Serbia “caku” kryesor i fushatës ruse për dezinformim në Ballkanin Perëndimor

nga Xh M

Beograd, 19 prill – Serbia, sipas një hulumtimi të Qendrës për Informim, Demokraci dhe Qytetari (CIDC) e Universitetit Amerikan në Bullgari, është caku kryesor i fushatës së dezinformimit rus, në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Përqendrimi i dezinformatave në Serbi është 6.3 herë më i lartë se mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian”, shpjegojnë për Radion Evropa e Lirë autorët e hulumtimit, Jacob Udo-Udo Jacob dhe Georgi Angelov.

Qendra për Informim, Demokraci dhe Qytetari e Universitetit Amerikan në Bullgari, nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të vitit 2025, ka analizuar mbi 640 mijë artikuj të publikuar në faqet e rrjetit “Pravda” në 45 shtete.

Sipas kësaj qendre, ky rrjet shërben për përhapjen e dezinformatave të lidhura me Rusinë.

Duke u bazuar në numrin e artikujve të publikuar për kokë banori, Serbia renditet e katërta ndër të gjitha shtetet e përfshira në hulumtim, pas Moldavisë, Letonisë dhe Estonisë. Pas Serbisë janë Armenia, Gjeorgjia, Sllovakia, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Portugalia, Hungaria, Greqia dhe Ukraina.

“Serbia është e cenueshme dhe cak i dezinformatave për disa arsye. Këtu përfshihen lidhjet historike me Rusinë, kontradiktat e thella të brendshme dhe problemet me lirinë dhe kontrollin e mediave”, shpjegon bashkëautori i hulumtimit, Georgi Angelov në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Jacob Udo-Udo Jacob thekson se një nga arsyet është mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

“Serbia është mikpritëse e një pranie të fortë mediatike pro-Kremlinit, ka shtyrë integrimin në Bashkimin Evropian dhe ndikon gjeopolitikisht në Kosovë”, vlerëson ai.

Duke analizuar 643.600 artikuj të publikuar në faqet e rrjetit “Pravda” në 45 vende nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të këtij viti, Qendra ka konstatuar se mbi gjysma (52 për qind) e përmbajtjes është drejtuar ndaj ish-republikave sovjetike dhe vendeve të Ballkanit.

Mediat ruse të sanksionuara në BE, të mirëpritura në Serbi

Në Serbi, e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, mediat ruse që publikojnë në gjuhën serbe veprojnë pa pengesa.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në vitin 2015 u hap redaksia e “Sputnik” në Serbi. Ky medium funksionon nën agjencinë ndërkombëtare të lajmeve “Rossiya Segodnya”, e financuar nga shteti rus.

Serbia është edhe i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku operon edhe televizioni shtetëror rus RT (ish-Russia Today), i themeluar në nëntor të vitit 2022, tetë muaj pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

RT, një media nën kontrollin e Kremlinit e financuar nga buxheti shtetëror, është ndaluar në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.

Është cilësuar si një kanal kyç për përhapjen e propagandës ruse dhe është subjekt i një pakete të gjerë sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Si shpërndanë mediat ruse përmbajtje manipuluese para zgjedhjeve në Kosovë?

“Prishtina llogariti gabimisht – as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”…

Këta janë disa nga dhjetëra titujt në mediat shtetërore ruse të mbështetura nga Kremlini, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, të cilët janë publikuar gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë, nga 11 janari deri më 9 shkurt.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve theksoi në raportin e tij se këto dy medie kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet në Kosovë, që nga fillimi i janarit, dhe se disa prej tyre kanë pasur një narrativ manipulimi kundër komunitetit serb.

Raporti nuk veçoi ndonjë tekst me “përmbajtje manipuluese”, por Radio Evropa e Lirë i analizoi disa prej tyre.

Theksi vihet kryesisht te Lista Serbe si “mbrojtëse” e interesave serbe në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, lidhen me “persekutimin” e serbëve apo “sulmet” ndaj tyre – ndonëse pa asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tilla.

Maja Sever, presidente e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), në një deklaratë për REL-in e ka përshkruar “vërshimin e dezinformatave dhe presioneve” në Serbi si “tronditës”.

“Rusët kanë interesat e tyre dhe për këtë arsye, duket qartë se kanë investuar burime dhe energji për përhapjen e dezinformatave në Serbi. E vetmja përgjigje është gazetaria e lirë dhe profesionale”, theksom ajo.

Sever thekson se në lidhje me përhapjen e dezinformatave ruse në Serbi, por edhe me presionin ndaj mediave të lira e të pavarura, “mungon krejtësisht” një reagim më vendimtar nga Bashkimi Evropian, me të cilin Serbia ka filluar negociatat e anëtarësimit që në vitin 2014.

Ajo tregon se javën e kaluar, gjatë një aktiviteti të Misionit për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias në Serbi, bashkë me kolegë nga organizata të tjera ndërkombëtare, i ka përcjellë përfaqësuesit të Delegacionit të BE-së në Beograd mesazhin se mungesa e reagimit nga BE “është e papranueshme”.

“Mesazhi ynë kryesor gjatë vizitës treditore, si publikisht ashtu edhe në takime, ishte se Evropa po e kthen kokën dhe po bën sikur nuk sheh çfarë po ndodh këtu, dhe kjo nuk guxon të ndodhë”, thotë Sever për REL.

Ajo shton se në kuadër të misionit, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e BE-së në Beograd që BE-ja të ngrijë negociatat me Serbinë për kapitullin 23, që lidhet me të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare dhe të mediave.

Serbia prej vitesh ka shënuar rënie në aspektin e lirisë së shprehjes dhe mediave, për çka kanë paralajmëruar edhe organizata të shumta ndërkombëtare, si Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Amnesty International.

Përmirësimi i lirisë së mediave në Serbi është një nga rekomandimet e fundit në raportin e Komisionit Evropian për progresin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Çfarë është rrjeti “Pravda”?
Sipas hulumtimit, rrjeti “Pravda” u shfaq pasi mediat shtetërore ruse Russia Today dhe Sputnik u ndaluan në BE pas pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Deri në fillim të vitit 2025, ishte shndërruar në një “ekosistem global të dezinformimit” që përbëhej nga rreth 190 faqe në 83 vende, duke përhapur propagandën ruse në dhjetëra gjuhë.

“Pravda është nyja lidhëse e disa rrjeteve të përhapjes së dezinformatave të lidhura me shtetin rus. Këto rrjete përhapin narrativë që nxisin ndjenja antievropiane dhe antiperëndimore”, thotë Georgi Angelov.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More