Ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, në fjalën e saj të mbajtur në Simpoziumin ndërkombëtar “Sfida dhe inovacione për diga të sigurta”, tha se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme përpara.
Gjithashtu, ajo nënvizoi se tashmë vendi ka një eksperiencë shumë të mirë që është ajo e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Fjala e plotë e ministres Belinda Balluku:
“Përshëndetje të gjithëve. Është kënaqësi të jem këtu me ju sot. Dua të falënderoj të gjithë të ftuarit dhe bashkëpunëtorët e KKDM-së që padyshim të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare ndikojnë ndjeshëm në rritjen e eksperiencës dhe në krijimin e kontakteve të duhura për të shkuar përpara. Kam një fjalim që nis me “është kënaqësi e madhe, një punë e mrekullueshme nga KKDM-ja”, por duke dëgjuar Arjanin them që këtë fjalimin ta ndërroj, se unë s’kam dhe shumë dëshirë që ti qëndroj fjalimeve që shkruhen zakonisht nga kabineti, pasi jam një nga ato ministre që i kam hyrë thellë portofolit që mbuloj në këtë rast edhe Komitetit të Digave. Është e rëndësishme shpeshherë dhe më shumë e rëndësishme sesa të lëvdojmë veten që të identifikojmë problematikat, por tek të dëgjoja Arjan që identifikoje për shembull problemet rregullatore që ne kemi apo ligjin, një nga detyrat që ka KKDM-ja është padyshim që të punojë përsa i përket kuadrit rregullator dhe përsa i përket gjithçkaje që vendos funksionimin e digave në Republikën e Shqipërisë të cilën shumë drejtë e the që është një nga vendet me numrin më të lartë të digave për 1 milion banorë apo për kilometër katrorë.
Kështu që unë do ti kërkoja zyrtarisht sot KKDM-së që përveç pjesëmarrjes në konferenca, të cilat padyshim janë të rëndësishme sepse sjellin dije, eksportojnë dije dhe importojnë dije, padyshim do të duhej që të kishte një rol më aktiv përsa i përket pikërisht digave në Republikën e Shqipërisë. Eksperienca europiane është e vyer, por ne kemi dhe një eksperiencë shumë të mirë që është ajo e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kaskada e Drinit në dijeninë time jo të pakët, pas 6 vitesh që drejtoj sektorin energjetik në Republikën e Shqipërisë dhe që e njoh me pëllëmbë atë kaskadë është një kryevepër arti e sistemit hidroenergjetik dhe për më tepër është një kryevepër arti e sistemit të digave. Padyshim e lënë pas dore, por vite më parë dhe jo sot që flasim, pasi sot që flasim kam pasur ndërhyrje shumë të rëndësishme që zoti Jovani dhe të gjithë anëtarët e KKDM-së e dinë edhe më mirë se unë, të paktën shpresoj unë që ti dinë, që kanë qenë ndërhyrje të rëndësishme si për mirëmbajtjen e këtyre digave edhe për sistemin elektromekanik të tyre. Kështu që Republika e Shqipërisë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara.
Fillimisht me identifikimin e të gjithë digave në territorin tonë, të ndara këto sipas madhësisë, në diga të mëdha, në diga të mesme apo diga të vogla. Diga të cilat prodhojnë energji dhe janë një ‘case study’ përsa i përket hidroenergjetikës apo diga të cilat janë të vendosura në rezervuarët tonë që kanë padyshim edhe ato nevojë për t’u mirëmbajtur, për t’u rikonstruktuar, por që nga ana tjetër janë një vepër arti sesi e gjithë Republika e Shqipërisë ka arritur që në fillim të viteve ’70 të vaditet përmes rezervuarve. Nëse ka diçka që ne sot duhet të ndërhyjmë dhe këtu po i referohem sektorit të digave të cilat përdoren nga bujqësia, duhet të ndërhyjmë në kanalizime. Rrjetin e kanalizimeve të lidhur me rezervuarët i cili padyshim për shkak edhe të ndërtimeve informale, për shkak të një tranzicioni 30 vjeçar ka pësuar dëme të konsiderueshme që do të ishte e udhës dhe është në planet e qeverisë të rehabilitojmë këtë rrjet, duke qenë se bujqësia vazhdon të jetë një nga sektorët më fitimprurës në ekonominë e vendit, me ndikim të jashtëzakonshëm në shifrat e eksporteve shqiptare.
Kemi mbyllur vitin e kaluar me 500 milionë euro eksporte dhe kërkojmë që deri në 2030 vetëm eksportet e prodhimeve bujqësore të arrijnë në 1 miliard euro, duke bërë shumë të rëndësishme dhe infrastrukturën mbështetëse bujqësore. Nuk duhet lënë pas dore dhe duhen shënuar disa hapa të rëndësishme që kemi hedhur, pasi në ndërkohë që kemi monitoruar digat, kemi analizuar dhe kemi inspektuar për të pasur një plan të qartë se kush është gjendja e tyre fizike sot, pasi kemi diga të cilat ka nisur ndërtimi i tyre që në vitet ’50 dhe shumica e tyre siç e tha edhe zoti Jovani janë mbi 50 vjet, por nga ana tjetër kemi ndërmarrë dhe një sërë masash për identifikimin e problematikave apo edhe për rehabilitimin e tyre. Duhet më shumë vëmendje. Sigurisht, duhet më shumë vëmendje. Asnjëherë puna nuk mbaron, por Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në ndryshim total të 10 viteve më parë i ka dhënë një vëmendje të veçantë digave. Unë personalisht jam ulur me anëtarët e KKDM-së për të kuptuar të gjithë problematikën, pasi kemi identifikuar që KKDM-ja nuk është aty vetëm për digat, por është për të na ofruar edhe këshillime të mëtejshme, pasi digat janë ngushtësisht të lidhura edhe me përmbytjet. Një nga zgjidhjet që i kemi dhënë përmes analizave dhe studimeve që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë, padyshim me mbështetjen e KKDM-s, ka qenë edhe zgjidhja e problematikës së përmbytjeve në fushën e Shkodrës. Të gjitha këto janë të lidhura në një zinxhir të njëpasnjëshëm me emergjencat civile, të cilat duhet të përgatiten për të gjithë problematikat që mund të vijnë nga prurjet e tepërta të cilat shkarkohen në kaskadën e Drinit apo dhe në kaskada të tjera.
Sot sfida më e madhe qëndron në sistemin ekologjik. Në të gjithë ciklin natyror ekologjik i cili ndjeshëm ka ndryshuar. Ky është viti i dytë me prurje të larta në kaskadën e Drinit dhe po e them këtë pasi ne kemi pasur një praktikë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, kishim dy vite të thata dhe një vit të lagësht mesatarisht, ndërkohë që ka ndryshuar plotësisht panorama klimaterike e Shqipërisë dhe jo vetëm e Shqipërisë. Sot jemi duke u përballur me fenomene të tjera natyrorë të cilat e bëjnë akoma më sfiduese mbrojtjen, rehabilitimin dhe përdorimin e digave.