Agjencia Zhurnal.mk

Sevdail Demiri, hulumtues shkencor: Thesaret kulturore që i ka treva e Kumanovës nuk mund t’i gjesh në tërë Ballkanin

Shkup, 14 gusht – Sevdail Demiri është doktor i shkencave historike, profesor universitar, shkrimtar e publicist. Me të zhvilluam një intervistë, në cilësinë e hulumtuesit shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup…

A mund të na thoni se cilët janë aktivitetet e fundit në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup?

Sevdail Demiri, hulumtues shkencor: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup, është institucioni i vetëm shkencor në sferën e shkencave albanologjike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe natyrisht që ka një volum të punës, i cili shtrihet në më shumë fusha, në më shumë dimensione. Kryesisht merremi me studimin dhe hulumtimin e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë, të gjuhës, të letërsisë, të folklorit, të traditës e tjerë. Nëse flasim konkretisht për aktivitetet e institutit, natyrisht që pjesa ndoshta më themelore e të gjithë veprimtarisë përkon me hulumtimin, studimin dhe botimin e atyre të arriturave shkencore, gjë që bëhet përmes botimeve – librave. Dhe, meqë mund të flas edhe në cilësinë e përgjegjësit të botimeve të Institutit, këto vitet e fundit kemi arritur përafërsisht deri në 30 botime t’i nxjerrim brenda vitit, në fushat e ndryshme të shkencave albanologjike. Natyrisht që Instituti përpos kësaj ka edhe aktivitete tjera që lidhen me organizimin e konferencave të ndryshme shkencore, aktiviteteve, tubimeve, ngjarjeve përkujtimore, e tjerë.

Libri juaj i fundit i botuar nga Instituti është “Thesare kulturore dhe natyrore të trevës së Kumanovës”. A mund të na thoni diçka më tepër për trashëgiminë e rajonit të qytetit të Kumanovës?

Sevdail Demiri, hulumtues shkencor: Po libri për të cilin po flasim, “Thesare kulturore dhe natyrore të trevës të Kumanovës” paraqet një projekt dyvjeçar që kemi punuar në të bashkë me profesor doktor Naim Halimin. Është hera e parë, besoj, në këtë trevë që në këtë formë evidentohet e gjithë trashëgimia kulturore e natyrore e trevës shqiptare të Kumanovës dhe të Likovës. I kemi ecur komplet të gjitha vendbanimet shqiptare të kësaj treve, dhe kemi parë një pasuri të jashtëzakonshme kulturore që e posedon kjo trevë shqiptare, por fatkeqësisht ka mbetur e pahulumtuar, e paevaluuar, e pastudiuar. Dhe, ndoshta ky libër mund të jetë një shkak që institucionet përgjegjëse të merren në një mënyrë më të përgjegjshme dhe më kompetente me hulumtimin dhe studimin e kësaj trashëgimie kulturore. Besoj që edhe opinioni mund ta di, por është fakt që thesaret kulturore që i ka treva e Kumanovës, nuk mund t’i gjesh në tërë Ballkanin. Ta marrim shembull vendbanimin e vjetër të periudhës antike Uji i Thartë në Likovë, ku janë zbuluar mumie, konkretisht varreza të mumifikuara dhe me një metodë shumë specifike, e cila nuk gjendet askund tjetër. Fatkeqësisht ai lokalitet i vjetër arkeologjik nuk është hulumtuar nga institucionet kompetente shqiptare, të cilat duhet dinë t’ia japin vendin e merituar atij lokaliteti meqë ka pas hulumtime më herët, por në fakt nga institutet shkencore të Beogradit në kohën e ish-Jugosllavisë të cilat e vetëm e kanë shkatërruar atë trashëgimi. Pastaj, kemi edhe shumë thesare të tjera të kësaj natyre. Shembull kemi kalanë e Sllupçanit, të Nikushtakut, Hotlës e tjerë, të cilat gjithashtu nuk janë prekur nga dora e njeriut kompetent, dora e arkeologut shqiptar, i cili do të dinë që t’ia jep vlerën e merituar. Prandaj ne kemi bërë një lloj përpjekje që t’i nxjerrim në pah këto vlera, i kemi fotografuar të gjitha objektet, duke filluar nga ato fetare, për shembull xhamitë edhe të reja që janë, po edhe ato të vjetrat, pastaj varrezat e vjetra, mullinjtë, pra gjithçka që ka të bëjë me trashëgiminë tonë kulturore. Shpresojmë që në të ardhmen do të mund që institucionet dhe komunat tona të dinë se si do ta valorizojnë këtë thesar kulturor.

Klubin e Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova e keni drejtuar 8 vite. Tash keni kryesi të re. Si e sheh zhvillimin e klubit dhe letërsisë shqipe?

Sevdail Demiri, hulumtues shkencor: Po edhe në këtë pjesë të letërsisë e kam dhënë një kontribut modest, aq sa kam mundur në periudhën e fundit. Në dy mandatet e kaluara kam drejtuar Klubin e Shkrimtarëve Shqiptarë “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, që është një nga klubet e para shqiptare në Maqedoni. Kemi edhe revistën e parë të pavarur shqiptare kulturore në Republikën e Maqedonisë, “Doruntina”. Ndoshta nuk kemi mund të bëjmë në suaza masive që kemi pas diçka të jashtëzakonshme, por unë jam shumë i kënaqur që gjatë kësaj periudhe kemi arritur ta ruajmë kontinuitetin e zhvillimit të klubit që nënkupton se për çdo vit e kemi mbajtur për shembull manifestimin tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, një manifestim mbarëkombëtar me poetë dhe mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare. Kemi vazhduar jetën e revistës kulturore dhe shkencore, siç është Doruntina. Kryesia e re e klubit tani udhëhiqet nga dr. Fatos Rushiti dhe shpresojë që këta kolegë do ta vazhdojnë këtë rrugë dhe këtë kontiniuitet të zhvillimit të klubit, meqë është një lloj shenje identifikuese e gjithë shqiptarëve të trevës së Kumanovës.

Na tregoni diçka për projektet e radhës?

Sevdail Demiri, hulumtues shkencor: Por nëse flasim për projektet, ato janë të shumta, e ndoshta nuk mund të ndalemi te secili. Meqë së fundmi e patëm bisedën tek Klubi i Shkrimtarëve, kemi konkuruar në Ministrinë e Kulturës vitin e kaluar dhe tani së shpejti do të del nga botimi një lloj përmbledhje ose një panoramë e poezisë kumanovare shqipe, ku për herë të parë me një vend janë mbledhur poetët e trevës së Kumanovës dhe Likovës. Të gjithë i kemi bërë bashkë me një vend, meqë ndoshta hapësirat kohore shpesh na ndajnë, dikush është jashtë, dikush ka kaluar në qytetet tjera për të jetuar ose disa prej tyre nuk janë edhe në mesin e të gjallëve. Kryesorja është se i kemi bërë me një vend të gjithë poetët, ku aty secili poet ka një prezantim, pra një biografi, nga disa poezi, dhe nga një fotografi. Mendoj që do të mbetet një kujtim shumë i mirë dhe shumë i çmuar për të gjithë poetët që nga gjenerata e parë e poetëve si për shembull: Asllan Selmani, Fadil Bekteshi, Nehas Sopaj e tjerë, e deri tek poetët e rinj të cilët janë në një moshë të re, por që natyrisht premtojnë shumë për të ardhmen. 

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...