Maqedoni

SHGM kërkon të ndërpriten sulmet ndaj gazetarëve, paralajmërohet marsh protestues

Zhurnal Ads

Shkup, 5 tetor, zhurnal.mk – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë këtë fundjavë në hotelin Aleksandar Palas në Shkup mbajti kuvendin e rregullt jo-zgjedhorë ku u diskutua për disa tema lidhur me punën e Shoqatës si dhe problemet me të cilët janë përballur gazetarët në vitin e fundit.

Kuvendin e hapi kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski i cili në fjalimin e tij iu referua punës së gazetarëve dhe mediave gjatë pandemisë së koronavirusit dhe prezantoi masat e marra nga Shoqata dhe donatorët për të ndihmuar gazetarët në kryerjen e punës së tyre në mënyrë të sigurt.

Të përballuar me përqindjen e madhe të mosndëshkimit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, Çadikovski prezantoi Deklaratën për ndërprerjen e mosndëshkimit për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Deklarata u bën thirrje institucioneve, partive politike si dhe subjekteve të biznesit që të respektojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe liritë e mediave, në përputhje me normat ligjore dhe standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare. “Ligjet që rregullojnë sferën e medias duhet të jenë në përputhje me nevojat e gazetarëve, mediave dhe qytetarëve, dhe jo me nevojat e qendrave të fuqisë”, shkruan në të.

“Në rastet kur gazetarët kanë qenë të sulmuar, pothuajse nuk ka asnjë lëndë gjyqësore që është zgjidhur deri në fund dhe shteti dështoi në rastin e 27 prillit. Dhjetëra kolegë u sulmuan brutalisht dhe institucionet jo vetëm që nuk filluan asnjë procedim, por gjithashtu guxuan të përpiqen të hedhin poshtë padinë e kolegëve tanë përmes Avokaturës së Shtetit”, tha Çadikovski.

Paralajmëroi marsh protestues nëse vazhdojnë standardet dyfishta, përkatësisht të reagohet gjithmonë kur sulmohen politikanët, por jo edhe kur sulmohen gazetarët.

Kryetari i SHGM-së njoftoi se përmes aktivitetit të intensifikuar ai do të përpiqet të zhbllokojë reformat në mediat dhe do të insistohet në zgjedhjen e kuadrove më cilësore për Këshillin Programor në RTVM dhe në Këshillin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.

Si një nga aktivitetet e rëndësishme të realizuara në vitin 2019, Çadikovski e veçoi krijimin e Regjistrit të Onlajn Mediave Profesionale (Promedia.mk).

“Ky është një proces që duhet të vazhdojë. Gjithashtu jemi duke punuar për të krijuar Kodin gazetaresk për mediat online, i cili do të jetë një proces paralel i azhurnimit të Kodit aktual të Gazetarëve të Maqedonisë”, tha Çadikovski.

Drejtori Ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski në fjalimin e tij para anëtarëve prezantoi Strategjinë e Punës të SHGM-së për vitet 2019-2022, dhe më pas i prezantoi dhe me shumicë votash u miratuan Raporti narrativ për punën e SHGM-së për 2019 dhe Raporti financiar për vitin 2019.

Përveç kësaj, në rendin e ditës u prezantuan edhe ndryshimet e propozuara në rregulloret dhe Statutin e SHGM-së. Në statutin u miratuan disa vendime që rregullojnë statusin e anëtarëve të asociuar dhe kushtet në të cilat ata mund të bashkohen, dhe me kërkesë të komisionit për anëtarësim u zgjat afati në të cilin komisioni mund të vendosë për pranimin e anëtarëve të rinj. Ky vendim parashikon rritjen e afatit nga 3 në 7 ditë për të mundësuar një rishikim më të detajuar të komisionit për secilin anëtar të sapo regjistruar. Është miratuar edhe një vendim i cili do të sqarohet në periudhën në vijim që do të parashikojë përjashtimin e anëtarëve të Shoqatës për shkak të shkeljes flagrante të kodit etik.

Postime të ngjashme

Pikë pagesat për dyfish shënojnë rënie të të ardhurave

admin

Greqia vazhdon mbylljen e kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë

XH,I

Maqedonia e Veriut dhe Kosova shqyrtojnë mundësinë e lëvizjes së qytetarëve pa test PCR

XH,I
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...