Shkup, 11 dhjetor – Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, sot mirëpriti përfaqësuesen e Qendrës për Komunikim me Qytetarët, Sllavica Quçukova Nikollova, në një takim ku u diskutua mbi masat konkrete dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen nga korrupsioni. Gjatë takimit, Nevzati pranoi Propozim-planin Akcional të dorëzuar nga përfaqësuesja, i cili përmban masa të rëndësishme në disa sfera kyçe: furnizimet publike, procedurat gjatë ofrimit të shërbimeve komunale, mbikëqyrjen inspektoriale, ndarjen e mjeteve buxhetore për organizatat joqeveritare dhe menaxhimin e resurseve njerëzore.
Nevzati shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në implementimin e këtyre masave, duke theksuar rëndësinë e rritjes së transparencës dhe efikasitetit në funksionimin e komunës. Ai vlerësoi rëndësinë e këtij plani si një hap konkret për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një administratë më të drejtë dhe të përgjegjshme.
