Shkëndija ruan epërsinë, Struga ndali Sileksin

nga D. V.

Java e 29-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut nuk solli ndryshime në krye të tabelës, pasi Shkëndija dhe Sileksi, dy rivalët për titull, barazuan ndeshjet e tyre dhe ruajtën të pandryshuar diferencën prej katër pikësh, njofton Telegrafi.

Në derbin shqiptar të javës, në Tetovë, Shkëndija dhe Shkupi u ndanë në një barazim spektakolar 3-3. Ndeshja u karakterizua nga tre autogola, por edhe gola të bukur, me Shkëndijën që edhe pse u rikthye në ndeshje pas një disavantazhi prej dy golash, nuk arriti të marrë më shumë se një pikë.

Nga ana tjetër, Sileksi nuk përfitoi nga hapi fals i liderit, duke barazuar pa gola (0-0) në duelin ndaj Strugës. Ky rezultat bën që katër javë para fundit të kampionatit, Shkëndija të mbetet me një epërsi jo dhe shumë komode prej katër pikësh.

Në duelin mes Gostivarit dhe Rabotniçkit, që u zhvillua në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit, u regjistrua një tjetër episod negativ. Pas një përmbysjeje në rezultat (nga 1-0 në 1-2 për Rabotniçkin), drejtuesit e Gostivarit urdhëruan futbollistët të largoheshin nga fusha, duke mos përfunduar ndeshjen. Klubi i Gostivarit përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale theksoi se:

“Incidenti që ndodhi nuk është kundër kundërshtarit tonë Rabotniçkit. Reagimi ynë është ndaj gjyqtarit të ndeshjes, Igor Stojçevski! Ky gjyqtar njihet për menaxhim skandaloz të ndeshjeve dhe nuk është i dëshiruar nga asnjë ekip. Sa i përket deklaratës së FFM-së, çdo fjali e saj do të marrë përgjigje NJË E NGA NJË. Siç e thamë edhe në konferencën për shtyp dje, ne jemi të pastër, nuk ka asgjë që nuk mund ta sqarojmë!” – thuhet në deklaratën e FC Gostivarit.

Në ndeshjet tjera, Vardari mposhti Besën e Dobërdollit me rezultat 3-1, Pelisteri siguroi fitore të rëndësishme për mbijetesë duke mundur Tikveshin 1-0. Ndërsa ndeshja AP Brera – Voska Sportit është regjistruar me rezultat zyrtar 3-0, pasi dueli nuk u zhvillua për shkak të tërheqjes së kësaj të fundit nga kampionati. /Telegrafi/

Rezultatet e javës së 29-të: Shkëndija – Shkupi 3-3, Gostivari – Rabotniçki 1-2 (e ndërprerë), Sileksi – Struga 0-0, Vardari – Besa 3-1, Pelisteri – Tikveshi 1-0, AP Brera – Voska Sport (3-0 zyrtarisht)

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More