Sa ndihmon digjitalizimi luftën ndaj korrupsionit?

nga Redaksia

Shkup, 16 shkurt – Korrupsioni me shumë gjasë është fjala më e përmendur në Maqedoninë e Veriut, përmendet edhe nga ata që korruptojnë e janë të korruptueshëm, edhe nga ata që e luftojnë edhe nga ata që frikësohen, pra çdokush që e kupton fjalën korrupsion e përmend në çdo bisedë kur flitet për të ardhmen e vendit, e politikbërjen në vend. Por, korrupsioni si shqetësim nuk përmendet vetëm nga qytetarët, ambasadat e huaja kanë qenë çdoherë me zë kritik ndaj këtij fenomeni, e së fundmi këto kritika edhe janë shpeshtuar sidomos nga ambasada amerikane në Shkup, dhe ambasadori evropian në Shkup, David Geer i cili tha se është i shqetësuar për zbatimin e dobët të rekomandimeve të Komisionit Antikorrupsion. Lufta kundër korrupsionit është në interes të të gjithëve, por më së shumti për të rinjtë të cilët për shkak të korrupsionit po e braktisin shtetin. Por, tani si një nga rrugët e duhura për tu mbrojtur nga korrupsioni qytetarët e shohin digjitalizimin, shkruan Zhurnal.

Qytetarët duan e-shërbime të cilat do ti mbrojnë nga korrupsioni – 

Analiza e e-shërbimeve komunale e zbatuar nga ana e fondacionit Metamorfozis tregon se po rriten pritjet dhe kërkesat nga njësitë e vetqeverisjes lokale dhe se qytetarët në thelb kërkojnë shërbime elektronike të cilat do të mundësojnë kryerje më të lehtë të shërbimeve, ndërsa do ta ulë ekspozimin e tyre në korrupsion.

Në prezantimin e sotëm të Analizës ishte theksuar se mungon qasje strategjike drejt digjitalizimit të shërbimeve lokale. 

“Shërbimet po modernizohen dhe kjo e bën jetën më të lehtë për qytetarët, por ajo që konkludojmë është se në nivel kombëtar, zbatohet disi agjenda digjitale, por në nivel lokal nevojiten përpjekje më të mëdha, ky transformim digjital është i rëndësishëm për ne sepse hulumtimet dhe praktikat tregojnë se përmes këtij lloj transformimi zvogëlohet ekonomia gri dhe korrupsioni, ndërsa rrjedhimisht rritet transparenca e institucioneve”, tha drejtoresha e programit në Metamorfozis, Dançe Danilovska Bajdevska.

Ajo theksoi se për nevojën e madhe të avancimit të digjitalizimit edhe në nivel qendror edhe në nivel lokal, është shembulli i dhënies së dokumenteve personale. 

“Problemi me dhënien e dokumenteve personale është vetëm shembull i cili e vërteton indikacionet tona të vazhdueshme ndaj institucioneve se nevojitet zhvillim strategjik, juridik dhe administrativ në zbatimin e agjendës digjitale, domethënë digjitalizimi është i domosdoshëm”, përfundoi Danillovska Bajdevska. 

Sipas saj në analizat shqetësuese ishte ajo që edhe pse është vërejtur përmirësim i vogël në e-shërbime, qytetarët megjithatë nuk janë të kënaqur nga ajo që u ofrohet nga komunat. 

Ajo informoi se gjatë përgatitjes së analizës së shërbimeve komunale ishin analizuar nga aspekti i tre kategorive edhe atë transparencë dhe llogaridhënie, komunikim dhe miratim, leje dhe shërbime të tjera. 

Edhe pse komunat si institucione ekzistojnë në shërbim të qytetarëve, një nga konkluzionet e hulumtimit është se një pjesë shumë e vogël e komunave dëgjojnë zërin e qytetarëve kur zgjedhin ofertën e ardhshme të e-shërbimeve të reja komunale. Kriva Pallanka, Vasileva, Debërca, Negotina dhe Manastiri janë pesë komunat më mirë të renditura në Maqedoninë e Veriut. 10 komunat e fundit të renditura më të ulëta sipas vlerës së indeksit LEGSI janë: Çairi (0,4242), Bogovina (0,4206), Bosilova (0,4202), Llozova (0,4167), Sopishta dhe Vrapçishti (0,3492), Krivogashtani  (0.3329), Haraçina (0,2615), Dollneni (0,1702) dhe Demir Hisari (0,0317). Komunat në Maqedoninë e Veriut përdorin intensivisht rrjetet sociale, kryesisht Facebook-un, tregon analiza, por vetëm 44 për qind e komunave ofrojnë mundësinë për t’i bërë pyetje kryetarit të komunës.

Analiza tregon se më së paku janë përfaqësuar e-shërbime janë Kërkesa në rrugë elektronike e Lejes ekologjike të integruar -B, si më pak e përfaqësuar, gjegjësisht atë e ofrojnë madje 77,80 për qind nga të gjitha komunat, përderisa vijojnë Formularë për denoncim të tatimit të pronës e cila nuk është përfaqësuar te 53,1 për qind dhe Mundësi për parashtrim të pyetjeve deri te kryetari i komunës e cila nuk ofrohet te 44,4 për qind. 

Nga hulumtimi dalin disa rekomandime, në nivel lokal Janevski thotë se është i nevojshëm grumbullim i mendimit dhe i propozimeve të qytetarëve për zhvillim të e-shërbimeve të reja komunale dhe zhvillim të shërbimeve të reja të ardhshme të unifikuara – të dedikuara për të gjitha komunat. Përderisa në nivel qendror nga analiza del se është e nevojshme përgatitje e strategjisë dhe plan veprimi për e-shërbime komunale dhe trajnime intensive të administratës komunale për arritje të aftësive digjitale.

“Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është kancer me metastaza që çdoherë pengon progresin”

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.

Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More