Safet Kabashaj ka dhënë dorëheqje nga bordi i Radio Televizionit të Kosovës pas lajmit të “Slobodna Bosna” të publikuar më pas nga RTK-ja.
Kabashaj e ka konfirmuar dorëheqjen për Nacionalen.
“Po, është e saktë. Kam dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të RTK-së”, tha ai për Nacionalen.
Dorëheqja e Kabashaj vjen një ditë pasi Besnik Boletini dhe Arta Berisha dhanë dorëheqje nga pozitat e kryetarit dhe anëtares të Bordit.
Boletini bëri të ditur dje se dorëheqja e tij lidhet me skandalin e artikullit të Slobodna Bosna të publikuar në RTK, ku u linçuan Gazeta Nacionale dhe portali Periskopi.
Ai ka bërë me dije se gjetjet e raportit tregonin në mënyrë të qartë se RTK i kishte shkelur standardet profesionale. Ai ka akuzuar zëvendësdrejtorin e RTK-së, Adi Krasta, se nuk ka dashur të marr masa ndaj atyre që shkaktuan skandalin.
Kujtojmë se Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) ka vlerësuar vendimet për dorëheqje, si vendime të mara në interes të respektimit të standardeve më të larta të gazetarisë etike dhe të ruajtjes së integritetit të mediave të shërbimit publik.