Agjencia Zhurnal.mk
Shëndetësi

Sëmundjet e zemrës, ushqimet që duhet të konsumojmë

Mjekët kardiologë japin alarmin për rritjen e numrit të të prekurve nga sëmundjet e zemrës. Ushqimet, një jetë e shëndetshme dhe aktiviteti fizik, janë këshillat kryesore të bluzave të bardha, për parandalimin e këtyre sëmundjeve

Sëmundje kardiovaskulare është një term i gjerë dhe përfshin një sërë sëmundjesh të cilat ndikojnë në zemër dhe enët e gjakut. Një atak në zemër ose goditje në tru, mund të jetë paralajmërimi i parë i një sëmundje kryesore.

Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose në tru, prandaj, për lehtësi, këto sëmundje i ndajmë në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut.

Shqipëria

Edhe në vendin tonë, dekadat e fundit, ka një rritje progresive të sëmundjeve kardiovaskulare. Këto të fundit, shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve, duke zënë vendin e parë të të gjitha vdekjeve, – ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare.

Në Shqipëri, në vitin 2010, sëmundjet kronike përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve, ku 55% kishin shkaktar sëmundjet kardiovaskulare (Raporti Shëndetësor Kombëtar, RSHK 2014).

Nëse do të shikonim rastet e vdekjeve, shohim se dy janë sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje, – sëmundjet e arterieve koronare apo sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditja në tru (sëmundjet cerebrovaskulare).

Zemra fuqizon gjithë trupin, të lejon të duash, të qeshësh dhe të jetosh jetën plotësisht. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kujdesemi për të. Nëse nuk e bëni, ju e vendosni veten në rrezik përsëmundjet kardiovaskulare (SKV), ku përfshihen sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru (stroke). SKV-të janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë.

Kujdesi për zemrën

Kujdesi për zemrën fillon duke kuptuar apo njohur në fillim rrezikun tuaj, ndaj sigurohuni të njihni (gjendjen tuaj shëndetësore), të gjithë parametrat tuaj shëndetësorë. Vizitoni mjekun dhe kërkojini disa kontrolle të thjeshta.

Ushqyerja

Ushqyerja dhe marrja e lëngjeve në mënyrë të shëndetshme, i jep zemrës energjinë e nevojshme për të jetuar. Mos u ushqeni me shumë ushqime të përpunuara dhe të parapërgatitura, pasi ato kanë shumë sheqer dhe yndyrna.

Një tjetër këshillë e rëndësishme e mjekëve kardiologë, është pakësimi i pijeve me sheqer dhe lëngjet e frutave dhe në vend të tyre, merrni ujë apo lëngje pa sheqer. Përpiquni të hani 5 porcione në ditë me fruta dhe zarzavate, – ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata.

Merrni brenda udhëzimeve të rekomanduara, sasinë e alkoolit që përdorni. Përgatisni vetë në shtëpi ushqimin për në shkollë apo në punë.

Lënia e duhanit është një ndër gjërat kryesore që ju mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës. Brenda dy viteve pasi keni lënë duhanin, rreziku për sëmundje koronare të zemrës reduktohet ndjeshëm. Pas 15 vjetëve rreziku juaj për të patur SKV është i njëjtë me atë të një personi joduhanpirës. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit është një shkak për sëmundjet e zemrës te joduhanipirësit. Lënia e duhanit do t’ju përmirësojë jo vetëm shëndetin, por edhe atë të njerëzve që ju rrethojnë. Nëse ju keni probleme në lënien e duhanit, kërkoni një këshillë profesionale sesi ta lini atë.

Diabeti

Niveli i lartë i sheqerit apo glukozës në gjak, mund të jetë tregues i diabetit. Sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për 60% të të gjitha vdekjeve te njerëzit me diabet, ndaj nëse ajo nuk diagnostikohet apo nuk trajtohet mund t’ju rrisë rrezikun për SKV dhe goditje në tru.

Aktiviteti fizik

Lëvizeni zemrën! Kjo është këshilla kryesore e mjekëve. Kur qëndroni aktiv, ju mund të reduktoni rrezikun për sëmundje të zemrës dhe të ndiheni mirë. Përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet të moderuar, deri në intensiv, 5 herë në javë. Të gjitha lëvizjet si loja, ecja, punët e shtëpisë dhe kërcimi kanë rëndësi. Ju duhet të jeni më aktiv gjatë ditës si p.sh., duke marrë shkallët në vend të ashensorit, të ecni apo të përdorni biçikletën në vend të makinës. Ushtrimet bëjini me shokët dhe familjen, pasi kjo është më argëtuese dhe ju do të ndiheni më të motivuar. Para se të vendosni për të filluar ushtrimet, ju duhet të konsultoheni me personelin shëndetësor apo mjekun tuaj të familjes.

Hipertensioni

Presioni i lartë i gjakut është faktori kryesor i rrezikut për sëmundjet e zemrës. Ai është quajtur ndryshe “vrasës i heshtur”, pasi zakonisht nuk ka shenja paralajmëruese apo simptoma, dhe shumë njerëz nuk e dinë që e kanë presionin e gjakut të lartë.

Kolesteroli dhe BMI

Niveli i lartë i kolesterolit në gjak, është shkak i rreth 4 milionë vdekjeve çdo vit në botë. Prandaj ju duhet të kontaktoni mjekun e familjes në mënyrë që të masni nivelin e kolesterolit në gjak, peshën dhe Indeksin e Masës Trupore (IMT). Në këtë mënyrë, mjeku mund t’ju këshillojë për rrezikun që keni për SKV-në, në mënyrë që ju të merrni masa apo veprime për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj.

Fakte dhe shifra mbi sëmundjet e zemrës:

-Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë

-Vdekjet nga sëmundjet e zëmrës në botë, sot arrijnë në 17 milionë. Vdekshmëria globale nga SKV-të është 31%.

-Vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme janë më të prekura nga vdekshmëria prej këtyre sëmundjeve.

-Parashikohet që për vitin 2030 numri i vdekjeve nga SKV-të të arrijë 23 milionë.

-Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur si objektiv për vitin 2025 reduktimin me 25% të vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga sëmundjet kronike, në të cilat SKV-të zënë vendin më të madh.

-Shumë prej sëmundjeve kardiovaskulare janë të parandalueshme, duke adresuar faktorët e rrezikshëm të sjelljes.

-Nga viti 1980 – 2008, numri i njerëzve me hipertension të pakontrolluar është rritur nga 600 milionë në 1 miliard.

-Mbipesha te fëmijët në mbarë botën: 1 në 10 fëmijë të moshës shkollore dhe 42 milionë fëmijë të moshës nën 5 vjeç janë mbipeshë.

-Duhanpirja është një faktor rreziku për sëmundje të zemrës që mund të shmangen totalisht. Aktualisht ka 1 miliard duhanpirës në mbarë botën

-Diabeti është rritur në shumë vende të Evropës me një rritje më shumë se 50% në 10 vitet e fundit. Në rang botëror, në vitin 2010 kishim 23% të të rriturve të cilët nuk ishin aktiv.

Postime të ngjashme

Avokado e dobishme për largimin e kolesterinës së keqe

S.B.

Lëngjet që kanë Vitaminë C dhe benefitet e saj

S.B.

Doktori konstaton: Nëse doni të forconi maksimalisht imunitetin tuaj, hani këto tre ushqime çdo ditë!

S.B.

Dhembja e kokës dhe ndjeshmëria ndaj dritës: Simptomat e tregojnë këtë problem

S.B.

Pirja e çajit të gjelbër mund të ndihmojë në parandalimin e humbjes së muskujve ndërsa plakeni

S.B.

Pneumonia: Si ta parandaloni infektimin?

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...