Uashington, 10 korrik – Bashkëkryetarët e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan, demokratja Xhin Shahin dhe republikani Tom Tillis shprehën të martën përkushtimin dypartiak ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe disktuan për mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Siç raportin Zëri i Amerikës, dy senatorët i shprehën qëndrimet e tyre në një njoftim për median, pas një takimi në Kapitol me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Filip Ivanoviç të cilët ndodhen në Uashington për Samitin e NATO-s. “Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global”, tha Senatorja Shahin. Këtë javë në Uashington po mbahet takimi i nivelit të lartë të NATO-s, që shënon 75 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit për themelimin e aleancës.