Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni Temë TOP LAJM

Sa rrezikohet siguria e qytetarëve nga vjedhja e identitetit?

Shkup, 7 prill – Zhurnal.mk – Gjithsej 215 pasaporta të dhëna në mënyrë ilegale, gjegjësisht me identitet të rremë për pjesëtarë të mafias nga Ballkani dhe më gjerë. Kjo ka ndodhur viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa u zbulua nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

Një ditë më vonë, ministri i punëve të brendshme doli në konferencë për media duke sqaruar se ky rast është hetuar për dy vite me radhë. Por a ishte rastësi që MPB të ndërmer aksion për arrestimin e pjesëtarëve zyrtarë të policisë, në të njejtën kohë kur për këtë zbuloi të dhëna VMRO-ja, shkruan Zhurnal.

A kishte planifikuar Spasovski arrestime dhe konferencë për media nëse VMRO-ja nuk zbardhte asgjë nga ky rast, ende mbetet e paqartë. Ndërkohë nuk mungonin dhe akuzat nga ish ministri teknik i MPB-së nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Naqe Çulev, i cili tha se këto hetime i ka kryer ai, dhe gjithë lëndën i’a ka lënë të gatshme ministrit Spasovski, por ai për dy vite nuk ka ndërmarë asgjë.

Qytetarët pas këtij skandali nuk ndjehen të sigurtë. Pasaporta mundeshka të meren edhe me identitet tjetër. Sipas kësaj që ndodhi tani, do të thotë se me një shumë prej 10 mijë apo 20 mijë eurove, secili mund të ndryshojë identitet, dhe të mos ndiqet nga shërbimet sekrete dhe të sigurisë.

Qytetarët ndjehen të frikësuar nëse dikush u’a keqpërdorë identitetin për qëllime kriminale. Por a duhet me të vërtetë të brengosen qytetarët e vendit për këtë gjë?

Profesori universitar, ekspert i fushës së sigurisë, Qebir Avziu, në një prononcim për Zhurnal shprehet se qytetarët duhet të jenë të qetë sepse edhe po të keqpërdoret identiteti i tyre, gjithsesi shteti nuk do ta ndjekë atë penalisht.

Profesori sqaron se grupet kriminale ndryshojnë identitet nga nevoja që të kryejnë më lehtë trafikime të substancave narkotike. Ata kanë dosje kriminale dhe ndjeken nga shërbimet e mëdha siç janë DEA dhe Interpoli.

Sipas asaj që thotë profesori Avziu, pas këtij skandali do të ashpërsohen masat e kontrollit.

Personat të cilëve u janë keqpërdorur identitetet, sipas profesorit janë persona të cilët asnjëherë nuk kanë patur pasaportë dhe janë të sëmurë, apo të pa interesuar për pasaporta, shkruan Zhurnal.

“Referentët e kanë ditur se këta persona janë të sëmurë apo të painteresuar për pasaporta, ndaj dhe i kanë shfrytëzuar. Nuk e marin identitetin e personave që kanë pasaportë por vetëm të atyre që nuk kanë interes për pasaportë. Policia nuk do t’i ndjekë ata”, është shprehur për Zhurnal profesori Avziu.

Nga ana tjetër për identitetin e “viktimave” është prononcuar edhe Prokuroria Themelore Publike. Nga ky institucion bëjnë të ditur se zyrtarët policorë kanë përdorur identitetet e personave që jetojnë në diasporë dhe nuk janë të interesuar për pasaporta të Maqedonisë.

Për këtë çështje ka reaguar edhe ish ministri i punëve të brendshme, njëherit ekspert i sigurisë, Pavle Trajanov. Ai kërkon ndryshim total kadrovik dhe analizë të keqpërdorimeve të mundshme. Si prioritet, ai i përmendë kontrollet e sigurisë për të gjithë punonjësit e MPB-së dhe sektoreve tjera të sigurisë, si dhe test integritet, aftësi shëndetësore, kontroll të gjendjes së pasurisë dhe rezultatet e punës së deritanishme.

Pavle Trajanov propozon që të bëhet një revizion të shtetësive të dorëzuara, të numrave amë, regjistrimeve në librat amë, letërnjoftimeve, patent shoferëve dhe lejeve të qarkullimit, lejeve për armë, si dhe të përforcohet ekipi udhëheqës në MPB me profesionistë.

Ndryshimi i identitetit gjithsesi ka vështirësuar hetimet që kanë zhvilluar DEA dhe Interpoli, sepse me vet ndryshimin e identitetit, ata kanë humbur dhe gjurmët e tyre.

DEA dhe Interpoli me shumë mundësi kanë zbuluar se këta kriminelë lëvizin me anë të pasaportave nga Maqedonia dhe kështu kanë bërë presion ndaj RMV-së që rasti të zbardhet dhe këto pasaporta të mos jenë më valide.

Mbetet të shihet nëse përpos 10 personave të arrestuar gjatë ditës së djeshme, do të ketë dhe arrestime për zyrtarë më të lartë në MPB.//Zhurnal.mk

Postime të ngjashme

Shkupjani privohet nga liria për kontrabandim të emigrantëve

R Zh

Regjistrimi në Diasporë dukshëm më i ulët se sa ai para vendimit për shtyrje, kush i dëshpëroi!

R Zh

Mungesa e vaksinave ndërpret edhe fushatën e ndërgjegjësimit për vaksinim

R Zh

Tridhjetë ditë paraburgim për gjashtë të arrestuarit për tregti të paligjshme me 200 kilogram marijuhanë

R Zh

Sot 46 viktima dhe 687 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

R Zh

Qeveria demanton Milloshoskin: Zaevi dhe Spasovski nuk u kanë dhënë pasaporta pjesëtarëve të ISIS-it

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...