Naim Qassem ka thënë se sulmet e Izraelit në periferitë jugore të kryeqytetit libanez dje nuk kanë “ndonjë justifikim”.
“Është një sulm politik që synon ndryshimin e rregullave me forcë”, tha lideri i Hezbollahut në një fjalim televiziv.
Qassem tha se autoritetet kombëtare libaneze duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që Izraeli t’i përmbahet kushteve të armëpushimit, i cili hyri në fuqi në nëntor.
“Shteti duhet të ushtrojë presion. Presioni që ka ushtruar deri tani … nuk përbën asgjë më shumë se disa veprime dhe deklarata. Kjo është e papranueshme,” tha ai, duke shtuar se qeveria libaneze duhet “të ndërmarrë më shumë veprime” dhe ta ngrejë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Qassem tha gjithashtu se SHBA-ja ka mbështetur veprimet e Izraelit duke përfshirë sulmin e fundit në Bejrut, duke i bërë thirrje qeverisë libaneze të ushtrojë presion mbi Uashingtonin “dhe ta bëjë të kuptojë se Libani nuk do të rindërtohet pa i dhënë fund agresionit”.