Agjencia Zhurnal.mk

SHBA do të tërheqë më shumë trupa sesa pritej nga Gjermania

Sipas ministrit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper, trupat e SHBA-së në Evropë do të zvogëlohen në mënyrë të konsiderueshme. Sidomos në Gjermani do të ketë një reduktim të madh.

Numri i ushtarëve amerikanë në Gjermani do të zvogëlohet me gati 12,000 vetë – pra shumë më tepër sesa qe thënë më parë. Ministri i Mbrojtjes, Mark Esper, tha në Uashington se rreth 6.400 syresh do të kthehen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 5.600 të tjerë do të transferohen në vendet e tjera të NATO-s.

Me këtë do të rritet “fleksibiliteti strategjik” i forcave të armatosura amerikane, u tha Esper gazetarëve në Pentagon. Deri tani, qeveria amerikane ishte shprehur për tërheqjen e rreth 10,000 prej afro 36,000 ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani. Sipas një raporti të radios Südwestrundfunk (SWR) prej tërheqjes do të preken bazat e SHBA-së: Vilseck, Grafenwehr dhe Wildflecken në Bavari dhe baza e Forcave Ajrore të SHBA-së në Spangdahlem në Eifel.

Po ashtu edhe Selia qendrore ushtarake e SHBA-së për Evropën do të zhvendoset nga Shtutgarti në Belgjikë, tha Komandanti i Përgjithshëm Tod Wolters në konferencën për shtyp në Uashington. Në Mons të Belgjikës gjendet edhe SHAPE, selia ushtarake e NATO-s. Komanda për forcat speciale amerikane në Evropë pritet gjithashtu të zhvendoset nga Shtutgarti për në Mons. Po ashtu ka mundësi që edhe selia për operacionet ushtarake amerikane në Afrikë, AFRICOM, e cila gjithashtu gjendet në Shtutgart, të zhvendoset në një vend tjetër.

Presidenti amerikan Donald Trump e kishte njoftuar tërheqjen e pjesshme të trupave amerikane nga Gjermania në qershor dhe e kishte justifikuar atë me pretendimin se në Gjermani nuk bëhen shpenzime të pamjaftueshme për mbrojtjen. Sidoqoftë fjala përfundimtare për këtë tërheqje e cila do të jetë edhe mjaft e komplikuar për arsye logjistike nuk është thënë akoma. Në Kongresin Amerikan është formuar tashmë një grup kundërshtarësh si në radhët e republikanëve të Trumpit edhe të demokratëve. Ky plani shihet me kritike, sepse mund të dobësojë NATO-n dhe të jetë në favor të Rusisë.

Prandaj në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve ka plane për ta parandaluar tërheqjen e pjesshme përmes ligjit për buxhetin e ardhshëm ushtarak. Trumpi po kandidon gjithashtu për një mandat të dytë si President i SHBA-së në Nëntor. Nëse ai i humb zgjedhjet, presidenti i ri mund t’i anulojë këto plane.

Trupat amerikane si forcë ekonomike rajonale

Gjatë Luftës së Ftohtë në Gjermani ka pasur deri në 250,000 ushtarë amerikanë. Pas rënies së Murit të Berlinit pati një reduktim radikal dhe në vitin 2000 trupat amerikane numëronin vetëm 70,000 vetë, dhjetë vjet më vonë 48,000 – kurse sot kanë mbetur vetëm 36,000 vetë. Pas Japonisë Gjermania zë vendin e dytë sa i përket stacionimit të trupave amerikane në të gjithë botën.

Ministri i Brendshëm i landin Rheinland-Pfalz, ku aktualisht janë të stacionuar afro 18.500 ushtarë amerikanë, e kritikoi vendimin e qeverisë amerikane si “thelbësisht të gabuar”. Për rajonet e prekura, tërheqja e pjesshme e trupave është një “goditje e rëndë”, tha Roger Lewentz. “Për fat të keq, ne duhet të përgatitemi edhe për humbje vendesh pune në Gjermani për shkak të këtij vendimi të administratës amerikane.”/DW

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!