përcjellë me një kumtesë zyrtare që dëshmon mikpritjen e ngrohtë që Fetahu ia ka përgatitur ish deputetit të partisë ruse në pushtet.

“Të mërkurën, më 07.07.2021, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i BFI, H. Irsal ef. Jakupi dhe Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Dr. Abdilkerim ef. Iseni, priti një delegacion të Forumit Mysliman Evropian me seli në Bruksel, të udhëhequr nga Kryetari i FME Abdul-Vahid Niyazov, të cilët pasi vizituan bashkësitë islame në Kosovë, Shqipëri, Sanxhak e Mal të Zi, vizituan edhe vendin tonë. Fillimisht Reisul Ulema u dëshiroi mirëseardhje dhe i njoftoi mysafirët me organizimin e Bashkësisë Fetare Islame dhe aktivitetet që ndërmerr ky institucion përfaqësues i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut në për organizimin e jetës fetare në vend dhe jashtë. Kryetari i Forumit Mysliman Evropian Abdul-Vahid Niyazov e falënderoi Reisul Ulemanë për mikpritjen dhe respektin që i bënë atij dhe delegacionit që ai udhëheq të përbërë nga anëtarë të kombeve të ndryshme, e më pas shpalosi idetë dhe planet që i synon ky forum për të ardhmen. Më pas të dyja palët biseduan rreth rrjedhave të përgjithshme fetare dhe u shkëmbyen mendime dhe përvoja nga të dyja palët”, thuhej në kumtesën e 7 korrikut të vitit 2021.

Fotografitë dhe kumtesa nga ky takim ende qëndrojnë në faqen zyrtare të BFI-së, mirëpo akti i pranimit dhe dekorimit të një ish deputeti të partisë së presidentit rus Vlladimir Putin, siç është Niyazov, gjithsesi se është skandal më vete, që duhet të shqetëson BFI-në dhe myftinitë, e pse jo të fillohen edhe hetime për lidhjet e kryetarit të BFI-së me Forumin në fjalë.
Deri tani, për fat të keq nuk ka asnjë përgjigje nga BFI ndaj tri pyetjeve që Zhurnal ia ka dërguara para tre ditëve. Do i përsërisim edhe njëherë këto pyetje, e shpresë se në këtë mënyrë do të detyrojmë Shaqir Fetahun të japë përgjigje dhe të tregohet më transparent edhe ndaj nesh si Agjenci e lajmeve, por mbi të gjitha të tregojë transparencë ndaj opinionit.

Ja pyetjet e dërguara nga Zhurnal, për të cilat ende nuk kemi përgjigje:
“Të nderuar
Radio Evropa e Lirë ka publikuar një lajm me titull “Si përpiqet Rusia të ndikojë në Ballkan përmes Forumit Mysliman Evropian?” (https://ëëë.evropaelire.org/a/perhapja-propaganda-ruse-forumi-mysliman-evropian/32830460.html). Ky artikull sqaron gjerë e gjatë planet ruse për ndikim dhe destabilizim në Ballkan përmes këtij Forumi. Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka siguruar një foto që tregon se si krerët e këtij Forumi janë pritur zyrtarisht dhe janë dekoruar nga kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.
Për nevojat e një teme që jemi duke e trajtuar si vazhdimësi e artikullit të publikuar në Radio Evropa e Lirë, ju lutemi të na përgjigjeni në pyetjet të vijim:
Pse ka dekoruar kryetari i BFI-së Shaqir Fetahu këta persona, a ka qenë i vetëdijshëm për mysafirët që ka pranuar dhe dekoruar?
A do të kryhen hetime brenda BFI-së nëse kryetari Fetahu është i kyçur në planet ruse për ndikim dhe destabilizim në Ballkan?
A do të kërkohet shkarkim i kryetarit Fetahu për të mbrojtur BFI-në që të mos njolloset si instituion pro rus?
Me konsideratë të thellë
Zhurnal”.

E kemi shkruar njëhrë dhe po e përsërisim sërish: Çdo mungesë e përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve mund të konsiderohet në opinion si vërtetim për bashkëpunim të kryetarit të BFI-së me ish deputetin e Putinit dhe tentim për mbajtje në fshehtësi të këtij bashkëpunimi. Heshtja lidhur me këto pyetje dhe lidhur me takimin e Shaqir Fetahut me ish deputetin e Putinit, nuk zvogëlon skandalin, por vetëm se thellon dyshimet për natyrën e takimit. Nëse këtë nuk e kupton Fetahu, atëherë duhet ta kuptojë rrethi i tij dhe të kërkojë përgjegjësi sa më shpejtë nga kryetari i BFI-së për takimin në fjalë. Nëse nuk veprojnë në këtë drejtim, rrezikojnë që edhe vetë ata të bëhen pjesë e dyshimeve dhe një ditë të japin përgjegjësi për takimin ose takimet e kryetarit të BFI-së Shaqir Fetahu me qarqe të dyshimta, që më shumë rëndësi i japin agjendës së Putinit se agjendës fetare.

Edhe heshtja lidhur me informacionet për pagën prej 7.500 eurove që thuhej se mer Fetahu, aspak nuk zvogëluan skandalin, por vetëm shtuan dyshimet në opinion se kemi të bëjmë me një institucion i cili deri sa ka probleme të paguajë rrogat e imamëve, kryetari i saj mer pagë si të jetë sheik në ndonjë vend të pasur me naftë./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More