Agjencia Zhurnal.mk

Samiti i Ohrit, Bregu: Mbështesim nismat për një treg të përbashkët

Ohër, 10 nëntor – “Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë drejt një axhende për krijimin të një tregu të përbashkët për rajonin tonë të ngjashëm me tregun e BE-së, bazuar në katër liritë.” kështu është shprehur Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu pas takimit të sotëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër.

Më pas Bregu ka shtuar se nismat duhet të pasqyrojnë plotësisht modelet e BE-së dhe në këtë mënyrë të përfaqësojnë një gur themeli në integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

“Heqja përfundimtare e barrierave brenda rajonit tonë është urgjentisht e nevojshme. Në verë në Samitin e Poznanit, RCC inicioi idenë për një marrëveshje rajonale të udhëtimit me karta identiteti në rajon, ndaj mirëpresim të gjitha nismat e agjendave reale të liberalizimit për rajonin tonë, qofshin ato në lidhje me transportin dhe lehtësimin e tregtisë, lëvizshmërinë, dixhitalizimin ose fusha të tjera, pasi nuk ka vend për proteksionizëm. RCC është e gatshme të lehtësojë dhe intensifikojë punën për zbatimin e Planit Shumëvjecar të Veprimit për Zonën Rajonale Ekonomike (MAP REA) dhe më gjerë, besimplotë se do të arrihet një kornizë gjithëpërfshirëse” tha Bregu duke shtuar se nismat e lindura në rajon për zhvillimin ekonomik të tij paraqesin kuptimin e mirëfilltë të natyrës dhe përfitimeve të bashkëpunimit rajonal.

“Ne jemi në pritje që ky proces të paraqesë vizionin dhe të nxisë nisma dinamike për përmirësimin dhe forcimin e pronësisë së MAP REA të ri të përditësuar, si dhe për të ardhmen e Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë gjithashtu ka potencialin për të kontribuar në propozimet për metodologjinë e re të anëtarësimit në BE dhe ky vendim duhet të merret me të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (BP) në bord, por gjithashtu të thërrasë rreth tryezës Sekretariatin e Komunitetit të Transportit dhe të CEFTA-s “, përfundoi Bregu.

Pjesëmarrësit e takimit diskutuan nismën për heqjen e barrierave për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në të gjithë rajonin. Përveç liderëve të BP dhe RCC, morën pjesë gjithashtu përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve. Takimi tjetër parashikohet të zhvillohet në Durrës më 21 Dhjetor.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...