Agjencia Zhurnal.mk

Sfidat përpara Konferencës së Berlinit për Libinë

Të gjithë sytë janë kthyer drejt Konferencës së Berlinit, ku aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë të dielën do të ulen për të diskutuar konfliktin në Libi, i cili ka vazhduar që nga rrëzimi i liderit tashmë të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Nebahat Tanrıverdi Yaşar, eksperte në studimet e Afrikës së Veriut në Qendrën për Studime të Lindjes së Mesme në Ankara (ORSAM), tha se procesi fillestar politik me qëllim të arritjes së paqës filloi në vitin 2015 me marrëveshjen në Skhirat.

I emëruar sipas qytetit në Marok ku u nënshkrua, Marrëveshja e Skhirat-it u sponsorizua nga OKB, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike për krizën libiane. Në përputhje me marrëveshjen, në Libi u shfaq Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) dhe u konsiderua si autoriteti i vetëm ekzekutiv në vend.

Megjithatë, Yaşar tha se marrëveshja nuk solli një zgjidhje të përhershme të krizës pasi përqendrohej në qëllime “të paarritshme”, ndërsa injoronte problemet thelbësore që kanë kapluar vendin.

“Këto çështje të pazgjidhura në Libi më vonë rezultuan në polarizim rreth dy pushtetve lokale dhe përfshirjen e aktorëve ndërkombëtarë”, tha ajo, duke shtuar se këta aktorë kërkuan të përfitojnë nga mjedisi i krizës në vend.

Ajo nënvizoi se organizatat ndërkombëtare si BE dhe OKB kanë reaguar vetëm për fluksin e migracionit në Evropë dhe sigurinë e tyre dhe tha se kjo lloj politike çoi në thellimin e konfliktit në Libi, i cili përfundimisht u shndërrua në një krizë ndërkombëtare.

Yaşar shtoi se fuqitë rajonale si Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjipti si dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Francën dhe Rusinë, u bënë palë në konflikt, kurse përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike u lanë mënjanë.

Duke argumentuar se përfshirja e vendeve të ndryshme nuk ofron ndonjë mundësi zgjidhjeje konstruktive dhe gjithëpërfshirëse pasi ato veprojnë në përputhje me interesat e tyre, ajo tha: “Për këtë arsye, suksesi i Konferencës së Berlinit do të jetë i mundur në që qoftë se kjo mbështetje e huaj bllokohet apo balancohet”, shtoi Yasar.

Bisedimet e Moskës dhe Haftari

Pas një thirrjeje të përbashkët të presidentëve të Turqisë dhe Rusisë, palët ndërluftuese të konfliktit të Libisë shpallën armëpushimin më 12 janar dhe u takuan në Moskë të hënën.

Megjithatë, komandanti renegat i Libisë, Khalifa Haftar, kundërshtar i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB, u largua nga Moska pa arritur një marrëveshje të përhershme armëpushimi.

“Në bazë të faktit se Haftar kundërshtoi marrëveshjen (në Moskë) dhe kushteve që ai parashtroi, kuptohet që Khalifa Haftar ende e shikon luftën si një instrument për të arritur qëllimet e tij”, tha Yaşar.

Duke theksuar se Haftar ka kërkuar të marrë legjitimitet ndërkombëtar që nga viti 2014, ajo tha se përpjekjet e tij për të marrë përsipër udhëheqjen e Libisë dështuan, por ai tani është njohur si një nga aktorët e rëndësishëm të krizës.

“Përveç kësaj, ai u përpoq të bëhej i pavarur financiarisht nga Tripoli duke shitur vazhdimisht naftën të cilën e mori nga objektet e naftës në rajonet lindore. Megjithatë, përpjekjet e tij përfunduan në dështim”, shtoi ajo.

Sipas Yaşar, dështimet e Haftarit në frontin diplomatik e inkurajuan atë të ishte më aktiv ushtarakisht dhe ai po riafirmonte këto pretendim përmes lëvizjeve të tij pas bisedimeve në Moskë, pasi vazhdon të sigurojë burime për ushtrinë e tij përpara Konferencës së Berlinit.

Jehona e përfshirjes së Turqisë

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Tripoli arritën dy memorandume të veçanta të mirëkuptimit, një mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetri për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Më 3 janar, parlamenti turk miratoi një mocion që autorizoi qeverinë për dislokimin e trupave në Libi në përpjekje për të mbrojtur qeverinë e njohur nga OKB dhe për të parandaluar humbjet civile në vazhdën e konfliktit vdekjeprurës.

Yaşar tha se ratifikimi i parlamentit për vendosjen e trupave ishte një zhvillim i rëndësishëm dhe çështja u soll edhe një herë në axhendën ndërkombëtare.

“Në përpjekje për të mos e humbur ndikimin në krizë, palët që prisnin fundin e ofensivës në Tripoli u detyruan të ndërmarrin hapa”, tha ajo, duke shtuar se kjo erdhi pasi Turqia mori iniciativën.

Ajo shtoi se qëllimi fillestar i Turqisë në Libi ishte të gjente terren të përbashkët politik dhe kjo ishte politikë që mund të vërehej në deklaratat e politikanëve të lartë turq rreth Libisë.

“Megjithatë, ne shohim se (Turqia) është e vendosur të ndjekë një politikë më të ashpër, nëse forcat e Haftarit do të vazhdonjnë operacionet në Tripoli dhe do të bëjnë përpjekje për të hequr GNA-në nga ekuacioni politik”, tha ajo, duke argumentuar se kjo qasje do të bëhet e qartë në samitin e ardhshëm të paqes në Gjermani.

Që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011, në Libi u shafqën dy qeveri, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.

Në muajin prill të vitit të kaluar, Haftar nisi një ofensivë për pushtimin e Tripolit, veprim i cili u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...