“Safe City” në emër të sigurisë po shkakton tollovi!

nga I.A

Shkup, 9 dhjetor – Projekti “Safe City”, i prezantuar si një hap drejt rritjes së sigurisë rrugore në Shkup, synon të vendosë rend në komunikacion duke përdorur teknologjinë si mjet kryesor monitorimi. Në letër, gjithçka duket e drejtë gjobitja e shkelësve, parandalimi i aksidenteve, disiplinimi i trafikut. Por realiteti në kryeqytet është krejt tjetër. Testimi i sistemit vetëm sa ka rritur frustrimin, ka krijuar tollovi të panevojshme dhe ka nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur pa infrastrukturë funksionale, çdo projekt modern mbetet eksperiment i dështuar, shkruan Zhurnal.

Nga rendi i premtuar tek kaosi i përditshëm –

Shkupi këto ditë është kthyer në laborator eksperimental të lëvizjes 30 km/h. Rrugë të bllokuara, hyrje-dalje të paralizuara dhe kolona kilometrike. Në një qytet ku trafiku edhe pa masa shtesë është i rënduar, shtrëngimi i menjëhershëm i rregullave të lëvizjes vetëm sa e ka përkeqësuar situatën. Synimi për siguri është legjitim, por mënyra e zbatimit ka dështuar.

Në vend që të sjellë rend, “Safe City” po ekspozon një të metë të madhe që Shkupi thjesht nuk ka kapacitet të përballojë zbatimin e këtij projekti në gjendjen aktuale.

Pse funksionon në Evropë dhe pse nuk funksionon këtu?

Shumë prej praktikave të monitorimit të trafikut me kamera funksionojnë me sukses në vendet evropiane. Por krahasimet shpesh janë të rreme pasi atje ekziston një sistem që e mbështet një projekt të tillë si transport publik i rregullt, i shpejtë dhe i parashikueshëm, bulevarde të gjera e me shumë korsi, infrastrukturë moderne, respekt i dyanshëm si i shoferëve ashtu edhe i institucioneve.

Në Shkup, transporti publik është i ngadalshëm, jo i besueshëm dhe shpesh i papërballueshëm në kapacitete. Rrugët janë të ngushta, me korsi minimale dhe me planifikim urban tashmë të konsumuar. Në këto kushte, të vendosësh masa që reduktojnë më tej ritmin e lëvizjes do të thotë ta çosh qytetin drejt bllokimit të plotë.

Rregullat duhen por jo në mjegull –

“Safe City” nuk është problem si ide. Problemi është zbatimi, koha dhe mungesa e kushteve. Nuk mund të ndëshkosh qytetarët përtej mundësive të tyre. Nuk mund të kërkosh sjellje të rregullt në një mjedis ku vetë shteti nuk ofron kushte të rregullta. Dhe nuk mund të presësh efekt pozitiv kur masat merren më shumë për të gjeneruar gjoba sesa për të zgjidhur problemet.
Nëse synojmë një Shkup më të sigurt, atëherë rruga duhet të fillojë nga bazat si rregullimi i transportit publik. Transporti duhet të jetë alternativë reale, jo detyrim i pamundur. Sa kohë që shumica mbështetet te automjetet private, çdo masë kufizuese do të gjenerojë kaos.

Zgjerimi dhe modernizimi i bulevardeve pasi nuk mund të ecësh me 30 km/h në bulevarde që as në normalitet nuk i përballojnë flukset e trafikut. Çdo masë e re duhet testuar në zona të kufizuara, me faza, me analizë të efekteve dhe me komunikim të qartë me qytetarët.

Kujtojmë që, “Safe City” mund të jetë një hap drejt së ardhmes, por sot ai po kthehet në simbol të improvizimit institucional. Në emër të sigurisë nuk duhet të krijohet pasiguri, stres dhe humbje kohe për mijëra qytetarë. Qytetarët nuk duhet të paguajnë me nerva dhe me gjoba për paaftësinë infrastrukturore të institucioneve. Siguria është domosdoshmëri por ajo kërkon planifikim, investim, logjikë dhe mbi të gjitha, një qytet të gatshëm, jo një qytet të bllokuar. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More