Shkup, 16 korrik – Në stinën e verës, përveç rritjes së temperaturave, “sikletin” njerëzve ua shton edhe prezenca e mushkonjave të ndryshme. Qytetarët ankohen se këtë vit ka shumë mushkonja. Kërkojnë nga institucionet që të jenë më efikase në këtë drejtim, përmes kryerjes së dezinsektimeve.
“Momentalisht unë kam ardhur prej jashtë dhe ka mushkonja, duhet të merrëen masa ndaj tyre. Normal se shteti duhet të marrë më shumë masa. Unë si person, si individ mund të mbrojë shtëpinë time ose dhomën time, tjetër diçka nuk mund të bëj.”, – tha një qytetar.
“Shumë më kafshojnë mushkonjat. Mendoj se këtë vit ka më shumë dhe janë më të rrezikshme.”, – tha një tjetër qytetar.
“Kemi edhe atë me ton. Ka shumë pickime dhe alergji, sidomos unë kam një vilë në Nerez, në afërsi të Shkupit dhe këto probleme janë shumë të hasura dhe jo vetëm aty, por edhe në vende ku janë të pastra, hasim në mushkonja. Unë mendoj që shteti njëherë përnjëherë nuk është duke marrë masa.”, – u shpreh një qytetar.
“Po, me të vërtetë ka shumë mushkonja këtu. Në çdo anë na kafshojnë. Neve në shtëpi bëjmë dezinsektime, por shteti duhet të bëjë dezinsektimin jashtë.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
Qyteti i Shkupit para një jave paralajmëroi se dezinsektimi kundër mushkonjave do të kryhet më datë 13 dhe 14 korrik. Redaksia jonë kërkojë përgjigje nga Qyteti i Shkupit për të na dhënë informata më të gjëra në lidhje me atë se a është kryer spërkatja e paralajmëruar kundër mushkonjave, por nga qyteti i Shkupit nuk e panë të arsyeshme t’i përgjigjen pyetjeve tona.