Kosovë

Seanca e parë ndaj Salih Mustafës caktohet për 28 shtator

Zhurnal Ads

Salih Mustafa do të paraqitet para gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë më 28 shtator, njoftojnë këto Dhoma.

Paraqitja e parë e Mustafës do të mbahet të hënën më 28 shtator, duke filluar nga ora 15:00 dhe do të jetë seancë publike, thuhet në njoftim.

Salih Mustafa, njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestua më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në të njëjtën ditë.

Aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor, 2020.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se “Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, mori në pyetje dhe rrahu një person identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar, “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin”. Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Arrestimi i Salih Mustafës më 24 shtator, shënon edhe arrestimin e parë në Kosovë të bërë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Postime të ngjashme

Mbi 30 mijë kosovarë shkuan në Shqipëri në fundjavë

admin

Qeveria miraton shpronësimin e pronave për rrugën nacionale N2 në Prishtinë

S.B.

Publikohen detaje nga vizita e Lajçakut në Kosovë, i takon të gjithë liderët

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...