Samiti i BRISC-it ka në qendër çështjen e konfliktit palestinezo- izraelit

nga V.E.

Udhëheqësit e vendeve të BRICS-it u mblodhën të martën për një samit të jashtëzakonshëm virtual mbi çështjen palestinezo-izraelite.
Duke folur në samit, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm si hapi i parë për realizimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme.

Palët në konflikt duhet t’u japin fund armiqësive dhe të arrijnë një armëpushim menjëherë, të ndalojnë çdo dhunë e sulm kundër civilëve, si edhe të lirojnë civilët e mbajtur peng, theksoi Xi, duke shtuar që korridoret humanitare duhet të ruhen të sigurta e të lirshme dhe banorëve në Gazë duhet t’u jepet më shumë ndihmë humanitare.

Duhet të ndalojë ndëshkimi kolektiv i banorëve të Gazës, si zhvendosja e detyruar e ndërprerja e furnizimit me ujë, energji elektrike dhe karburant, u shpreh Xi.

Kreu i shtetit i Kinës i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar zgjerimin e konfliktit dhe rrezikimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme në Lindje të Mesme.

Për të ndihmuar në zbutjen e krizës humanitare në Gazë, Kina ka ofruar 2 milionë dollarë ndihmë urgjente humanitare nëpërmjet Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe agjencive të OKB-së, si edhe 2.1 milionë dollarë furnizime emergjente humanitare, si ushqime e ilaçe, me ndihmën e Egjiptit për banorët në Gazë.
Kina do të ofrojë më shumë furnizime dhe ndihmë sipas nevojave të banorëve të Gazës, bëri të ditur presidenti kinez në samitin virtual shkruan CMG.
Që nga shpërthimi i konfliktit të fundit palestinezo-izraelit, Kina ka punuar në mënyrë aktive për të promovuar bisedimet e paqes dhe arritjen e armëpushimit, vuri në dukje presidenti Xi.

Si vend kryetar i radhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë muaj, Kina ka nxitur miratimin e rezolutës për ndërprerjen e përkohshme të luftimeve për arsye humanitare dhe krijimin e korridoreve humanitare, për të mbrojtur civilët dhe për të ofruar ndihmë humanitare në Gazë.

Më 15 nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën nr. 2712, duke bërë thirrje për ndërprerje të përkohshme e të gjata luftimesh dhe funksionimin e korridoreve urgjente humanitare në Gazë “për një numër të mjaftueshëm ditësh”. Rezoluta ishte produkti i parë konkret i Këshillit të Sigurimit për Gazën pas përshkallëzimit të konfliktit më 7 tetor.

Një delegacion i përbashkët i ministrave të Jashtëm nga vendet arabe dhe islamike, duke përfshirë Arabinë Saudite, Jordaninë, Egjiptin, Indonezinë dhe Palestinën, dhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, nisën të hënën një vizitë dyditore në Kinë.
Delegacioni zgjodhi Kinën si ndalesën e parë të turneut për të nxitur përfundimin e armiqësive midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Ministrat e jashtëm të vendeve arabe dhe islamike vlerësuan qëndrimin e drejtë prej një kohe të gjatë që ka mbajtur Kina për çështjen e Palestinës dhe presin që Kina të luajë një rol më të madh në përfundimin e konfliktit palestinezo-izraelit, në zgjidhjen e çështjeve përkatëse dhe në arritjen e barazisë e të drejtësisë.

“Pa një zgjidhje të drejtë për çështjen palestineze, nuk mund të ketë paqe e siguri të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, vuri në dukje Xi të martën në samit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More