Parlamenti i Kirgistanit sonte e votoi politikanin e opozitës, Sadir Zhaparov për kryeministër të vendit pasi ish-kryeministri, Kubatbek Boronov dha dorëheqje për shkak të protestave.
Boronov, i cili e kishte mbështetjen e presidentit, sot dha dorëheqje dhe u zëvendësua nga një politikan i cili u lirua nga burgu një natë më parë.
“Sadir Zhaparov është emëruar kryeministër i Kirgistanit. Vendimi u mor në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit” thuhet në kumtesë, duke shtuar se seanca u mbajt në një hotel pasi protestuesit e ndërmorën ndërtesën e parlamentit.
Gjatë ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kirgistanit i shpalli rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të së dielës të pavlefshme pas protestave masive në kryeqytetin, Bishkek dhe qytetet e tjera.
“Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 4 tetor 2020, janë shpallur të pavlefshme sot”, publikoi Komisioni.
Mbështetësit e opozitës i pushtuan ndërtesat e qeverisë dhe parlamentit një natë më parë dhe kërkuan zgjedhje të reja, duke i akuzuar autoritetet për përvetësim dhe blerje votash pas fitores së dy partive të afërta me autoritetet.
Një person e humbi jetën, ndërsa disa qindra u plagosën në përleshjet midis protestuesve dhe policisë.