Shkollat hapen, nxënësit gëzohen e prindërit shqetësohen shkak shpenzimet e larta!

nga I.A

Shkup, 29 gusht – Kanë ngelur edhe pak ditë deri në fillimin e vitit të ri akademik me çka hapen shkollat dhe universitetit, nxënësit kthehen në bankat shkollore e studentët në amfiteatro të universiteteve. Por, ky proces nuk ndodh aq lehtë dhe thjesht saqë përshkruhet pasi kërkon një investim dhe shpenzim që jo për secilën familje është i përballueshëm. Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka kontaktuar prindër të cilët kanë shprehur shqetësimin dhe brengën e tyre në lidhje me shpenzimet tejet të larta të pajisjeve shkollore, shkruan Zhurnal.

Prindërit në hall ankohen për shtrenjtim të pajisjeve shkollore –

Viti i ri shkollor e akademik me probleme të vjetra, kriza ekonomike që i ka prekur qytetarët edhe tani shpreh pasojat e veta. Prindër të shumtë e kanë vështirë t’i përballojnë shpenzimet tejet të larta për t’i siguruar pajisjet e detyrueshme shkollore për fëmijët e tyre.

“E njëjta gjë përsëritet çdo fillim e fund vit, nevojat e nxënësve janë të larta e për këtë është dëshmitare secila familje, por jo secili prej neve kemi mundësi me i realizuar gjitha ato nevoja. Unë për vete kam dy nxënës dhe një student, shpenzime të trefishta që për besë po brengosem e jam në hall si t’ia dal”, tha një prind për Zhurnal.

Ai mes tjerash shtoi se ndihma e Ministrisë së Arsimit për t’i siguruar tekstet mësimore është ndihmë simbolike dhe nuk e lehtëson e as nuk i zbut shpenzimet e larta.

“Ajo me të cilën krenohet shteti që na ka siguruar tekstet mësimore është vetëm simbolike dhe nuk zbut shpenzimet që ne si familje duhet të bëjmë çdo fillim vit. Pasi sërish duhet t’i japim fëmijëve të holla për të fotokopjuar tekste të ndryshme mësimore, për fletore, për ushqim e për shumëçka tjetër”, përfundoi prindi anketuar nga Zhurnal.

Nga ana tjetër, prindi tjetër shpreh revoltën e tij që institucionet arsimore nuk bëjnë aq sa familjet kanë nevojë. Kjo mbase sipas tij është problem zingjiror që kriza ekonomike reflekton tani kur shpenzimet shtohen.

“Në çdo muaj jemi në krizë por tani në këtë fund muaj kriza thellohet pasi edhe shpenzimet shtohen edhe më shumë. E kemi patjetër t’i sigurojmë fëmijëve tanë pajisjet e nevojshme, nuk është fare e lehtë për mua që kam dy studentë dhe dy nxënës në shtëpi. Secili ka kërkesat dhe nevojat e veta, dhe me një pagë minimale pa kurrfarë ndihme tjetër jo që është e vështirë por është e pamundur të plotësohen të gjitha”, u shpreh prindi tjetër për Zhurnal.

Ai ngriti edhe një shqetësim tjetër që problemi i njëjtë shfaqet sikurse në fillim të vitit ngjashëm edhe në fund kur organizohen ekskurzione në nivel shkolle.

“Nuk ka gjë më të vështirë se ta ndash fëmijën nga bashkëmoshatarët e tij, mundohem maksimalisht që tu sigurojë pajisjet shkollore të cilat kanë çmime tejet të larta. Por, kur vjen koha që të shkojnë në pushime me shkollën këtu nuk ia arrij dot, dhe ndjenjë më të rëndë se ta ndash fëmijën nga këto organizime për një prind nuk ka”, përfundoi prindi për Zhurnal.

Për sa i përket çmimeve në treg për pajisjet shkollore prindërit e anketuar për Zhurnal treguan që çmimet sa shkojnë e rriten dhe janë të pa përballueshme. Një çantë shkolle kushton me çmim fillestar prej 1000-1200 denarë, për të vazhduar me fletore prej 30-40 denarë, e me stilolapsa prej 20 denarë e më shumë.

Shtuar këtu edhe shpenzimet e përditshme që bëjnë nxënësit në shkolla, e që as nuk dëshirojnë të flasin për shpenzimet e një studenti. Kujtojmë që, pothuajse secila familje në vend ka të paktën një e më shumë nxënës në familje e studentë gjithashtu. Prandaj, nga pagat e ulëta e të ardhurat e kufizuara vështirë janë të përballueshme edhe shpenzimet tejet të larta.

Kujtojmë që, viti i ri shkollor nis të hënën, përkatësisht më 2 shtator. Dhe, për këtë kanë filluar të përgatiten edhe hapësirat shkollore duke u dezinfektuar përshkak të pushimit tre mujor. Nxënësit e presin me emocion të veçantë këtë fillim vit, e prindërit me shqetësim e hall se si do të arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet tejet të larta. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More